E Diel, 1 Nëntor 2026

Beogradi dhe kulti i Enver Hoxhës në Kosovë

Autori i Lajmit: Androkli Dralo
Dan Morgan
Uashington Post, nga Prishtina korrespondent i shërbimit të jashtëm

7 qershor 1970, Prishtinë-Jugosllavi. “Imagjinoni pas 400 vjetësh pushtimi turk që fëmijët tanë janë duke lexuar në gjuhën e tyre”. Këto fjalë përmbledhin krenarinë e një shkrimtari për rilindjen kulturore dhe politike që po lëkundet në “Shqipërinë tjetër”, enklavën e fushave dhe maleve në Jugosllavinë juglindore, ku jetojnë 1 milion shqiptarë. Rritja e entuziazmit kombëtar mes njerëzve krenarë, që nuk kanë hequr dorë kurrë nga identiteti edhe pas qindra vjetësh luftë, varfëri dhe egërsi, e shqetëson Beogradin. Por nuk duket se ata do t i humbasin tani. Ka shumë të ngjarë, që zhvillimi të sjellë një influencë të madhe për të ardhmen e marrëdhënieve të Jugosllavisë, me vendin e udhëhequr nga Enver Hoxha (aleat me kinezët), Shqipëria, vendi që kufizohet me provincën e njohur me emrin Kosovë. Megjithatë, shqiptaro-jugosllavët ndahen nga bashkëkombësit e tyre nga një kufi jo më pak i penetrueshëm sesa ato që ndajnë gjermanët dhe vietnamezët. Tanimë njerëzit këtu flasin haptazi për një “komb shqiptar”, duke kumtuar dëshirën për “vëllazëri dhe ngjashmëri me Shqipërinë”. Shumë pak jugosllavë të privilegjuar nga këtu, janë pranuar kohët e fundit nga shteti i Hoxhës. Ata kanë ardhur vetëm me raste të veçanta siç janë martesat dhe intelektualët e rinj që të frymëzuar nga “komunizmi i pastër” i ndërtuar nga Hoxha, pranojnë admirimin që kanë për udhëheqësin e hekurt përtej kufirit malor.
Nacionalizmi i shtypur
Krenaria e fshehur kombëtare, ka qenë gjithnjë prezente në Kosovë, vendin ku jetojnë 800.000 jugosllavo–shqiptarë. Por copëzimet, përçarja sociale dhe dominimi i huaj që ka bërë dhe historinë e rajonit që prej kohës kur turqit shpartalluan serbët në Betejën e Fushë-Kosovës më 1389, i kanë lënë pak mundësi ta shprehin atë. Edhe në periudhën e pasluftës, kur kushtetuta komuniste jugosllave u duk se u garantoi të drejta të barabarta minoriteteve, rajoni vlonte nga pakënaqësitë për rolin dominues që luajtën serbët e ardhur “me ndihmën e policisë” dhe nga trazirat e shpërthyera më 1968. Kjo është arsyeja e lulëzimit të gjuhës dhe traditës shqipe. Ndërsa fakti që Beogradi ka nisur të jetë më liberal këto vitet e fundit, është një mrekulli e vogël historike. Në Prishtinë, kryeqytetin e rajonit autonom të Kosovës, muzika e huaj, romanet perëndimore dhe punët e Pushkinit, Dikensit dhe Shekspirit në Shqipëri, shiten në bulevardin “Marshall Tito”. Dhe shkrimtarët po dëshmojnë një interes të jashtëzakonshëm të të rinjve për këto libra në gjuhën e tyre.
Dy jetë
Ky është një ndryshim i mrekullueshëm, po ta shikosh nga ndryshimi i dy jetëve të dy shqiptarëve kosovarë, njëri në moshë të thyer dhe tjetri i ri. Burri i vjetër me emrin Farid, ka lindur përpara lufte. Atëherë nuk kishte shkolla shqipe dhe vetëm një në 10 shqiptarë mezi mundte të arsimohej. Por Faridi ishte këmbëngulës dhe arriti të studionte në një shkollë serbe. Kjo do të thoshte të mësonte serbisht e kjo e fundit ishte gjuha e tretë, pasi në familjen e tij flitej turqisht. Djali i ri, Mustafa, u rrit pas lufte dhe arriti të mësonte në një shkollë shqipe. Atij nuk iu desh të mësonte serbisht derisa shkoi në universitet, në Prishtinë, ku studioi drejtësi. Por përpara se të diplomohej, reformat kishin nisur dhe atje dhe ai mundi t i jepte provimet e fundit në gjuhën e vet. Në shtëpi, ai dhe familja e tij ende ngatërrohen me gjuhën turke, një relike e ditëve kur kjo gjuhë ishte e detyruar për të “kaluar”. Megjithatë, gjatë kohës që ishte fëmijë, Mustafai fliste vetëm shqip me pjesëtarët e familjes. Tmerrësisht krenar, ai është simbol i një brezi aq “modern” dhe “shqiptar”, sa asnjë brez tjetër përpara këtij. Të rinjtë veshin kostume të prera bukur, minifunde dhe mblidhen për të dëgjuar muzikë perëndimore. Por pasi bie darka, Dilani ose Bitëllsat, shpesh fiken për t u zëvendësuar me rapsoditë e bukura vendase. Shumë prej të rinjve u pëlqen politika më shumë se prindërve të tyre, ndërsa disa shikojnë udhëheqësit lokalë shqiptarë komunistë si Veli Deva, “thjesht si serbë”. Një mënyrë përçmimi për të treguar se udhëheqja i bindet shumë Beogradit. “Ne nuk jemi më aq të ndjeshëm sa kemi qenë më përpara”, - tha një shqiptar i ri, i cili hidhej përpjetë kur dëgjonte shqiptarët e varfër që i thoshin se ishte serb. Ka dhe nga ata që i përçmojnë serbët e ardhur, të cilët “nuk thonë dot as përshëndetje në gjuhën tonë”. Lidhjet serbo-shqiptare pothuajse nuk ekzistojnë fare. Regjimi i Hoxhës duket se ka dhe mbështetësit e tij që janë një numër radikalësh të rinj. Njëri jep këtë shpjegim: “Hoxha është i fortë. Ai ka vendosur dënimin me vdekje për të luftuar gjakmarrjen, u ka dhënë grave më shumë të drejta dhe ka ndërtuar një sistem shëndetësor më të mirë”. Kjo sjellje ngrihet përtej lirive më të mëdha që ofron Jugosllavia, e cila toleron shumë zakone të vjetra, të cilat të rinjtë shqiptarë kanë harruar t i ndjekin. Në Shqipëri, xhamitë janë kthyer në magazina dhe muze. Por në një të premte në Prishtinë, të bardhët e urryer myslimanë kryejnë ritualet e tyre në xhami, ndërsa gratë lypsare presin jashtë portave të saj. Institucioni i vjetër i gjakmarrjes ekziston në Kosovë, por dënimi për një vrasje të tillë është vetëm shtatë vjet burg. Gazeta lokale e lajmeve vlerësoi aktin e një plaku fshati, i cili arriti të pajtonte 200 familje në gjak, por që mbeten ende mijëra të tjera që jetojnë të izoluara. Shumë njerëz mbetën të vrarë në një restorant në Prishtinë, kohët fundit në një betejë me armë që, me sa duket, kishte lidhje me gjakmarrjen. Shkaku kryesor i gjakmarrjes janë gratë, por kjo jo sepse janë të përulura. Në fshatra ekziston ende kodi i nderit të burrit, i cili i lë femrat në pozicionin e gjysmëskllaveve, që pasi u shërbejnë burrave, shkojnë të mbyllen përsëri në dhomat e tyre. Rritja e numrit të njerëzve të shkolluar mes shqiptaro-jugosllavëve, po e ndryshon ngadalë këtë zakon dhe po sjell dhe rilindjen e poetëve dhe shkrimtarëve. Më 9 maj, 6.000 të rinj morën pjesë në një simpozium interpretimi të poezisë shqiptare dhe jugosllave. Poezitë shqiptare do të përfshihen në një antologji jugosllave që do të botohet këtë vjeshtë në Zagreb. Vehap Shita, një kritik arti, i cili po merret me këtë përzgjedhje, thotë se poezitë “nuk do të mund të prezantojnë vetëm shqiptarët në Kosovë, por edhe Jugosllavinë”. Fehredin Gunga, menaxheri i shtëpisë botuese “Rilindja”, është edhe vetë një poet i njohur. Ky lulëzim ka sjellë një “fekondim” të dy kulturave pak të njohura, ku ajo e Shqipërisë ka qenë ngushtësisht e lidhur me atë të “shkollës së traktorit”, me punë që lartësojnë prodhimin në fabrika dhe punën kolektive në ferma. Ky është një kthim prapa në ditët e paraluftës, kur vetëm pak kosovarë të privilegjuar kishin mundësinë të edukoheshin në Shqipëri. Kosova ka një marrëveshje botimi me Tiranën dhe importon rreth 17.000 tituj librash në vit prej andej. Ky “shkëmbim” ka ardhur vetëm në një drejtim, por shumë nga këto punë janë vlerësuar si cilësore. Romani “Gjenerali të ushtrisë së vdekur”, i Ismail Kadaresë, ka qenë një bestseller në Kosovë, madje është përkthyer edhe në frëngjisht. Ai tregon për një gjeneral italian, i cili kthehet në Shqipërinë komuniste pas luftës, për të marrë kockat e ushtarëve të rënë dhe e gjen parajsën e Hoxhës më të mirë nga ç e priste. Por këtu qarkullojnë edhe regjistrime muzikore. Dy më të preferuarat janë: “Unë shkoj me dëshirë në punë” dhe “Kur kisha një lule të bukur në dorë”, nga shtëpia diskografike “Artexport”. Por askush nuk mendon se bashkimi kulturor do të ndodhë së shpejti. Tirana i ka rezistuar shumicës së propozimeve për shkëmbimet e programeve universitare, edhe pse zyrtarët e Universitetit të Kosovës shpresojnë se do të marrin një përgjigje pozitive nga dekanët e Tiranës, për të marrë pjesë në një kongres ku do të mblidhen rektorët e universiteteve këtë verë në Dubrovnik. Agjencia lokale e turistëve organizon pak udhëtime drejt Shqipërisë, veçanërisht për banorët përreth, por dhe ato me raste të veçanta. Një grup jugosllav ndoqi kohët e fundit dasmën e vëllait të heroit partizan shqiptar, Emin Duraku, në Shkodër, ku ngritën dhe dolli shpirtërore për të ftuarit. “Njerëzve më të vjetër u kanë bërë përshtypje ndryshimet që kanë ndodhur atje”, - tha një nga dasmorët, “por ata si ne, që janë rritur këtu e shohin si një idiotësi. Ai pranoi se Enver Hoxha ka vendosur “disiplinë” tek njerëzit e tij dhe u ka dhënë fund zakoneve prapanike të vjetra, por ai nuk la përshtypjen se do të donte të braktiste Jugosllavinë për Shqipërinë e tij të re. Duraku, të afërmit e të cilit jetojnë në të dyja anët e kufirit dhe që është ende një hero për të gjithë ata, është një simbol i bashkimit inekzistent, i cili urohet nga shumë ende. Këto përpjekje janë fakte jete, të cilat Beogradi nuk mund t i anashkalojë.
Ky lajm është publikuar: 14/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›