E Shtunë, 31 Tetor 2026

MTKRS dënon dhunën: Por zbatoni rregullat e lojës!

Shfaqja e shëmtuar e së shtunës në Asamblenë e 14 zgjedhore të KOKSH-it bëri që ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, të mbajë 48 orë më pas një qëndrim të prerë ndaj dhunës, që, sipas tij, shmanget nëse zbatohen ligjet e shtetit shqiptar dhe rregullat e statutit të vetë organizatës ombrellë të federatave sportive.

Dhuna - "Dua të vë në dukje se qeveria shqiptare është kundër çdo lloj dhune, të cilitdo krah, si të të zgjedhurve, ashtu edhe të kandidatëve për t‘u zgjedhur, ka nënvizuar dje Pango para gazetarëve. Është kundër çdo dhune në zgjedhjet për organet drejtuese në Asamblenë e KOKSH-it, por edhe kundër çdo lloj dhune edhe në fushat e futbollit, problem ky që siç e dini ekziston edhe në mjaft vende të botës". Gjithçka u referohet incidenteve të së shtunës, kur pas sherreve, fyerjeve, grisjes së fletëve të votimit dhe thyerjes së një kutie votimi, u desh të pezullohen zgjedhjet.

Kushti - Por pas dënimit të dhunës, Pango rreshton edhe kushtet për ta shmangur atë, të cilat, sipas tij, nuk u respektuan në Asamblenë e fundjavës së kaluar. "Do të doja të vija në dukje se ne do të vazhdojmë të ndjekim me vëmendje, duke monitoruar e duke ruajtur paanshmërinë dhe para së gjithash autonominë e KOKSH-it, një premtim që e kemi bërë dhe që po e mbajmë. Por gjithmonë duke i kërkuar KOKSH-it të zbatojë ligjet e shtetit shqiptar në lidhje me sportin, rregullat dhe nenet e kartës olimpike dhe statutin e tyre, që e kanë aprovuar po vetë".

Statuti - Sipas ministrit, në Asamblenë e së shtunës u shkelën disa rregulla, pasi në ambiente ishin futur persona që nuk ishin as të zgjedhur, as votues e as të autorizuar. Por, shmangia e këtyre personave do të ndihmonte edhe shmangien e incidenteve. "Ne e respektojmë autonominë, por do të sigurojmë vetëm qetësinë dhe pjesëmarrjen e atyre që vetë KOKSH-i do të caktojë për të votuar. Në këto kushte, nëse respektohet statuti i KOKSH-it, e theksoj edhe një herë, që e kanë bërë ata vetë, atëherë nuk ka pse të ketë probleme, sepse respektimi i ligjeve, pjesëmarrja e të gjithë atyre me të drejtë vote, plotësimi i të gjitha kushteve sipas rregullores, atëherë askush nuk do të ketë shkas për të krijuar situata të dhunshme".

Monitorimi - Ka qenë pikërisht ngritja nga ana e MTKRS-së e një komisioni monitorues, një nga pikat e shumëkontestuara nga ana e drejtuesve të KOKSH-it, por, megjithatë ministri, edhe pse garanton autonominë e plotë, nuk heq dorë nga roli monitorues i dikasterit të tij. "Sikurse kemi respektuar autonominë e tyre, kemi kërkuar edhe zbatimin e rregullave. Unë e kam premtuar kohë më parë para mediave, se nuk do të ketë asnjë ndërhyrje. Deri tani ne kemi luajtur vetëm rol monitorues. Monitorimi është një rregull që ekziston për çdo lloj zgjedhjesh, edhe për zgjedhjet parlamentare".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›