E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veshja dhe grimi, që të dukeni magjepsëse natën e Vitit të ri

Nata e madhe po afron dhe ju ndiheni të pasigurta për prezantimin dhe mënyrën se si do të dëshironit të shfaqeshit. Ajo që doni të dini me siguri është të jeni thjesht: magjepsëse! Cila është veshja më e përshtatshme për këtë rast? Po grimi duhet të jetë i lehtë apo i theksuar? Mësoni gjithçka që duhet mbi grimin dhe mënyrat e krehjes së flokëve, për të qenë më brilante në momentin e ndërrimit të viteve. Në këtë mënyrë ju mbetet veçse të shijoni magjinë e natës së ftohtë dhe të shndritshme nën shoqërinë e familjarëve apo miqve më të dashur.

Udhëzimet bazë

1. Çlodhuni disa minuta përpara se të dilni për të festuar ardhjen e Vitit të Ri. Natyrisht pasi më parë të jeni grimuar dhe krehur me kujdes.
2. Bëni një banjë qetësuese, duke lëmuar butë lëkurën me anën e një furçe të posaçme. Kjo do të ndihmojë në qarkullimin më të mirë të gjakut dhe do të largojë qelizat e vdekura.
3. Gjatë kohës që prisni të thahen thonjtë mund të vendosni një maskë në fytyrë, e cila do ta pastrojë atë më në thellësi ose do t’i japë fytyrës suaj një shkëlqim të veçantë. Fytyra duhet të jetë e pastër dhe e thatë kur të vendosni maskën. Shmangini zonës së syve dhe gojës.
4. Ndarëset për gishtat (kur lyeni thonjtë) janë shumë të nevojshme pasi ju shpëtojnë nga incidente të mundshme që ju marrin kohë.

Veshja

Sinonimi festës është padyshim ngjyra e kuqe e ndezur. Për të qenë në harmoni me atmosferën festive, këshilla më e vlefshme do të ishte: bëni tuajin një fustan të kuq magjik. Me të mund të kombinoheshin mirë edhe dorezat e kuqe të tylta apo aksesorët. Nëse nuk ndiheni komode veshur me fustan, provoni të vishni një bust të kuq dhe një fund në ngjyrë të florinjtë apo të argjendtë. Në këtë rast përdorni aksesorë që bien lehtë në sy, si dhe një palë këpucë të kuqe me taka të larta.

Grimi

1. Për të pasur lëkurë më të shkëlqyer vendoni pak krem hidratues, por kujdesuni që përveç fytyrës, ta vendosni edhe në pjesët e trupit që nuk mbulohen nga veshja juaj. Nëse mbani dekolte të hapur përpara ose prapa dhe keni shenja të zeza, fare lehtë mbi kremin e ditës vendosni make-up dhe menjëherë më pas pudër. Gjithçka do të duken si një pasqyrë e pastër.
2. Gjatë natës së ndërrimit të viteve askush nuk do t’ju akuzojë nëse ngjyrat janë disi hiperbolike. E rëndësishme është që grimi të kombinojë me veshjen dhe ngjyrat t’ju përshtaten. Kështu, nëse përdorni fustan të kuq, buzët e kanë të domosdoshme të lyhen në këtë ngjyrë, që në fund të fundit është edhe ngjyra e festës.
3. Grimi i festave e lejon përdorimin edhe të ngjyrave të arta dhe varakut në sy. Në përgjithësi tonet e agjenda u shkojnë më shumë femrave me flokë të errët dhe lëkurë të bardhë. Por kjo nuk do të thotë se ato nuk janë të këndshme edhe tek femrat me sy në ngjyrë bojëqielli. Madje tek këto të fundit krijojnë jo pak herë, një pamje me të vërtetë të mrekullueshme. Bëni kujdes për qerpikët. Ata duhet të jenë të lyer me rimel të zi.

Buzët
Te zgjedhësh buzëkuqin nuk është dhe aq e lehtë: Duhet të dish ta adaptosh me ngjyrën e lekurës, flokët dhe sytë. Buzët në natën e ndërrimit të viteve duhet të jenë në qendër të vemendjes. Në këtë rast e kuqja e ndezur bën për ju. Kjo është ngjyra e festës dhe jo krejt rastësisht do t’ju bënte të dukeshit e mahnitshme.

Flokët

1. Nëse kërkoni t’u jepni formë duke përdorur duhet të keni parasysh se flokët do të marrin formë më të mirë (e cila do të rezistojë gjatë gjithë natës), vetëm nëse format i lini në kokë për sa kohë që bëni grimin e fytyrës.
2. Nëse jeni e ftuar në mbrëmjen e Vitit të Ri por nuk kishit kohë ose mundësi të shkonit në parukeri, fare lehtë mund të krijoni modele të thjeshta duke përdorur me zgjuarsi fantazi në tuaj. Për t’ju ndihmuar ne ju ofrojmë udhëzimet e mëposhtme:
3. Produkti kozmetik prej qiriu është ideal për flokët e shkurtër, veçanërisht nëse i keni prerë në “bishta” të vegjël dhe bien mbi fytyrë. Ndërsa flokët me onde i ndihmon që të duken më të buta, sidomos kur i punoni në tufa. Për të pasur rezultat më të mirë e fërkoni produktin prej qiriu me të dyja duart para se ta vendosni në flokë. Mos vendosni kurrë deri në rrënjët e flokëve.
4. Llaku ndihmon për të pasur një formë perfekte në fund të krehjes dhe që do të mund të qëndrojë për një kohë të gjatë. Nëse flokët tuaj janë shumë të thata zgjidhni llak pa alkool.
5. Shkuma është e përshtatshme për flokët e hollë pasi iu jep fryrje pa i ngjitur. Për të pasur fryrje deri në rrënjë, mund të merrni një sasi të vogël shkume dhe iu bëni rrënjëve masazh, para se të përdorni tharësen e flokëve. Ndërsa për të pasur fryrje në të gjithë gjatësinë e flokut ndiqni të njëjtën procedurë duke vendosur shkumë në mes dhe në majë të flokëve.

19 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›