E Diel, 1 Nëntor 2026

"Na frymëzoni ose heshtni!"

Nuk e mbaj veten për optimist të zjarrtë. I njoh vuajtjet e kurbetit, urinë, diskriminimin racor si dhe përbuzjen e politikanëve tanë pasi i kam votuar. Këtyre mbresave të helmosura për fat të keq, u bashkëngjiten edhe romuzet helmatisëse që vjellin shpesh intelektualët shqiptarë. Për habinë më të tmerrshme, intelektualët të cilët banojnë në botën perëndimore shprehen me një negativitet nihilist për të ardhmen e Shqipërisë; një pjesë e tyre distancohen duke u përgjigjur me buzë të varura: Aq më bën për Shqipërinë! Shpeshherë i dëgjoj të zbrazin mllefet e tyre ndaj bashkatdhetarëve të tyre të thjeshtë. Keta të fundit, aprovojnë me kënaqësi të hidhur hipotezat e tyre të blozta. Kënaqen kur hidhërimit të tyre u bashkohet edhe ai i burrave të kulturuar, të ditur. Intelektualë! Kudo që jeni, poshtë urave të autostradave apo kthinat e errëta. Kemi nevojë për propagandë të tipit Hoxhist. Nëse dikur altoparlantët hoxhiste oshëtinin parullat lenino-marksiste, sot duhet të oshëtijnë ditë e natë parullat demokratike. Dhe nëse nuk ia arritët ta edukoni popullin tuaj me principet qytetareske në klasat e shkollave, ashtu siç ka hije, bëjeni atëherë kudo që ndodheni: në trena, autobusë, bodrumet e plehrave, shesheve të punës. Na frymëzoni, na e mbushni kraharorin me shpresë, sepse vetëm për shpresë kemi nevojë. Mos u hakmerrni ndaj nesh sepse ju dëbuan (ashtu si edhe ne analfabetëve), ju shporrën me valixhe në duar drejt qiejve të huaj. Mos na e shtoni të paktën veremin. Nëse shpresat iu janë shterur për të na ndriçuar monopatet e së ardhmes, atëherë heshtni! Po, po, heshtni, qani pa zë, dhe mos u prezantoni me ne si intelektualë. Mortja e hëngërt atë intelektual që hakmerret e vajton para analfabetëve! Faleminderit "Shekulli" për këtë mundësi!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›