E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lojtarët e Fiorentinës priten si heronj

FIRENCE- Futbollistët e Fiorentinës janë pritur si heronj në aeroportin e Peretolës në Firence, pas triumfit 2-1 në “Anfield Road” kundër Liverpulit. Ata kanë zbarkuar rreth orës 13.55 të ditës së sotme dhe për t’i pritur kanë qenë rreth 500 fansë. Futbollistët e drejtuar nga Prandeli janë pagëzuar si “Heronjtë e Anfield Road”. Tifozët mbanin në duar shallet dhe flamujt e skuadrës, ndërsa entuziazmi ka qenë i shfrenuar. Fiorentina zuri vendin e parë në një grup ku mendohej se nuk kishte asnjë shans, duke qenë se ndodheshin dy skuadra si Lioni apo Liverpuli, me shumë eksperiencë në arenën ndërkombëtare. Ndërkohë, tifozët kanë shprehur edhe një protestë për televizionin shtetëror, Rai, që nuk e transmetoi live ndeshjen e “Anfield Road”. “Jam në grevë urie ndaj Rai-t”, shkruante një pankartë. Përpos kësaj, mbasdite skuadra ka qenë menjëherë në stërvitje në kuadër të ndeshjes së radhës ndaj Kievos, ditën e dielë.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›