E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Mos duhet të presim derisa ujku të bëhet qengj?"

Kryeministri i Suedisë, kryesuesi i radhës së Bashkimit Evropian, në unison me liderë të Evropës së Bashkuar bëjnë thirrje të reja, për të pritur lidhur me statusin e Kosovës dhe shpalljen edhe dejure të Pavarësisë së saj. Të presim... të presim... të presim! Të presim derisa Serbia të kryejë zgjedhjet parlamentare... të presim derisa Serbia të krijojë qeverinë... të presim derisa Serbia të kryejë zgjedhjet presidenciale... të presim, të presim thotë Evropa e Bashkuar. Deri kur!? Edhe durimi kinez e ka një kufi! Evropa e Bashkuar ka vendosur ta zëvendësojë këtë durim legjendar aziatik me durimin evropian edhe si term politik. Jo pse jemi të paduruar ne shqiptarët, sidomos në Kosovë. Provat e durimit të shqiptarëve nën thundrën e sundimit terrorist serb janë të tejkaluara me shumë sukses në dekadën e kaluar 1990- 1999! Durim stoik ndaj një barbarie stoike në llojin më të egër të saj, që arriti kulmin me dëbimin e një populli të tërë nga shtëpitë e trojet e veta në një eksod që tronditi mbarë botën! Edhe sa palë zgjedhje serbe duhet të presin shqiptarët që të arrijnë atë çka u takon: Pavarësinë e Kosovës! Mos vallë derisa Shesheli, krahu i djathtë i Millosheviçit të zgjidhet President i Serbisë, ashtu sikurse partia e tij fitoi shumicën e votave në zgjedhjet e fundit parlamentare?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›