E Diel, 1 Nëntor 2026

Si u “pushtua” Shqipëria nga 3000 civilë dhe ushtarakë rusë në vitin 1950

Gazeta amerikane rrëfen në detaje se si u zëvendësuan misionet jugosllave me misionet civile dhe ushtarake sovjetike në nëntorin e vitit 1950. Marrja nën drejtim e ushtrisë dhe e strukturave të Komitetit Qendror dhe të aparatit qeverisës
M.S. Handler

BEOGRAD – Shqipëria është sot ndoshta vendi më i pakalueshëm në të gjithë Europën. Madje, lëvizjet e të huajve brenda vendit janë më të pakta sesa ato në Bashkimin Sovjetik. Agjentët e paktë diplomatikë të vendeve të Perëndimit janë kufizuar vetëm në Tiranë. Përjashtim ka për rastet e punonjësve të Fondit të Emergjencës së Organizatës Ndërkombëtare për Fëmijë të Kombeve të Bashkuara pasi turistët e huaj perëndimorë nuk janë lejuar të hyjnë në Shqipëri që në kohën e përjashtimit të Partisë Komuniste Jugosllave nga Cominform-i në qershor të vitit 1948. Megjithatë, pjesë të rastësishme të informacionit kanë qenë bërë publike dhe në bazë të këtij informacioni është e mundur të skicohen konturet kryesore të situatës së sotme në Shqipëri. Këtu duket të mos ketë më asnjë dyshim më shumë se Cominformi ka shpenzuar shumë që regjimi i Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut të konsolidohej për të organizuar forcën politike që të përballojë sfidat; domethënë që të ndryshojë segmenti i Partisë Komuniste, i cili deri tani ndoqi shembullin jugosllav. Varjet dhe vrasjet në të gjitha pjesët e Shqipërisë asgjësuan të gjithë komunistët që dolën kundër Cominformit, të cilët nuk arritën të arratiseshin jashtë vendit në atë kohë. Qeveria mbylli skemat për të shmangur të gjitha lidhjet midis diplomatëve jugosllavë dhe personave të rëndësishëm dhe gjithashtu, duke vështirësuar jetën për jugosllavët, lidhjet diplomatike të të cilëve praktikisht ishin mbyllur.
Zëvendësimi i personelit sovjetik Eliminimi i jugosllavëve që kishin uzurpuar pozicione të larta në Shqipëri në prag të thyerjes së Cominform-it ishte shoqëruar me zëvendësimin e personelit civil dhe ushtarak të ardhur nga Bashkimi Sovjetik. Inxhinierët ishin duke ndërtuar hekurudhat, rrugët dhe fabrikat në Shqipëri. Një mision ushtarak jugosllav ndihmoi që të riorganizojë ushtrinë shqiptare. Qeveria jugosllave kishte dhënë hua në formë parash dhe ndihmash te qeveria shqiptare. Gjithashtu, qeveria jugosllave kishte ndërmarrë iniciativën që të furnizonte shqiptarët me ushqime në vitet e para pas përfundimit të luftës.
Bashkimi Sovjetik e mbushi vakuumin që solli largimi i jugosllavëve që ishin dëbuar në masë nga qeveria e Tiranës pas rezolutës së Cominformit. Oficerët e ushtrisë sovjetike nisën të mbërrinin me anijet e tyre, të cilat u ankoruan në portin e Vlorës.
Këta oficerë përgatitën një mision ushtarak në Tiranë dhe oficerë të lartë rusë ishin shpërndarë që nga nivelet më të ulta të Ushtrisë Shqiptare e deri në nivel batalioni. Të gjitha manovrat ushtarake ishin mbajtur nën kontrollin e oficerëve sovjetikë.
Mbërritja e ekspertëve civilë
Ekspertët civilë ruse, që mbërritën në Shqipëri, ishin të ndarë në dy kategori: ata ishin zyrtarë partiakë të lartë, të cilëve u ishin dhënë funksione kontrolluese në Komunitetin Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare. Ata kishin për qëllim që të kryenin spastrimin e anëtarëve projugosllavë në Partinë Komuniste Shqiptare. Zyrtarëve partiakë bolshevikë u ishte dhënë detyrë, gjithashtu, që të kontrollonin administratën qeverisëse kryesore që të bëhej e sigurt në besnikërinë ndaj qeverisë për shërbimet civile.
Kategoria e dytë e ekspertëve civilë rusë ishin inxhinierë dhe teknikë që kishin për detyrë të zhvillonin dhe integronin, sipas nevojave, ekonominë shqiptare me atë ruse. Për shembull, ata ndërmorën hapin për ndërtimin e një naftësjellësi drejt Portit të Vlorës dhe nisën shpimet në shumë fusha ku mendohej se kishte naftë.
Masat paraprake të sigurisë
Të gjithë thonë se sipas një përllogaritjeje ndodhen rreth 3000 oficerë dhe civilë rusë që po merren me ndryshimin rrënjësor të Shqipërisë. Rusët pastaj punuan me rregulloret e sigurimit që kishin nën zotërim. Lëvizja për te Porti i Vlorës ishte kufizuar dhe nuk ishte bërë e mundur që shumë persona të pajiseshin me lejekalimi. Vetëm persona të autorizuar lejoheshin të qëndronin afër portit, ku anije ruse qëndronin të ankoruara, me ose pa ngarkesë.
Është e vështirë të vlerësoje qëllimet ushtarake ruse në Shqipëri, sipërfaqja e së cilës është vetëm 10 629 milje katror. Por është e vështirë gjithashtu që të besosh se qeveria sovjetike mund ta transformojë Shqipërinë në një bazë të rëndësishme ushtarake kundër Jugosllavisë dhe Greqisë për arsyen e thjeshtë se popullsia e Shqipërisë, që përllogaritet në rreth 1.175.000 banorë, është shumë e vogël për të realizuar një qëllim të tillë.
Megjithatë, Shqipëria i ka vlerat e saj si një vend për intriga politike dhe si një qendër për veprim armiqësor kundër Jugosllavisë dhe Greqisë. Pjesë e dështimit të forcave komuniste greke ishte zmbrapsja në thellësi të Shqipërisë dhe më vonë transferimi i tyre drejt Bullgarisë. Propaganda aktive anti-Jugosllave në rajonin e Kosovë-Metohisë është e drejtuar nga Shqipëria. Ndodhen të gjitha arsyet që të besohet se vetëm Cominform-i është gati të nxisë një tjetër luftë civile në Greqi, mjafton të vijnë nga Shqipëria disa nga të ashtuquajturit rebelë.
Standardet e ulëta të jetesës
Rusët kanë qenë në gjendje të “organizojnë” ekonominë kombëtare të Shqipërisë për qëllimet e tyre vetjake. Por, gjithashtu, përpjekjet e tyre kanë patur sukses në uljen e ndjeshme të standardeve të jetës së shqiptarëve, të cilat ka mundësi që të jenë më të ulëtat në të gjithë Europën.
Sipas informacioneve të sigurta, ndodhen shumë pak ushqime në vend dhe akoma më pak konsumohet. Megjithatë, misionet e Bashkimit Sovjetik kujdesen për furnizimin e një serie magazinash me një seri mallrash të ndryshme, të blera në Perëndim, për llogari të qeverisë shqiptare. Ndryshimi midis standardit të jetesës së misioneve ruse dhe popullsisë vendore është i ngjashëm me atë që ka ekzistuar midis administratorëve kolonialë dhe popullsisë afrikane rreth 50 vjet më parë. Madje, duhet veçuar fakti se shtetet afrikane ishin më në gjendje që të hanin. Sidoqoftë, mbetjet e opozitës që ndodhen sot në Shqipëri janë zhvendosur në rajonet malore të vendit. Madje, pjesa më e madhe e kapove të fiseve të pavarura janë ndjekur këmba-këmbës. Çdo rezistencë kundër qeverisë qendrore ishte ndëshkuar me rreptësinë maksimale, përmes varjeve dhe vrasjeve. Ka një shpresë të vogël se pa një mbështetje, populli shqiptar të mund të sfidojë fuqinë e sunduesve të tyre të Cominform-it, të cilëve teknikat e dhunës u sigurojnë pastaj një zgjatje të ekzistencës së tyre.

Shkrimi është publikuar në “The Neë///////// York Times” më 17 nëntor 1950
Titulli është redaksional
Përgatiti: Albert Gjoka

Në numrin e ardhshëm do të lexoni:

Si u bë kolektivizimi sipas modelit rus në Shqipërinë e viteve ‘50

Gazeta amerikane sjell në detaje sjelljen e modelit të kooperativave bujqësore në Shqipëri

Si u bë kolektivizimi dhe iu mor toka e prona shtresave të ndryshme të popullsisë

Modelet e tjera në vendet e Europës Lindore që nisën të zbatonin rusët për të realizuar këtë skemë

Për më shumë, na ndiqni në numrin pasardhës

9 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›