Redi Jupi: “Fusha dhe ekrani, dashuritë e mia”
Këpucët varen në gozhdë. Një kampion më pak në fushën e blertë. Një emër më shumë që hyn në panteonin e legjendave të futbollit shqiptar. “Ju falënderoj të gjithëve për pjesëmarrjen. Ju kam thirrur për t’ju njoftuar largimin tim përfundimtar nga futbolli i luajtur. Kam një vit që nuk aktivizohem dhe pata arsyet e mia shumë të forta që e mora këtë vendim”, - tha Redi Jupi në fillim të fjalës së tij që tani e tutje do të konsiderohet një ish-futbollist. “Unë bëra çdo përpjekje që të rikthehesha pas operacionit që bëra në qershor, por rezultoi e pamundur. Mendova të rikthehesha dhe për dy muaj me punë e stërvitje intensive u përpoqa që të rikthehem por nuk munda, përpjekjen e fundit e bëra. Futbolli është një sport që kërkon shumë punë dhe pasion mbi të gjitha dhe nëse diçka të mbetet në vetvete e parealizuar, kjo të lë pasoja edhe më pas në jetë. Unë bëra gjithçka që të rikthehesha përsëri. Unë bëra gjithçka, por janë disa gjëra që varen nga sipër nesh dhe nuk janë në dorën tonë. Kavilja nuk më qëndroi besnike, nuk m’u përgjigj, nuk më mbajti më dhe mendova që t’i jap stop përfundimisht futbollit të luajtur”. Por, a i ka ngelur ndonjë peng ish-lojtarit të Kombëtares kuqezi? “Unë mendoj se kam dhënë dhe besoj se kam marrë aq sa kam dhënë. Asnjëherë nuk mund të marrësh më shumë se atë që jep në futboll. Unë aq sa dhashë po aq edhe mora në futboll”. Si çdo futbollist, 33-vjeçari Redi ka momentet e tij më të mira në futboll. “Momenti më i mirë i karrierës ka qenë titulli kampion me Dinamon më 2002-shin. Ky është kulmi i karrierës nga ana e sadisfaksionit moral, ndërsa nga ana profesionale momentet më të mira kanë qenë tre vitet e mia në Turqi të cilat ishin kurorëzimi i mundit dhe i sakrificës. Koha në Turqi ishte e kompletuar nga të gjitha anët, profesionale, morale e materiale”, - tha Jupi.
Ish-futbollisti i Tiranës provoi edhe një karrierë të shkurtër si trajner me Dinamon para një sezoni, kur bënte njëkohësisht edhe lojtarin. “Unë futbollin e luajtur e provova. Po ashtu edhe të drejtoj e bëra. Posti i trajnerit nuk hyn shumë te pasioni im e qejfet e mia. Nuk do të vazhdoj si trajner. Unë e kam shumë të vështirë të largohem nga futbolli, sepse jam marrë gjithë jetën me këtë punë. Futbolli ka qenë pasioni më i madh i jetës sime dhe nuk mund të shkëputem përfundimisht edhe pse sot (dje)po i jap lamtumirë futbollit të luajtur”, - tha lojtari që vazhdon studimet në Fakultetin Juridik. Kombëtarja është një temë më vete për Jupin. “Kombëtarja ka qenë një dashuri e pa korresponduar me lënia me pajtime me largime. Një eksperiencë mjaft e vështirë. Unë falënderoj trajnerin Brigel që për një vit e gjysmë të punës së tij më ka grumbulluar rregullisht në ekip dhe më dha mundësinë që të kisha një vazhdimësi në Kombëtare. Për një vit e gjysmë eksperiencë në Kombëtare mendoj se e hoqa merakun dhe dhashë atë që munda në ekip”, - tha Jupi. Tashmë ish-lojtari bën edhe prezantuesin e “Rubrikës Sportive” në Televizionin Shqiptar. A është e vështirë? “Të dyja këto kanë vështirësitë e veta. Të dy janë profesione mjaft të vështira. Fusha ka impenjim më shumë fizik, ekrani më shumë impenjim intelektual”.
9 Shkurt 2008