E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beograd, serbët ndalojnë çeljen e ekspozitës kosovare

E paralajmëruar si rast i mirë që artistët dhe punonjësit e kulturës të bisedojnë për artin, kulturën dhe shoqërinë e Kosovës, për analizimin e disa fakteve që njeriu mesatar i Serbisë deri tani nuk ka guxuar ose nuk ka dëshiruar t'i dijë, si dhe për të hedhur më shumë dritë në relacionet artistike e kulturore midis Serbisë dhe Kosovës, ekspozita e piktorëve të rinj kosovarë nuk e përjetoi as çeljen, - thotë gazetari i BBC-së, Seladin Xhezairi. Në fakt, rreth një orë para hapjes, pjesëtarë të një organizate ekstremiste me emrin Obraz hynë me forcë në mjediset e galerisë duke copëtuar pllakatin e komandantit të UÇK-së, Adem Jashari. Me gjithë ndërhyrjen e policisë, kjo nuk e pengoi një grup pjesëtarësh të kësaj organizate të prishnin ceremoninë e hapjes. Njëri prej pjesëtarëve të organizatës me një gur në dorë qortoi organizatorët duke i cilësuar veprat e piktorëve të rinj nga Kosova si artistikisht të pavlefshme dhe si turp për Beogradin e Serbinë. Ai po ashtu para të pranishmëve akuzoi shqiptarët se me gurë po gjuajnë serbët në Kosovë, saktësisht në lokalitetin Hoçë të Madhe, nja 30 kilometra në veriperëndim të Prizrenit. Veprimet dhe pretendimet e tij u kundërshtuan nga organizatori dhe disa pjesëmarrës të tjerë, por u mbështetën nga një grup bashkëmendimtarësh të tij. Ekspozita e piktorëve nga Kosova para Beogradit ishte e hapur dy javë edhe në qytetin e Novi Sadit në Vojvodinë, por edhe atje, megjithëse nuk pati incidente si ky në Beograd, u prit me kritika nga qarqe të caktuara, jo artistike. Ndërkohë që punimet e tyre nga kritikë të artit në Perëndim janë cilësuar si avangardë e Ballkanit. Kohë më parë, paraqitja e aktores së mirënjohur serbe Mirjana Karanoviq në rolin e nënës shqiptare në një film të huaj, hasi në kritika të ashpra nga disa bashkëkombas të saj. Ndërkaq, artistë të paktë nga Shqipëria që kanë qëndruar në kryeqendrën serbe nuk janë larguar që këtej me ndonjë përvojë kaq të hidhur.
(BBC)

9 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›