E Shtunë, 31 Tetor 2026

Benitez u gëzohet “yjeve”, Interi debuton në Botëror

ROME-Interi do të debutojë sot në mbrëmje në Botërorin e klubeve, kur të përballet në Abu Dabi me koreanët e Seongnam. Ky kompeticion është i vetmi që i mungon Masimo Moratit dhe presidenti zikaltër dëshiron ta fitojë me çdo kusht. Ndërkohë, trofeu është akomë më i rëndësishëm për Rafa Benitez, pasi nëse nuk e fiton, largimi i tij do të ishte i sigurt. “Ndeshja e parë ndaj Seongnam është më e rëndësishmja, - deklaroi tekniku spanjoll në konferencën e djeshme për shtyp. – Përpara se të mendojmë për finalen, duhet të mendojmë që të fitojmë këtë takim. Në fushë do të hedh menjëherë formacionin më të mirë”, shtoi Benitez. Në fakt, lajmet më të mira për trajnerin e Interit kanë ardhur këto ditë nga infermieria, pasi futbollistë si Maikon, Zhulio Sezar apo Milito, i kanë lënë pas dëmtimet e tyre dhe janë të gatshëm për të luajtur. Ndaj koreano-jugorëve, sulmi do të jetë ai që një vit më parë fitoi Champions League, duke nisur nga Eto, Pandev e së fundmi Milito. “Jam shumë i kënaqur, sepse më në fund kam shansin të bëj zgjedhje, - deklaroi Benitez. – Të gjithë futbollistët po punojnë në 100 %. Ambienti është shumë pozitiv në prag të kësaj sfide, kështu që jam optimist”, shtoi spanjolli.
Trofeu
Punët e Interit janë bërë akoma më të lehta në Abu Dabi, pasi ditën e djeshme afrikanët e Mazembes mundën 2-0 Internacionalin, në një nga surprizat më të mëdha që ka dhuruar Botërori i klubeve. Por, Rafa Benitez ka qenë tepër i kujdesshëm në deklaratat e djeshme, ndonëse është parë gjithashtu shumë i motivuar për t’i dhuruar trofeun Moratit. “Është e qartë se jemi këtu për të fituar dhe për ta bërë këtë, duhet të shmangim surprizat në ndeshjen e parë. Shoh Militon që shënon gol në stërvitje dhe e kuptoj që jemi të fortë. Seongnam? Janë një skuadër që ka bërë shumë për të ardhur deri këtu, nuk është e lehtë të fitosh Ligën e Kampioneve në Azi. Ka një organizim të mirë taktik dhe lojtarët punojnë shumë me dhe pa top. Janë një kundërshtar i vështirë, por ne jemi Interi dhe kemi ardhur këtu me dëshirën për të fituar”, u shpreh Rafael Benitez. Ai mbrojti edhe Samuel Etonë, që dy ditë më parë deklaroi se skuadra e ëndërronte këtë turne, që pas fitimit të Champions League në muajin maj. “Mendoj se e ka thënë për të treguar se sa shumë dëshirojmë ta fitojmë këtë Botëror”, sqaroi spanjolli.
Milito
Tek Interi që do të bëjë sot në mbrëmjen debutimin në Botërorin e klubeve është rikthyer edhe Diego Milito, ai që shënoi dy gola në finalen e Madridit kundër Bajernit dhe i dha të drejtën skuadrës zikaltër që të luajë në Abu Dabi. Pasi ka qenë deciziv në të tre trofetë e vjetshëm, Milito dëshiron ta bëjë këtë edhe në Botëror. “Ky kompeticion është unik për ne të gjithë, - tha ai në konferencën për shtyp të mbajtur dje në Abu Dabi. – Do të përpiqemi t’i shijojmë këto ndeshje. Ëndrra ime është të realizoj golin deciziv, por ajo që ka më shumë rëndësi është të fitojmë dhe të ngremë lart trofeun”, shtoi argjentinasi. Në lidhje me formën e tij, Milito shpjegon se e ka kaluar dëmtimin. “Jam mirë, kam më shumë se një javë që po stërvitem me grupin. Jam i kënaqur, jemi të përgatitur dhe kam një dëshirë të madhe për të bërë diçka të mirë ndaj Seongnam”, shtoi Milito. Në takimin e sotëm, mungesa e vetme e Interit të sezonit të shkuar është ajo e mbrojtësit Valter Samuel, që e ka humbur tashmë sezonin.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›