E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bushati mendon Jonuzin për Maqedoninë

Trajneri i kombëtares Shpresa, Artan Bushati, mendon të përforcojë skuadrën e tij, duke grumbulluar sulmuesin kosovar Ahmet Jonuzi. 20-vjeçari luan te Vorskla Poltava, në Ukrainë, përkrah Debatik Currit dhe Armend Dallkut dhe cilësohet si një i ri mjaft i talentuar. Kjo është arsyeja përse trajneri i 21-vjeçarëve kuqezi kërkon ta testojë në miqësoren me Maqedoninë, që do të zhvillohet më 19 nëntor, në Ohër. Bushati ka biseduar në telefon me Jonuzin dhe i ka konfirmuar interesin që ai të përfaqësojë Shqipërinë. Lojtari nga ana e tij është shprehur i gatshëm të "shqiptarizohet" dhe do t‘u përgjigjet pozitivisht ftesave. "Ende nuk ka asnjë ftesë zyrtare, pasi lista e kombëtares Shpresa për miqësoren me Maqedoninë ende nuk është publikuar", thanë burime pranë sulmuesit. "Megjithatë, nëse trajneri Bushati do të kërkojë ta ketë në dispozicion për muajin nëntor, Ahmeti do të paraqitet". Së fundmi, për Jonuzin është interesuar edhe Han: informatorët e tij në FSHF e lajmëruan se ai shënoi në fundjavë, duke i dhënë fitoren Vorsklas kundër Metalurg Donjetsk. Por, për të arritur përfaqësuesen "A", kosovari duhet të përdorë si trampolinë ekipin U-21.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›