Bandat stërviteshin në kampe rekrutimi
Shkrimet e gazetës “Zëri i popullit” të korrik-dhjetor 1950
“Vendimi u dha”. Me këtë titull është hapur gazeta “Zëri i popullit” e datës 1 korrik 1950. Kur kryetari i gjyqit të popullit lexonte vendimin duke shqiptuar dënimin me vdekje për tre spiunët diversantë, krimineli Et’hem Çako dhe banda e tij u verdhën në fytyrë, pështyma u mbeti në gurmaz. Të egërsuar bishat me fytyrë njeriu shikonin popullin që duartrokiste dhe aprovonte dënimin e rreptë dhe të drejtë të drejtësisë së popullit.
Vendimi
Dje ishte fjala e fundit e të pandehurve. Spiunët kriminelë dolën përpara mikrofonit dhe me zërin e tyre monoton kërkuan mëshirë. Mbrojtja e të pandehurve përmendi rrethana lehtësuese, por për çfarë mëshire dhe rrethane lehtësuese mund të flitet për kriminelë dhe spiunë të tillë si Et’hem Çako, Kasem Zhupa dhe Llukman Lutfiu? A mund të kihet mëshirë për kriminelin Et’hem Çako, që i ka duart të lyera me gjak gjer në bërryl, që ka kryer vrasje në masë dhe ka therur njerëz me thikë, që si ballist i ndyrë ishte bërë tmerri i popullsisë së pafajshme të Sarandës dhe Delvinës? Janë të gjalla nënat, motrat, gratë e veja, të cilave krimineli ballist Et’hem Çako u ka vrarë djemtë, vëllezërit dhe burrat. Janë të gjallë fëmijët që ky bandit u ka futur llahtarin. Për çfarë mëshire mund të flasin këta spiunë diversantë, të veshur nga koka në këmbë me rroba dhe këpucë amerikane, të pajisur me material amerikan për akte banditizmi kundër popullit tonë? Këta janë spiunë të ndyrë të imperializmit, vrasës dhe kriminelë ordinerë. Në fytyrat e kriminele të Et’hem Çakos dhe bandës së tij janë vizatuar tradhtarët e Ballit Kombëtar, Legalitetit, të Partisë Agrare dhe tërë llumi i tradhtisë e i trupit. Në këto fytyra janë vizatuar padronët e tyre, imperialistët amerikano-anglezë dhe satelitët e tyre, fashistët e Romës, monarko-fashistët e Athinës, trockistët fashistë të Beogradit. Vendimi i gjyqit kundër kësaj bande kriminele nuk ishte vetëm dënimi i rreptë kundër këtyre kriminelëve, por ishte njëkohësisht dënimi i gjithë tradhtarëve të vendit tonë, që nga Hasan Dosti e tek Ahmet Zogolli, që nga Abaz Kupi e tek Ali Këlcyra, Mustafa Kruja, Kol Bibë Mirkaj etj. Vendimi i gjyqit ishte një dënim i rëndë moral për imperialistët amerikano-anglezë dhe për shërbëtorët e tyre, që përdorin lloj-lloj provokacionesh dhe komplotesh për të përmbysur Republikën Popullore të Shqipërisë. Ndërsa kryetari i gjyqit vazhdonte të lexonte vendimin kriminelëve iu dridheshin këmbët. Le të dridhen spiunët dhe kriminelët. Dhe jo vetëm ata, por të gjithë padronët e tyre, spiunët e vjetër të Gestapos, të spiunazhit amerikan, Hasan Dosti, Vasil Andoni etj. Se do t’u vijë koha edhe atyre kryebanditëve dhe kriminelëve ordinerë që të japin llogari përpara popullit, ashtu siç dha Et’hem Çakoja dhe banda e tij. Mercenarët e imperializmit, banditët dhe fashistët shqiptarë, që po kullosin nëpër grazhdet amerikane dhe angleze, le të mësojnë mirë nga ky gjyq se demokracia jonë popullore do t’u shtypë kokën armiqve dhe tradhtarëve. Ata po të duan le të dërgojnë spiunë dhe diversantë në tokën tonë për të kryer akte kriminale dhe spiunazhi, për të përmbysur Republikën tonë Popullore; por ata do të përmbysen vetë, ashtu siç ndodhi me bandën e Et’hem Çakos; le të dërgojnë po të duan kriminelë, spiunë për të vrarë popullin tonë, por ata le të dërgojnë po të duan kriminelë spiunë për të vrarë popullin tonë, por ata do të vriten dhe do të varen nga vetë populli. Banditi kriminel Et’hem Çako u gjykua dhe u dënua vetëm si ballist për aktivitetin e tij kriminal dhe tradhtar në të kaluarën, por u gjykua dhe u dënua si spiun i vjetër dhe i regjur i imperializmit amerikan dhe i fashizmit italian, si diversant dhe vrasës i poshtër i dërguar nga spiunazhi amerikan dhe i hedhur në tokën tonë me aeroplan italian.
Fakte
Po kështu u dënuan dhe u gjykuan shokët e tij. Kriminelët kërkonin mëshirë, paraqisnin shkaqe lehtësonjëse, por harruan se kur u hodhën si diversantë në vendin tonë dhe kur u rrethuan nga populli heroik Kurveleshit, shtinë me armë amerikane për të vrarë popullin, ashtu siç i kishin udhëzuar ustallarët e tyre. Ata nuk duan të kujtojnë faktin se po të mos ishte vigjilenca revolucionare e popullit tonë, po të mos ishin kapur nga forcat e tij, ata do të transformoheshin në një bandë spiunazhi kundër integritetit, independencës dhe interesave jetike të popullit tonë. Gjatë gjyqit Et’hem Çako dhe shokët e tij përmendën emra të ndryshëm të maestrove të tyre, armiq të vjetër të popullit shqiptar, që imperializmi amerikan i ka caktuar me misione të posaçme kundër pushtetit tonë popullor. Banda e Et’hem Çakos bënte pjesë në këtë tabor spiunësh dhe vrasësish. Ata janë pjesë e pandarë nga këta banditë, janë pararoja për të realizuar dhe për të shtënë në vend vendimet e amerikanëve, anglezëve, fashistëve të De Gasperit, monarko-fashistëve të Plastirasit dhe të fashistëve të Titos. Me interesim të madh e priti gjithë populli vendimin e gjyqit kundër kësaj bande. Salla e gjyqit ishte plot. Altoparlantët dëgjoheshin nga masa të gjëra të popullit. Nga zemrat e mbarë popullit shqiptar buçisnin fjalët: “Vdekje për spiunët dhe tradhtarët”. Urrejtje, urrejtje e fortë kundër armiqve dhe diversantëve. Vendimi u dha: “Dënim me vdekje për të tre spiunët”. Salla buçiti nga duartrokitje të pareshtura. Ishte aprovimi unanim i popullit tonë për dënimin kapital të këtyre banditëve. Motra e dëshmorit Shyqyri Ishmi dhe nëna e dëshmorit Manastirliu iu afruan bankës ku qëndronin kriminelët. Ato shprehën urrejtjen që ndjenin për këta banditë: “Një litar kriminelët. Këta na vranë djemtë dhe vëllezërit tanë, kur shkonin krah për krah me gjermanët; këta erdhën përsëri për të na vrarë dhe gjakosur, por s’do t’ju lëmë të gjallë o tradhtarë”. Ishin me të vërtetë momente prekëse. Në ato çaste, çdo njeriu që dëgjonte këto fjalë dhe i shikonte fytyrat e kriminelëve, i ngjethesh trupi, i shtohej urrejtja dhe për një çast përfytyronte të kaluarën, krimet e tyre të shëmtuara dhe qëllimet e poshtra të këtyre banditëve kundër popullit tonë trim dhe paqedashës. Masat punonjëse të vendit tonë e ndoqën me interesim të madh këtë gjyq. Ky gjyq na mësoi të gjithëve se është e nevojshme dhe e domosdoshme që të jemi të pamëshirshëm kundër intrigave të imperializmit, kundër agjentëve dhe spiunëve. Kuptuam akoma më mirë se imperializmi është gati për çdo gjë që është e keqe për popullin tonë dhe se mundohet të përdorë mënyrat më të poshtra dhe më të pabesa për të rivendosur në Shqipëri sundimin e skllavërisë, regjimin fashist. Dënimi i kësaj bande është një goditje e rëndë që u jepet nxitësve të luftës dhe gjithë agjentëve të tyre, është një forcim i bashkimit të popullit tonë në kampin e paqes. Dhe kur është çështja për mbrojtjen e paqes nuk ka asnjë mëshirë për spiunët e ndyrë të imperializmit.
Box
Shtimi i radhëve dhe përgatitjet e “Kompanisë 4000”
Në këtë numër, nëpërmjet dokumenteve arkivore dhe kujtimeve të ish-pjesëtarëve të “Kompanisë 4000”, sillen detaje rreth përgatitjeve të efektivave të “Kompanisë 4000” në Gjermani e Greqi, si shtoheshin radhët, komanduesit, kontingjenti i saj si dhe objektivi për rrëzimin e komunizmit në Shqipëri me çdo kusht.
Oficeri Adem Gjurra ishte drejtuesi i parë i formacionit luftarak “Kompania 4000”, që nisi serinë e desantimeve në Shqipëri me synim rrëzimin e komunizmit.
Lordi britanik, Nikolas Bethel, autor i librit “Tradhtia e madhe”, mes të tjerave i shkruan familjes së Adem Gjurrës, me rastin e vdekjes së Ademit: “Adem Gjurra ishte shqiptari më i guximshëm dhe më trimi nga të gjithë shqiptarët që u përpoqën të çlironin vendin e tyre nga komunizmi në vitet 1949-1953”. Bethel në këtë libër Ademit i kushton rëndësinë maksimale jo vetëm për faktin se e përshkruan aktivitetin e tij gjerësisht, por fotoja e tij gjendet në disa faqe të librit dhe në kopertinë, e ajo radhitet menjëherë pas fotove të Zogut dhe Hoxhës e para fotos së Hamit Matjanit.
Box
Terreni i “minuar” për grupimet desante
Mark Dodani, ish-ushtarak i lartë i Shërbimit Inteligjent Shtetëror, një nga të infiltruarit mes grupimeve kundërshtare atë kohë, dështimin e misionit të “Kompanisë 4000” e shpjegon: “Veçanërisht vitet 1949-1953 kanë qenë tepër të vështira dhe për faktin e dhimbshëm të përballjes së armatosur mes shqiptarëve. Nga njëra anë grupe nacionalistësh, të arratisurish, të pakënaqur e deri kundërshtarë të betuar të regjimit të pasluftës në Shqipëri, të përgatitura në kampe të njohura të Perëndimit, me mbështetjen dhe të qarqeve të caktuara Perëndimore e shërbime të veçanta të tyre, që u hodhën kryesisht nga ajri, ranë në “grackën” e vigjilencës e gatishmërisë së forcave të ndjekjes dhe të reparteve të ushtrisë shqiptare. Ndërsa fati i dështimit të misionit të tyre, më tepër sesa për raportet e forcave, lidhet dhe me strategjinë e infiltrimit të specialistëve tanë të Shërbimit Inteligjent Shtetëror mes radhëve të tyre në kampet e përgatitjes, në drejtimin e grupimeve të tyre e deri në kontrollin e komandimin e ndërlidhjes, si dhe informacioni i ndërsjellë me shërbimet aleate për përgatitjen dhe misionin e grupimeve të armatosura të përgatitura jashtë vendit”.
Box
Dështimi i misionit
Misioni i zbarkimeve të njësisë së armatosur “Kompania 4000”, me gjithë kontingjentin e saj, përgatitjen e gjatë, sipas dëshmitarëve dhe dokumenteve të kohës, nuk do të ishte i gjatë e do të rezultonte i dështuar. Sipas dokumenteve të kohës e dëshmitarëve, dështimi i misionit (rrëzimi i komunizmit në Shqipëri), sigurisht me një kosto mes palëve kundërshtare, ka një sërë shkaqesh e arsyesh. Por për grupimet nacionaliste e kundërshtarët e regjimit komunist në Shqipëri, shkak kryesor për dështimin e këtij misioni, mbetet loja e Sigurimit Shqiptar dhe e disa shërbimeve të tjera Europiane. Adem Gjura, një prej drejtuesve të “Kompanisë 400”, për këtë dështim pohon: “Duhet të ketë pasur patjetër rrjedhje informacioni drejt palës shqiptare (strukturave të shtetit), është e vërtetë, por ama vetëm Filbi mund t’u kishte dhënë atyre në detaje emrat, datat dhe vendet e operacionit”. Ky është konkluzioni që pasqyrohet nga Bethel në librin e tij “Tradhtia e madhe”. Sipas dokumenteve zyrtare dhe dëshmitarëve, zbarkimi i Hamit Matjanit e Zenel Shehut, të cilët u bënë preja dhe gjahu i Sigurimit të Shtetit (që u quajt dështimi i madh nga drejtuesit e grupimeve të armatosura të përgatitura në Perëndim), shënoi dhe dështimin e plotë të misionit të “Kompanisë 4000”. “Duhet të ketë pasur patjetër rrjedhje informacioni drejt palës shqiptare (strukturave të shtetit), është e vërtetë, por ama vetëm Filbi mund t’u kishte dhënë atyre në detaje emrat, datat dhe vendet e operacionit”. Ky është konkluzioni që pasqyrohet nga Bethel në librin e tij “Tradhtia e madhe”.
Pergatiti: Matilda Arapi
9 Shkurt 2008