E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kadiu dhe Toromani, të ftuar specialë në Panairin e Dancit

Festivali më i madh botëror në llojin e vet do të organizohet më 21-24 shkurt në Itali
“Nëse kur dëgjon një muzikë tërheqëse nuk mund ta përmbash dot veten, është fati yt që më 21 – 24 shkurt 2008 do të zhvillohet Panairi i Dancit, evenimenti më i madh në rang botëror, i cili i dedikohet botës së dancit dhe vallëzimit”, - kështu shkruan një e përditshme italiane në faqen e saj të internetit, duke vijuar më tej se në këtë aktivitet të rëndësishëm do të jenë të pranishëm për t’u mësuar të ftuarve kërcimin dhe teknika të ndryshme emrat më të spikatur të dancit italian e atij europian. Natyrisht që duke thënë këtë vetëkuptohet se në radhën e parë të këtyre të ftuarve specialë nuk ka se si të mungojë artisti shqiptar Kledi Kadiu. Madje bëhet e ditur se ai do të shoqërohet nga balerina tjetër e njohur në Itali Anbeta Toromani. Atmosfera pritet të jetë tepër e veçantë, me kërcime, party, muzikë, të ftuar specialë, gara, si dhe përfaqësues të shquar të teatrove të operave më në zë të Italisë, të cilët marrin pjesë për herë të parë në këtë eveniment. Ndër këta teatro do të jenë “L’Opera di Roma”, “L’Arena di Verona”, “Il Teatro Massimo di Palermo” dhe “Il San Carlo di Napoli”. Më tej, në lajmin e publikuar nga e përditshmja italiane thuhet: “Veç pjesëmarrjes së jashtëzakonshme të Kledi Kadiut e Anbeta Toromanit, do të jetë i pranishëm në jurinë e konkursit ‘Expression 2008’ Steve La Chance, Raffaele Paganini, Vladimir Derevianko etj”. Të ftuar të tjerë që vijnë direkt nga kultura moderne do të jenë Juliana Moreira e Sloggi. E jo vetëm kaq, festës i shtohet një panel tjetër më vete, i cili do t’i dedikohet magjisë së “Disney Channel”, duke mësuar të apasionuarit të kërcejnë ekskluzivisht koreografitë e “High School Musical 2”, që është dhe filmi kult i një gjenerate të tërë adoleshentësh në të gjithë botën. Ndërkaq kanë përfunduar përgatitjet edhe për edicionin e dytë të “Musical Day”, që është konkursi më i madh kombëtar në Itali përsa i përket botës së muzikalit. Por Panairi i Dancit në Itali do të krijojë edhe hapësira të tjera me panele të ndryshme kërcimi. Për të gjithë ata që brenda tyre kanë më tepër dëshirë për ritmin dhe kërcimin energjik sesa për pjesët romantike, atëherë nuk duhet humbur “Street Fighters... vvho’s the best hip hop dancer!?”.
P.GROSI

9 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›