Benitez pranon dështimin: Tani, mendja në kampionat
LONDER- Rafael Benitez ka kërkuar që lojtarët të mos mendojnë për pak kohë për Kupat e Evropës, por të fokusohen në kampionat, aty ku të kuqtë ndodhen shumë larg zonës Champions. Liverpuli përfundoi i treti në grupin E të Ligës së Kampioneve dhe tashmë do të luajnë në Europa League. E mërkura i vuri vulën sezonit të dështuar të kësaj skuadre, me humbjen 2-1 ndaj Fiorentinës në “Anfield Road”, që zhgënjeu akoma më shumë tifozët e kësaj skuadre të mësuar me suksese. “Do ta marrim seriozisht Europa League, por tani duhet të përqendrohemi në kampionat, - deklaroi tekniku spanjoll. – Duhet të renditemi patjetër në katër skuadrat e para. Champions? Ajo që na ndodhi këtë vit nuk do të harrohet nga lojtarët, por them se ky eliminim do të na japë më shumë forcë për pjesën e mbetur të sezonit”. Liverpuli do të ndeshet të dielën ndaj Arsenalit në “Anfield Road”, një sfidë decizive për shanset e kësaj skuadre që të ringjitet në vendet e larta të klasifikimit në Angli.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)