E Shtunë, 31 Tetor 2026

Benzema, gjysmë Zidan e gjysmë Kaka

Benzema, gjysmë Zidan e gjysmë Kaka Për të po përdoren krahasime mbresëlënëse... E merr topin si Zidan dhe, kur e zotëron atë, si Kaka. Nuk ju mjafton kaq? Kur shënon, feston duke vrapuar me duart hapur, ashtu si idhulli i tij i të gjitha kohërave, Ronaldo. Ai është Karim Benzema, i cili do të festojë, më 19 dhjetor të këtij viti, 20-vjetorin e lindjes dhe që po e bën të çmendet gjithë Francën. Të gjitha klubet e mëdha të Europës janë vënë në radhën e pritjes, por zbulimi i këtij sezoni i premton besnikëri Lionit, të paktën për momentin. NUMRAT - Statistikat flasin për të. Këtë vit, përfshi kombëtaren, kampionatin dhe kupat e ndryshme, Benzema ka luajtur 34 ndeshje. Ka qenë titullar në 26 prej tyre dhe ka shënuar 20 gola, ku përfshihen dy dygolësh dhe një "tripletë". 12 golat e shënuar në Ligën 1 e bëjnë golashënuesin më të mirë në Francë. Benzema shënon nga çdo pozicion: para portës, nga distanca, nga kënde të pamundura, me kokë, me klas dhe me potencë. Tregon se ka një teknikë të lartë, por, mbi të gjitha, se ka gjakun e "vrasësit" në zonën kundërshtare. Shënon dhe u jep mundësi shokëve të shënojnë, siç ndodhi të mërkurën në Skoci. Në këtë sezon, shtatë gola të Lionit "janë prodhuar" nga këmbët e tij. Shifra të fikshme, që kanë bërë për vete edhe specialistët më të mëdhenj. BESNIKERI - Edhe koha është në anën e tij. 19-vjeçari Benzema mund t'i lërë në listë pritjeje të gjitha klubet e Europës dhe të vazhdojë të rritet me Lionin. (Reali i Madridit, Arsenali, Interi, Milani dhe Bajerni janë interesuar për të). "Kam një kontratë që përfundon në vitin 2012, - tha "djali i artë". - I kam thënë gjithmonë presidentit tim se do të qëndroj këtu derisa Lioni të fitojë Ligën e Kampioneve. Ka kohë për të ndryshuar skuadrën. Kam ende disa gjëra për të bërë me Lionin, pastaj, ku i dihet..." Lioni ka filluar të ëndrrojë dhe, së bashku me të, e gjithë Franca, e cila shpreson të ketë gjetur një tjetër "Zizu", por që shënon gola pafund.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›