E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ibra: Në Spanjë, spektakli është parësor

Sulmuesi evidenton ndryshimet që po përjeton te Barça, në krahasim me aventurën tek Interi
Zlatan Ibrahimoviç kërkon me çdo kusht që të heqë imazhin e "djalit të keq" të futbollit. Sulmuesi, i cili ende nuk ka vendosur nëse do të vazhdojë të përfaqësojë Suedinë në arenën ndërkombëtare, ka theksuar se jeta e tij rrotullohet vetëm te familja dhe te topi. "Jam një person i qetë, shumë i lidhur me familjen. Ndihem shumë normal, por ndoshta sepse nuk më njohin, janë të shumtë ata që mendojnë të kundërtën. Nuk mund të gjykohet një njeri pa e njohur më parë", deklaroi 28-vjeçari për "La Vanguardia". Më pas, intervista spostohet në aspektin tekniko-taktik. "Te Barcelona luaj pak a shumë në të njëjtin pozicion si tek Interi. Roli im është ai i sulmuesit të vetëm në qendër, ndërsa në Itali luaja gjithmonë përkrah një lojtari tjetër, shpjegoi Ibra. Njësoj si tani, jam munduar gjithmonë që të tregoj sa më shumë kualitet në fushë, por kam gjithmonë dëshirë të mësoj gjëra të reja. Barça ka një stil të ndryshëm loje dhe duhej të përshtatesha. Ia arrita qëllimit". I paevitueshëm krahasimi me Samuel Eto‘o. "Është normale që të më krahasojnë me të, Eto‘o është një lojtar i madh, i cili qëndroi një kohë të gjatë në ‘Kamp Nou‘ dhe ka bërë një punë të jashtëzakonshme. Në Milano, kamerunasin po e krahasojnë me mua. Gjithsesi, e kam theksuar gjithmonë se nuk mund të bëhen krahasime ndërmjet dy futbollistëve kaq të ndryshëm. Karakteristikat e mia nuk kanë asnjë lidhje me ato të Eto‘o-së. Disa mund të thonë që unë jam më i mirë, ndërsa disa të tjerë që jam më pak i mirë. Në të gjitha rastet, jemi dy lojtarë shumë të ndryshëm", vazhdoi sulmuesi "blaugrana". Për të afruar Zlatan Ibrahimoviç në skuadrën e drejtuar nga Pep Guardiola, katalanët shpenzuan 45 milionë euro plus kartonin e Eto‘o: "Sipas meje asnjë lojtar nuk kushton kaq shumë, u pagua një shifër mjaft e madhe parash. Megjithatë, kjo është situata që po kalon merkato aktuale dhe është normale që transferimi i kushtueshëm mund të më krijojë edhe më shumë presione". Përshtatja te Barcelona "ishte shumë e mirë, ashtu siç e prisja. Të gjithë më uruan mirëseardhjen, shokët ashtu si edhe trajneri më ndihmojnë përditë. Në Spanjë, skuadrat rrezikojnë më shumë, synimi është të realizohen gola. Këtu kam gjetur një kulturë të ndryshme futbolli në krahasim me Italinë: spektakli është parësor. Gjithsesi, në këtë sport ka shumë rëndësi edhe vazhdimësia e rezultateve pozitive". Barça kryeson në kampionat, por vazhdon të ketë disa vështirësi në Champions. Të martën e ardhshme ata presin Interin e Murinjos, një sfidë që vlen kualifikimin në turin tjetër. "Jam i sigurt që do ta kalojmë fazën e grupeve. Deri më tani kemi zhvilluar ndeshje të mira, por kemi qenë të pafat", përfundoi Ibrahimoviç.
Ndërkohë, klubi katalan vazhdon të mendojë për merkaton. Çesk Fabregas vazhdon të mbetet një prej emrave më të përfolur. Kapiteni 22-vjeçar i Arsenalit është rritur në Akademinë "blaugrana", por ai nuk do ta refuzonte edhe një kalim në Madrid. Kjo është arsyeja përse Barça dhe Reali mund të jenë protagonistë të një beteje milionere (flitet se shifra shkon deri në 67 milionë euro) për Fabregas. Një tjetër objektiv në "Kamp Nou" është mbrojtësi gjerman, Filip Lahm. Lojtari i Bajernit të Mynihut shihet si një alternativë për krahun e djathtë, ku Dani Alvesh është alternativa e vetme e Guardiolës. 26-vjeçari, për të cilin interesohen edhe Juventusi e Mançester Junajtid, kushton 16 milionë euro.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›