Benitez: Penant largohet, Ager qëndron te Liverpuli
Rafa Benitez ka folur për merkaton e Liverpulit, duke konfirmuar se mesfushori Xhermein Penant është fare pranë transferimit nga "Anfilld Roud". Në sajtin zyrtar të klubit, tekniku spanjoll tha: "Për Penant gjetëm marrëveshjen me Portsmuthin. Tashmë mbetet vetëm që lojtari të thotë ‘po‘, por nuk besoj se ai do të refuzojë". Benitez foli edhe rreth zërave se Daniel Ager do të kalojë te Milani. Për mbrojtësin e përfaqësueses daneze u përfol një kalim me vlerë 9 milionë euro te kuqezinjtë, por ai duket se ka ndërruar mendje. "Bisedova me Ager dhe më tha që dëshiron të qëndrojë. Ai nuk mendon për paratë, por për Liverpulin", tha Benitez.