ZMQ-ja, letër Berishës: Ja 25 propozimet antikrizë
Kreu i Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorëve, Altin Goxhaj, bën publik propozimin.Botohet e plotë letra që përfshin dhe problemet më imediate që ka Shqipëria sipas ZMQ-së
Jonida Tashi
Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorëve i ka dërguar dje një letër të hapur kryeministrit të vendit Sali Berisha në lidhje me vendimet më të fundit që ka marrë qeveria për çmimet në treg. Drejtori i kësaj zyre, Altin Goxhaj, në letrën e tij i ka pasqyruar kryeministrit gjithçka po ndodh aktualisht me çmimet në treg dhe ka kërkuar nga qeveria marrjen e masave të menjëhershme për ta zgjidhur këtë situatë. Sipas tij, duke qenë se shteti është avokati i konsumatorit në të gjithë botën është pikërisht ai instrumenti kryesor që duhet të ndërhyjë në një situatë të tillë.
Gjithashtu, Goxhaj i ka rekomanduar kryeministrit 25 masat neokejnesianiste kundër varfërisë. Gazeta “Albania” po publikon në numrin e sotëm letrën e plotë që Altin Goxhaj i ka adresuar kryeministrit.
Letër e hapur drejtuar Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Sali Berisha
Dërgon: Altin Goxhaj, drejtor i Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorëve
Tiranë, 7 Shkurt 2007
25 Masa Kejnsianiste Antikrizë
I Nderuar Zoti Kryeministër!
KRIZA DHE ALTERNATIVA E URISË
Çdokush tashmë e kupton se situata e çmimeve në treg po bëhet përherë e më e rëndë dhe tendenca e rritjes po e vendos një pjesë të popullsisë përballë një alternative të sigurt varfërimi ndërkohë që për një kategori edhe më të varfër dhe jo të vogël (rreth gjysmë milioni shqiptarë), alternativa është URIA!
Mesa duket, të blesh bukë do të kthehet në një makth, të blesh vaj do të thotë të blesh aq sa për t’i marrë erë, të furnizosh makinën me karburant është si të detyrohesh të bëhesh ambientalist me zor, të paguash energjinë elektrike është si të dorëzosh të tretat tek feudali, të blesh ilaçe është si të urresh sëmundjen tënde dmth veten pse je sëmurë, të përballesh me fatorinon e autobusit urban është si një déjàvu e përballjes me skafistin që të hedh në ujë … pranë bregut! Por mbi të gjitha, alternativa e bukës lidhet ngushtësisht me alternativën e urisë, sepse buka për shtresat e varfëra është baza e frymëmarrjes së ekzistencës!
SËMUNDJA E ÇMIMEVE SI PATOLOGJI E LIRISË SË TREGUT
Ditë më parë, Shqipëria u rendit në një top listë botërore të lirisë ekonomike, fakt që u vlerësua herë me entuziazëm dhe herë me dyshim nga politika, por vetëm ndokush e konsideroi si një lajm të keq! Sepse, siç u etiketua nga prof. Artan Fuga, tregu nuk duhet të ketë shumë liri, as shumë dhe as pak, por vetëm aq sa duhet!
“Dora e Fshehtë, e Zgjuar dhe e Verbër” e tregut duket sikur është çmendur fare! Logjika neolibersite e tregut është gjithmonë një Logjikë e Çmendur nëse nuk funksionon Logjika e Shtetit. Dhe logjika e shtetit duket e paaftë për të vepruar. Çmenduria e çmimeve është vetëm pasoja e domosdoshme e shkakut të lirisë së tregut sepse çdo treg pa shtet është një treg që shkon vetvetiu drejt monopoleve, oligopoleve, marëveshjeve të fshehta dhe gjysmë të fshehta dhe, mbi të gjitha, një treg që realizon vetëm një objektiv, një qëllim, një ideal: të shesë sa më shtrenjtë që të jetë e mundur. Besimi i verbër ndaj “dorës së fshehtë” të tregut është sikur të jesh i verbër dhe t’ia besosh ecjen tënde një të verbëri tjetër! Por ajo që ndodh gjithmonë, herët a vonë, është se 2 nga këta të verbër (shteti dhe konsumatori) e humbin njëri-tjetrin dhe KONSUMATORI ngelet në mes të katër rrugëve i vetëm dhe i kapur për dore pas TREGUT, i cili pa SHTETIN është si një Ujk që i është lënë të ruajë Delet!
Ditë më parë, qeveria deklaroi se shteti nuk mund të bëjë asgjë sepse nuk ka të drejtë të ndërhyjë në treg. Shteti ngriti duart lart sepse nuk ka të drejtë të cenojë lirinë ekonomike! Në fakt, besimi në lirinë ekonomike është një ideal i bukur por i parealizueshëm kur dhe rruga që zgjedh për ta arritur është vetë liria! Liria për lirinë është mungesë lirie! Sepse liri e tregut do të thotë liri nga ndërhyrja e shtetit, liri nga rregullimet shtetërore, liri nga çdo prezencë shtetërore në treg! Kjo është formula neoliberiste aq e reklamuar nga liberalët shqiptarë dhe nga neoliberalët perëndimorë! Dhe përfundimi është një rritje e pandalshme e çmimeve sepse ideali i konkurrencës ia lë vendin idealit të fitimit nëpërmjet marrëveshjes së heshtur të kujtdo që mund të fitojë më shumë duke respektuar dëshirën e konkurrentit që po ashtu kërkon të fitojë më shumë! Dhe të bësh marrëveshje të heshtura në kohën e sotme, kur komunikimi dixhital apo i drejtpërdrejtë është më i mundshëm se kurrë (edhe sepse biznesi po organizohet në shoqata), tashmë është më e lehtë se kurrë. Në fakt edhe pa folur, duke heshtur, instinkti i tregtarit e udhëheq atë drejt një rritjeje të heshtur çmimesh. Në fakt, të pasurit janë më inteligjentë se të tjerët prandaj dhe janë të pasur. Ata janë qytetarë bashkëpunues dhe tolerantë, pjesëtarë inteligjentë të një komuniteti të zhvilluar, shumë ndryshe nga komuniteti i qytetarëve apo banorëve të pallatit kur as për të paguar pompën e ujit të shkallës nuk merren vesh. Komuniteti i biznesit është një komunitet racional ndaj dhe e kanë të thjeshtë të merren vesh edhe pa folur për rritjen e çmimeve në treg. Kjo është ajo që po ndodh në Shqipëri: një imitim primitiv i tendencës neoliberiste të korporatave ndërkombëtare në bazë të skemës “merger & acquisition” që në shqip shfaqen në krijimin e oligopoleve dhe marrëveshjeve të fshehta kapitaliste.
FATI ËSHTË ME ATË QË E MERITON
Thuhet se faji i rritjes së çmimeve është thjesht rritja e çmimeve në bursën globale, pra është çështje Fati. Fajin e rritjes aktuale të çmimeve nuk e ka Fati makiavelist, por njerëzit! Sepse fati i konjukturës ndërkombëtare të çmimeve është mbivlerësuar! Siç predikonte dikur Makiaveli, Fati është në anën e atij që e meriton! Dhe ne nuk e meritojmë! Sepse roli i shtetit shqiptar prej 17 vjetësh ka synuar vetëm një qëllim, një ideal: të renditemi në toplistën neoliberiste të lirisë së tregut! Dhe jemi shpërblyer me një diplomë nderi 1 muaj më parë kur u renditëm më lart se fqinjët!!! Në fakt e merituam! Maqedonia ishte shumë më poshtë nesh në klasifikim, dmth me më pak liri tregu se ne, prandaj dhe po ndërhyn “brutalisht” për uljen e jo më më për rritjen e çmimit të bukës. Italia më poshtë nesh në liri muaj më parë u përball me protestën “qesharake” të makaronave “të makaronaxhinjve” fakt që e detyroi shtetin italian të reduktonte pakëz liri duke zbritur edhe më poshtë nesh!
NEW DEAL! NJË MËSIM ANGLOSAKSON NGA HISTORIA
Në fakt çmimet u rritën sepse tregtarët janë të lirë t’i rrisin ato! Tregu e di vetë se çfarë është e mirë për të! Po për konsumatorin kush e di se çfarë është e mirë për të? SHTETI! Sepse shteti është avokati i konsumatorëve në të gjithë botën! Po kujtoj një fakt që Ju e dini. Kur pas Luftës së Parë Botërore bota u përball me krizat, sidomos me DEPRESIONIN E MADH, shumë ekonomistë liberalë ngritën duart përpjetë dhe deklaruan se “s’kemi ç’bëjmë”, “e di tregu atë punë”, dhe në fakt kishin të drejtë sepse është cikël normal i lirisë:
1. Superprodhimi sjell stoqet,
2. Stoqet sjellin rënie të prodhimit,
3. Rënia e prodhimit sjell papunësinë,
4. Papunësia sjell rënien e fuqisë blerëse në treg,
5. Rënia e fuqisë blerëse në treg sjell falimentimin e shumë ndërmarrjeve sepse nuk shesin dot prodhimet e tyre,
6. Falimentimi i disave sjell fuqizimin e ca të tjerëve,
7. Këta që fuqizohen fitojnë tregje të reja
8. Tregjet e reja kërkojnë investime të reja,
9. Investimet e reja sjellin punësime të reja,
10. dhe fuqia blerëse ristabilizohet!
Ky ishte cikli natyral i tregut!
Në fakt nëse ekonomia do të kishte vazhduar me këtë ritëm “natyral”, dhjetëra, madje qindra miliona jetë njerëzore, do të ishin rrënuar dhe Revolucioni Bolshevik i Tetorit do të ishte klonuar në të gjithë globin përfshi dhe Amerikën dhe bolshevizmi despotik do të kishte projektuar një botë distopike orwelliane të paimagjinueshme nga përmasat as për vetë Orwellin e “1984”.
Por kjo s’ndodhi pikërisht sepse shteti kapitalist nuk ngriti duart përpjetë në emër të logjikës së lirisë së tregut! Shteti kapitalist hoqi dorë përfundimisht nga Liria e Tregut në emër të Lirisë së Qytetarëve! Franklin D. Ruzvelt i Amerikës i besoi teorisë së Kejnsit të Britanisë dhe gjatë një 50-vjeçari bota kapitaliste pa një rritje të paparë ekonomike sepse hoqi dorë nga liria e tregut në emër të lirisë së qytetarëve! Shteti ndërhyri nëpërmjet një “Kontrate të Re” me qytetarët dhe kapitalistët dhe bota shpëtoi nga Natyra Ciklike e Kapitalizmit sepse kjo Natyrë do të kishte vetëm një përfundim: revolucionin bolshevik anë e mbanë globit, siç me të drejtë e kishte parashikuar Marksi! Marksi do të kishte të drejtë nëse bota do ta lente veten në dorë të lirisë së “lirisë tregut”, në dorë të “dorës së fshehtë” të tregut! Modeli makroekonomik i Kejnsit i dha shtetit lirinë e zgjuar për t’iu mbivendosur lirisë së tregut me qëllim pikërisht për ta bërë racionale vetë lirinë e verbër të tregut në emër të lirisë së qytetarëve!
E MAJTA NË SHQIPËRI KA 17 VJET QË NUK EKZISTON!
Çfarë na mësoi historia? Që Shteti ka të drejtë të ndërhyjë në treg në mënyrë që të përballohet natyra ciklike e krizave të vetë tregut.
Kjo është ajo që i duhet shtetit shqiptar sot! Pranimi i recetave romantike neoliberiste të lirisë totale të tregut të propaganduara nga shumë palë neoliberiste të djathta por paradoksalisht edhe të ashtuquajtura “të majta” sot në Shqipëri (përjashtim bën vetëm LSI) është si t’i japësh një dozë elefanti një qengji të sapolindur! Teoria neoliberiste në Perëndim edhe mund të funksionojë sepse ekonomitë e tyre prej elefanti kanë një background kejnsianist! Por ekonomia e dobët dhe e vockël shqiptare nuk mund të përballojë dozat e destinuara për superekonomi gjigante të botës së zhvilluar!
Tezat neoliberiste detyruese në emër të lirisë totale të tregut të Bankës Botërore dhe FMN drejtuar shtetit shqiptar gjithë këto vite përfundimisht kanë dështuar këto ditë në Shqipëri! Sot më shumë se kurrë Shteti shqiptar duhet të reflektojë dhe të riformulojë teorinë e vet ekonomike! Sot E DJATHTA demokratiko-socialiste 17-vjecare e Shtetit Shqiptar duhet të kuptojë se qenka shumë e djathtë! Teza se në Shqipëri nuk ka të majtë dhe të djathtë apo siç ka filluar të propagandohet si të ishte një tezë postmoderne: “përtej të majtës dhe të djathtës” është plotësisht e mashtruese, sepse fsheh karakterin e theksuar të djathtë të qëndrimit ekonomik të Opozitës! Është mashtruese sepse mashtron pikërisht atë elektorat realisht të majtë që ka në Shqipëri!
Sot e 17 vjet të shkuara, në Shqipëri ka pasur dhe ka vetëm qeverisje të djathta dhe e majta nuk ekziston ende! Varrosja e trupit të dekompozuar të ekonomisë publike socialiste të trashëguar dhe rilindja 100 për qind e një ekonomie totale private si pasojë e privatizimit total të djathtë nuk është program i partive të djathta, por e të gjithë spektrit politik shqiptar. Largimi i shtetit nga tregu është karakteristikë e të gjithë qeverive gjatë 17 vjetëve! Jo vetëm e qeverive qendrore, por edhe e pushtetit lokal, kudo në Shqipëri. Të qënit në të djathtë të çdo qeverie pavarësisht nga emri socialist apo demokrat është përcaktuar pikërisht nga reduktimi për herë e më i madh i rolit ndërhyrës të publikes në ekonomi. Është paradoksale, por Partia Demokratike që nga 2005-a ka luajtur një rol më të majtë rregullator në ekonomi sesa Partia Socialiste në 8 vjet qeverisjeje, pavarësisht se kjo nuk do të thotë se PD është e majtë. Thjesht PS është treguar më e djathtë se PD-ja! Institucionet e Mbikëqyrjes së tregut po akuzohen vazhdimisht nga komuniteti i biznesit që shteti kërkon më shumë ndërhyrje ndërsa Opozita Socialiste sikur të ishte parti liberale e djathtë i përkrah ata. Paradoksi i garës së padukshme liberale pozitë-pozitë se kush është më i djathtë është përgjigjja më e mirë se në Shqipëri mungon politika e majtë në ekonomi!
PRIVATIZIMET NEOLIBERISTE DEMOKRATIKO-SOCIALISTE
Kompleksi i inferioritetit të trashëgimisë së ekonomisë publike socialiste solli një politikë ekonomike drejt lirisë totale të tregut privat e cila në kohën e qeverive të Partisë Demokratike thjesht bie më shumë në sy sepse janë më të sinqerta teorikisht! Por paradoksalisht janë të kohës Socialiste privatizimi i Fabrikës së Miellit Tiranë, një Fabrikë supermoderne e teknologjisë së lartë e ndërtuar nga shteti shqiptar me investime të huaja në formë kredish gjatë viteve 2000! Kjo Fabrikë ishte RREGULLATORI KRYESOR i çmimeve të bukës së shqiptarëve sepse ndërhynte në treg sipas modelit kejnsianist! Receta e Bankës Botërore për privatizimin e saj si shumë receta të tjera të ngjashme ishte një recetë e helmuar sepse sot po paguajmë bukën më shtrenjtë!
Privatizimi i transportit urban në Tiranë është DE JURE socialist, por neoliberist DE FACTO! Prandaj çdo ditë qytetarët e Tiranës kanë frikë se do të paguajnë 150% më shumë! Transporti urban me vlerë 20 L bileta sjell një inkasim të paktën prej 7 milionë dollarësh në vit (shifra është shumë më vogël se e vërteta sepse bilancet fshihen). Me 50 L biletën inkasimi shkon mbi 17 milionë dollarë në vit, mbase dhe 25 milionë! Ndërkohë kostoja me 20 L biletën sjell një fitim rreth 50%, ndërsa me 50 L biletën kostoja do të zbresë në 30 % duke rritur fitimin mbi 10-15 milionë dollarë cdo vit. Fitimin e nxirrni vetë. Privatizimi neoliberist i transportit urban në mungesë të ndërhyrjes qeveritare dhe të dorës së fshehtë të tregut do të sjellë fitime të mëdha kapitaliste nga njëra anë dhe varfërim të mëtejshëm ekonomik të konsumatorëve nga ana tjetër.
Privatimi i djathtë i ARMOs pa dyshim mund të jetë i nevojshëm po të kihet parasysh amortizimi teknologjik i saj, por nga ana tjetër shteti humbet një ndërhyrje rregullatore në treg për të konkurruar çmimet e karburanteve. Privatizimi i KESH mund të jetë ilaç kundër amortizimit, por jo kundër rritjes së pafundme të çmimeve të energjisë sipas recetave të Bankës Botërore.
Privatizimi monopolist i AMCsë dikur dhe i duopolit celular më pas pa ndërhyrjen e shtetit në llogaritjen e fitimit solli çmimet më të larta celulare në Europë. Ndërhyrja majtas e Olldashit 2 javë më parë në caktimin me ligj të fitimit duhej të ishte bërë vite më parë nga socialistët e djeshëm dhe të sotëm neoliberistë! Rritja e çmimit të ilaçeve dhe zvogëlimi i listës së rimbursimeve përkatëse është pa dyshim pasojë edhe e një mungese të një aktori tregtar publik në tregun e ilaçeve!
Politika bashkiake e Tiranës për mosnjohjen e asistencës së të ardhurve në Tiranë është një vjedhje e hapur që i bëhet të varfërve kundër çdo parimi kushtetues të lëvizjes së lirë të njerëzve. Futja e teknikës neoliberiste amerikane të punësimit bashkiak për bukën e gojës të përfituesve të asistencës në punë të rëndomta dhe të vështira me kohë të pjesshme s’ka asgjë të majtë, është thellësisht e djathtë, nga ato më ekstremet (e dështuar kudo) dhe natyrisht vetëm se thellon varfërinë e “përfituesve”!
SA LARG KEJNSIT... SA AFËR VARFËRISË!
Sikur të ishte gjallë Kejnsi, do të pyeste i habitur “a më ka lexuar njeri në Shqipëri?”. Në fakt, mendimtari më i madh ekonomik i shekullit XX nuk është lexuar në Shqipëri dhe libri i tij u botua vetëm 1 vit më parë nga Shtëpia Botuese Plejad! Në fakt, ai ishte i pari që duhej të botohej dhe lexohej këtu e 17 vjet më parë nga shumë politikanë dhe këshilltarë të politikës, pavarësisht se ne e kemi lexuar në gjuhë të huaj. Sepse teoria e tij e parasë, punësimit dhe interesit mund të kishte qenë një rreze shprese për mendimin politik ekonomik të Shqipërisë. Por që në 1993 në Shqipëri subvencionohen libra për shoqëri “të hapura” pa kejnsianizëm apo antineoliberalizëm brenda si kusht financimi sorosian. Injoranca është pushtet, - thotë Orwell, - dhe pushteti sorosian vetëm nën injorancën publike mund të nxjerrë teza mashtruese “përtej të majtës dhe të djathtës”.
Është e vërtetë se bota sot është në një tendencë neoliberiste, por kjo ndodh mbi një strukturë 50-vjeçare ekonomiko-ligjore kejnsianiste dhe neokejnsianiste dhe jo mbi një trashëgimi bolshevike 45-vjeçare si tek ne! Rruga drejt neoliberizmit në Shqipëri duhej të ishte një rrugë më e gjatë, shumë më e gjatë! Por Shqipëria e filloi dhe e vazhdoi me teorinë e djathtë sorosiane të Terapisë së Shokut dhe ky shok vazhdon të na shoqërojë prej 17 vjetësh pavarësisht flamujve të majtë apo të djathtë që valëviten në Kryeministri. Teoria se terapia e shock-ut ishte ide e PD-së është e pavërtetë. Terapia e shokut sa është e PD-së është edhe e PS-së! Faktet e tregojnë dhe vërtetojnë pafundësisht këtë gjë!
FORMULAT KEJNSIANISTE
Sot më shumë se kurrë debati për çmimet duhet të përfshijë një dimension kejnsianist dhe joneoliberal apo neokonservator, e le më pastaj thjesht klasik liberal apo konservator siç e pretendojnë ca analistë liberalë këtu në Shqipëri! Modeli kejnsianist i ndërhyrjes së shtetit në treg sot është domosdoshmëri ekonomike, politike dhe kulturore!
Shqipëria është kaq djathtas sa asnjë qeveri e djathtë nuk ka pse të ketë paragjykime nëse ndërmerr masa kejnsianiste sepse sado majtas ta shtyjë logjika kejnsianiste përsëri benda spektrit të djathtë ngelet.
Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë për një ndërhyrje të shtetit në ekonomi nëpërmjet 4 formulave kejnsianiste apo neokejnsianiste:
I. kontrolli mbi konkurrencën duke fuqizuar ligjërisht, administrativisht dhe financiarisht pushtetin e institucioneve rregullatore dhe të kontrollit të konkurrencës dhe çmimeve
II. politika reduktuese fiskale deri subvencionuese të diferencuara mbi produkte bazë
III. përcaktimi ligjor i Minimumit Jetik të Varfërisë dhe detyrimi qeveritar për të marrë në mbrojtje ekonomike çdokënd që është nën këtë minimum frymëmarrjeje
IV. krijimi i ndërmarrjeve publike tregtare që konkurrojnë tregun e monopoleve apo oligopoleve
Natyrisht që këto 4 formula duhet të zbërthehen në shumë ekuacione të vështira dhe të pasigurta. Fati i çmimeve ndërkombëtare në rritje të produkteve ushqimore, karburanteve, ilaçeve etj nuk është në dorë të shqiptarëve. Por padyshim që rritja e çmimeve në Shqipëri është shumë më e madhe se ajo në tregun global dhe s’ka asnjë mundësi të kontrollohet në një bursë që lëviz me ditë! Por ndërhyrja e shtetit mund të jetë krijimi i një ekonomie mikse në sektorë specifikë, të cilët luajnë më ndershëm me çmimet e importit. Të mos harrojmë Makiavelin: “Fati është me ata që e meritojnë”.
25 PROPOZIME NEOKEJNSIANISTE KUNDËR VARFËRISË
Prandaj dhe rruga për daljen nga kriza mund të jetë edhe kejnsianiste apo neokejnsianiste. Kjo është edhe arsyeja e propozimit pikërisht të këtyre 25 masave që do të duhej të ndërmerrte shteti shqiptar:
1. Fuqizimi i Autoritetit të Konkurrencës (financiarisht, në konsulencë teknike dhe administrativisht) për të rritur aftësinë hetuese
2. Forcimi i rolit të agjencive rregullatore
3. Ngritja sa më shpejt e Gjykatës së Arbitrazhit duke zgjeruar veprimtarinë edhe në mbrojtje të konsumatorëve
4. Fuqizimi administrativ dhe i aftësisë së ndërmarrjes së masave ndëshkuese të inspektorateve teknike që mbulojnë ushqimin, produktet dhe nënproduktet blegtorale, metrologjinë, inspektoriatin teknik, atë të shëndetit, etj. dhe orientimi buxhetor i të ardhurave drejt përmirësimit të punës së këtyre institucioneve
5. Krijimi i ndërmarrjeve ekonomike tregtare shtetërore të defiskalizuara (si dhe strukturave të nevojshme të magazinimit dhe depozitimit ), të cilat importojnë nga jashtë dhe shesin brenda në tregun e shumicës duke balancuar çmimet e shumicës në treg (drithëra, vaj, karburante)
6. Ndërtimi i një fabrike shtetërore të miellit (për të korrigjuar privatizimin e Fabrikës së Miellit Tiranë), e cila të funksionojë pa taksa duke ndikuar ndjeshëm në çmim
7. Krijimi i kooperativave tregtare bujqësore pa taksa, të cilat stimulojnë prodhimin vendas dhe u jepen në dispozicion tregje publike apo supermarkete të tipit kooperativa pranë qendrave të banuara (modeli italian mund të jetë shumë i vlefshëm)
8. Defiskalizimi doganor i disa produkteve bazë ushqimore lokale si drithërat, perimet, vaji, produktet dhe nënproduktet blektorale
9. Defiskalizimi i plotë i prodhimit të bukës dhe ashpërsimi i formalizimit të tregut të bukës
10. Defiskalizimi i librit, arsimit dhe formimit profesional privat, si dhe subvencionimi i plotë i artikujve shkollorë për fëmijët e varfër
11. Ndërhyrja e drejpërdrejtë fiskale (dhe ashpërsimi i masave ekzistuese) në normën e fitimit për shumë biznese në sektorë specifikë si tregtimi i produkteve ushqimore, karburanteve, telefonisë, energjisë elektrike, siguracioneve, etj.
12. Ndërhyrja e drejtpërdrejtë në përcaktimin e çmimeve në transporte urbane dhe interurbane, si dhe rivlerësimi i shtetëzimit të transportit shtetëror urban si alternativë në rast të mosmarëveshjeve për çmimet me transportin privat (në rast bojkoti)
13. Detyrimi i ashpër i vendosjes së kasave të regjistrimit dhe reduktimit të qarkullimit të parasë kesh në treg
14. Subvenconimi i siguracioneve shoqërore në varësi të rritjes së rrogave të të punësuarve të rinj dhe të kryefamiljarëve me shumë pjesëtarë të familjes në përgjegjësi
15. Përmirësimi dhe lehtësimi i informacionit të tregut të punës duke ndihmuar në orientimin e punës ditore për më nevojtarët
16. Përcaktimi me ligj i minimumit jetik të varfërisë duke ndihmuar drejtpërdrejt me produkte ushqimore dhe ilaçeve shtresa të caktuara të popullsisë që ndodhen në skajet e varfërisë
17. Subvencionimi dhe rigjallërimi i sektorit jofitimprurës të ndihmës humanitare që ka pësuar rënie kohët e fundit duke synuar drejpërdrejt listat e zeza të ushqimeve
18. Subvencionimi i pagesave të energjisë elektrike në bazë për familje shumë të varfëra që harxhojnë në mënyrë kursimtare brenda nevojave të domosdoshme
19. Heqja e taksave për pajisjen me dokumente të shtresave shumë të varfëra
20. Subvencionimi i transportit për të varfërit në periferi të Tiranës që kërkojnë punë apo punojnë larg vendbanimit
21. Rritja e diferencuar deri në 50% e pensioneve për një kategori pensionistësh që jetojnë pa mbështetje familjare
22. hapja e mensave publike falas për të varfërit dhe sidomos për fëmijët dhe pensionistët në periferi
23. Inkurajimi fiskal i bizneve private për të hapur fondacione humanitare që nuk synojnë spektaklin por ndihmën e drejtpërdrejtë humanitare për të varfërit
24. Inkurajimi i iniciativave humanitare qytetare
25. Rivlerësimi i buxhetit 2008 në 6-mujorin e dytë duke rivlerësuar mbështetjen për të varfërit
Natyrisht në këto masa nuk përfshihen shumë politika për rritjen ekonomike, por kjo i përket anës tjetër, kapitalit! U takon përfaqësuesve të biznesit të propozojnë zgjidhje! Dhe shoqatat, institucionet aksesin e nevojshëm e kanë. Këto ishin propozimet e konsumatorëve!
Në pritje të masave qeveritare antikrizë, shpresoj që masat e propozuara kejnsianiste do të shërbejnë realisht për një debat më të gjerë teorik dhe praktik për një politikë urgjente antikrizë!
9 Shkurt 2008