E Shtunë, 31 Tetor 2026

Benitez: “Vë bast për Interin”

Inter i Hoze Murinjos do të përballet me Çelsin e Karlo Ançelotit në raundin e “vdekjes” të Ligës së Kampioneve. Një sfidë shumë intriguese për portugezin Murinjo, i cili para se të drejtonte Interin ka qenë trajner i Celsit. Trajneri i Liverpulit, Rafa Benitez, beson se kampioni i Serisë A, Interi, mund të sfidojë ekipet e Premier Ligës dhe të fitojë Ligën e Kampioneve, duke i dhënë fund 45 viteve pa trofe në këtë kompeticion. “Unë jam duke vënë bast për ekipet angleze, por unë pëlqej Interin”, - tha ai për gazetën italiane “La Gazzetta dello Sport”. “Ka në skuadër tre fitues: Jose Mourinho, mbretin e motivimit; Massimo Moratti, një president i cili gjithmonë është i pranishëm, dhe Samuel Eto’o një finalizues vdekjeprurës. Interi është gati të vendosë statusin e tij në Europë, pasi ka provuar se nuk ka rivalë në kampionatin shtëpiak”. Në fakt, Inter u kualifikua si i dyti në Grupin E duke përfunduar pas kampionëve në fuqi, Barcelonës.

Eto’o
Interi peshkoi Çelsin në 1/8 e finaleve të Ligës së Kampioneve, një nga duelet më interesante të raundit të “vdekjes”. Sulmuesi i Interit, Samuel Eto’o, tha për “Inter Channel: “Është një kundërshtar i rëndësishme, pro në një të tetat, në sfidat me eliminim direkt nuk ka shumë diferencë midis një kundërshtari dhe një tjetri”. Kamerunasi, i cili e ka fituar trofeun si lojtar i Barcelonës, shtoi: “Dy muaj në futboll janë shumë, mund të ndryshojnë shumë gjëra, kondicioni i lojtarëve të veçantë dhe atyre në një skuadër”. Për Eto’o ishte folur shpesh gjatë periudhës së merkatos për një kalim të mundshëm te Çelsi, por e kaluara nuk ka më rëndësi: “Jam te Interi dhe ndihem shumë i kënaqur këtu”.

TË TJERAT
Barcelona, kampionia në fuqi e Europës do të përballet me Shtutgardin gjerman. Kampionia e Greqisë, Olimpiakos u çiftua me atë të Francës, Bordonë. Bajerni do të sfidojë në 1/8 me Fiorentinën. CSKA e Moskës ka punë me Seviljan e Spanjës. Lion-Real Madrid është një sfidë e veçantë sidomos për sulmuesin Karim Benzema. Porto do të jetë kundërshtari i “Topçinjve” të Arsenalit. Milan-Mançester Junaitid është një përsëritje.

Liga e Kampioneve
1/8 e finaleve

Shtutgard (Gjermani)-Barcelona (Spanjë)
Olimpiakos (Greqi)-Bordo (Francë)
Inter (Itali)-Çelsi (Angli)
Bajern Munih (Gjermani)-Fiorentina (Itali)
CSKA Moskë (Rusi)-Sevilja (Spanjë)
Lion (Francë)-Real Madrid (Spanjë)
Porto (Portugali)-Arsenal (Angli)
Milan (Itali)-Mançester (Angli)

Bajerni: “Prisnim më keq”

Bajerni do të përballet në një të tetat e finaleve të Ligës së Kampioneve me klubin italian Fiorentina, një detyrë, që sipas drejtuesve të rekordmenëve gjermanë, është absolutisht e realizueshme. “Kishte sigurisht shumë ekipeve më të vështira”, - tha presidenti i Bajern, Karl-Heinz Rummenigge për televizionin e Bayern. “Është një ekip që ne mund ta kalojmë, por nuk duhet ta nënvlerësojmë për çfarëdo lloj arsyesh”. Ndeshja e parë do të luhet në një “Allianz Arena” tërësisht të shitur, më 17 shkurt 2010, ndërsa ajo e kthimit në “Artemio Franchi”, më 9 mars.
“Nuk jam i pakënaqur nga short, mund të kishim rënë me kundërshtarë më të vështirë”, - deklaroi trajneri Luis van Gal. Fiorentina është një kundërshtar i njohur për Bajern, pasi janë përballur në fazën e grupeve vitin e kaluar. Ndeshja e parë në Munih përfundoi 3-0 në favor të Bajern, ndërsa ajo e kthimit 1-1 në Firence. Këtë vit, Fiorentina u kualifikua si e para e Grupit E, në një grup ku ishin emra të tillë si Lion, Liverpul dhe Debrecen.

Bekham kundër Mançester Junaitid

Mançester Junaitid u çiftua kundër Milanit në fazën me eliminim direkt në Ligën e Kampioneve, dhe kjo do të thotë se David Bekham i ka të gjitha mundësitë të luajë kundër ish-skuadrës së tij.
Tedi Sheringham, njeriu që me golin e tij ndihmoi Junaitid të fitonte trofeun në vitin 1999, beson se mesfushori do të marrë një mikpritje të ngrohtë nga fansat e Mançesterit. “Pa asnjë dyshim, ai është një top-lojtar, një ikonë, tifozët do ta duan atë në rikthimin e tij edhe t’u thotë lamtumirën e tij dhe ta shohin në fushë”, - tha Sheringham për “The Daily Mirror”.
Bekham do të bashkohet me Milanin pas Krishtlindjeve, në huazimin e tij të dytë nga klubi mëmë Los Angeles Galaxy.

19 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›