E Shtunë, 31 Tetor 2026

Benitez: Torres i paprekshëm

"Reds"-at nuk po kalojnë një moment të mirë. Krizë rezultati dhe akoma edhe më rëndë, borxhe që do të jetë vështirë ta mbyllin atë vrimë të zezë. Zgjidhja? Të shesë ndonjë xhevahir. Një shitje që do të thoshte ridimensionim të grupit të lojtarëve dhe të objektivave. Por Fernando Torres nuk do të largohet nga Liverpuli edhe për një ofertë mbi 110 milionë euro. Kjo është fjala e Rafa Benitez, i cili në një intervistë ekskluzive për "The Times", ka thënë qartë dhe prerazi se nëse bomberi spanjoll do të shitet për shlyer borxhet e klubit (që aktualisht arrijnë në 276 milionë euro), ai do ta ndjekë, duke u transferuar ndoshta pikërisht te ai Real Madrid, i cili nuk e ka fshehur kurrë që e dëshiron në pankinë. "Jam i sigurt që kjo tratativë nuk do të ndodhë kurrë, ka thënë Rafa, por nëse do të duhej të ndodhë, do të iki edhe unë. Nuk ka asnjë dyshim për këtë...". Dhe për këtë arsye, Benitez as nuk dëshiron të dëgjojë më. Ky ka qenë një lloj kërcënimi i trajnerit për klubin anglez. Liverpuli po zhvillon një sezon të vështirë. Në verë mbërritën zërat e parë për vështirësitë ekonomike dhe rrezikun e një largimi nga stadiumi "Anfield". Mundësi të cilën klubi e shmangu me sakrifica dhe një merkato të dobët.. Pak shpenzime dhe shumë forcë. Kanë mbetur të gjithë lojtarët e mëdhenj, por nuk kanë munguar ofertat reale nga e gjithë Europa. Në Spanjë flitet prej kohësh për një interesim të madh të Realit për Fernando Torres. Me afrimin e merkatos së janarit gjithçka duket më e komplikuar, pasi situata ekonomike është vështirësuar akoma më shumë dhe vetëm shitja e lojtarëve e shpëton.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›