Edmond Liçaj, "timonieri" i ri vlonjat
Edmond Liçaj prezantohet në rolin e trajnerit të Flamurtarit. Vetëm 48 orë pas largimit të kroatit Slavko Kovaçiç, kryebashkiaku i Vlorës, i cili është njëkohësisht edhe presidenti i klubit, Shpëtim Gjika, emëroi drejtuesin e ri të stolit. Liçaj nuk është i panjohur në ambientet e klubit kuqezi, ku së fundmi ka punuar në rolin e drejtorit teknik. Ndërkohë, ai është i njohur edhe sepse ka drejtuar Kombëtaret e moshave Under-17 dhe Under-19. Që prej ditës së djeshme, trajneri filloi menjëherë punën me skuadrën, ndërkohë që ka diktuar rregullat: disiplina e fortë vlerësohet si mënyra e vetme për t‘u rikthyer te fitoret. Liçaj tha: "Skuadra, që kemi në dispozicion për sezonin në vazhdim, bazohet kryesisht te futbollistët vlonjatë. Kushtet e mia kryesore te Flamurtari do të jenë kërkesa e fortë e rregullit dhe disiplinës. Mendoj se vetëm në këtë mënyrë mund të rikthehemi te rezultatet pozitive". Në tre ndeshjet e fundit, vlonjatët kanë regjistruar dy barazime dhe një humbje, e me 11 pikë të grumbulluara në 9 javë, "zona e ftohtë" nuk është larg. Kthesa synohet të bëhet që prej ndeshjes së fundjavës, ku Flamurtari udhëton drejt kryeqytetit për t‘u përballur me Dinamon. "Na duhet të pranojmë se nuk ndodhemi në pozita komode në klasifikim dhe duhet ta fillojmë ngjitjen që prej kësaj jave, pavarësisht se do të kemi një ndeshje të vështirë në Tiranë me Dinamon, vazhdoi më tej trajneri. Skuadra ka si objektiv të vetëm mbijetesën në Kategorinë Superiore: kjo është deklaruar që në fillim të sezonit. Po punohet që të krijojmë bërthamën e skuadrës së të ardhmes, e cila do të bazohet kryesisht te talentet e qytetit tonë". Megjithëse kërkon të mbajë skuadrën me "këmbë në tokë", Liçaj nuk e fsheh dëshirën për të fituar një vend në kupat e Evropës: "Ndryshe nga kampionati, në Kupën e Shqipërisë do t‘i bëjmë llogaritë ndryshe, pasi nëpërmjet këtë aktiviteti do të synojmë pjesëmarrjen në ndeshjet ndërkombëtare". Në fund, duke falënderuar kryebashkiakun Gjika, trajneri deklaroi: "Ky emërim nuk ka ardhur thjesht për të shpërblyer një person (vetë trajnerin Liçaj) për kontributin që ka dhënë në të kaluarën për klubin. Përkundrazi, është një detyrë, përmes së cilës duhet t‘i shërbehet sa më mirë skuadrës". Në anën tjetër, drejtuesi më i lartë i skuadrës bregdetare deklaroi për mediat: "Liçaj e njeh më mirë se askush tjetër skuadrën, pasi ka qenë pranë saj gjatë gjithë kohës, tha Gjika. Kështu, meqë Kovaçiç dha dorëheqjen, menduam që t‘ia besojmë atij vazhdimin e punës. Kam besim se do të arrijë të gjejë ekuilibrat e duhur në skuadër dhe se Flamurtari do t‘u kthehet rezultateve pozitive".