E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Raportet e mia me Berishën dhe Ramën

Autori i Lajmit: red.
A është zbatuar protokolli në Samitin e NATO-s, sepse ka pasur shumë diskutime për momentin, që ju jeni paraqitur me Zonjën Tuaj në darkën e Samitit, ndërkohë që Kroacia, vend tjetër që u bë anëtar, u paraqit me Presidentin dhe Kryeministrin?
Unë mund t ju them që delegacioni ka qenë integral, ka qenë i ndërtuar mbi bazën e një protokolli të shtetit dhe është zbatuar nga të gjithë në mënyrë shumë të disiplinuar. Duhet të dini që protokolli i organizimeve të tilla bëhet pikërisht nga organizatorët dhe kurrsesi nuk mund të ketë hapësirë për keqkuptime. Kemi qenë në harmoni të plotë, sikurse e kërkon rregulli i bashkëpunimit ndërinstitucional, dhe pavarësisht nga komentet që mund të bëhen në media, ju siguroj që delegacioni ka funksionuar në mënyrë shumë serioze, shumë harmonike, gjë që u pa deri në momentin e arritjes në Rinas, të prezantimit dhe të finalizimit të një procesi, i cili ishte sa substancial, aq dhe formal. Në të dyja këto pikëpamje, mendoj që Shqipëria ka bërë një prezantim mjaft dinjitoz, mjaft të bukur, çka demonstron për të gjithë shoqërinë shqiptare, që Shqipëria është një shtet i konsoliduar, mjaft serioz dhe që premton shumë në të gjitha drejtimet.

Pra, ju i mohoni totalisht zërat që flasin për një anashkalim, ose një spostim le të themi, ose një mungesë harmonie të plotë mes jush dhe Kryeministrit?
Zoti Peza, unë nuk kontestoj. Unë pohoj dhe ju referojuni pohimit tim që delegacioni ka qenë perfekt, harmonik, në të gjitha prezantimet e tij.

Kur mund të konsiderohet i mbyllur kapitulli i tranzicionit në Shqipëri me anëtarësimin në NATO?
Unë besoj që nga pikëpamja politike, në mënyrë absolute po, ndërsa ka çështje të karakterit ekonomik, ka çështje të tjera që gjithmonë do të nxjerrin debate në shoqëri, të cilat do të kërkojnë ende kohë për ta siguruar të finalizuar këtë proces dhe unë nuk mund të futem në hollësira, por ka çështje që sot e preokupojnë prapë shoqërinë.

Një nga këto çështje, a nuk do të ishte çështja e pronave në vend?
Unë nuk desha të futesha, por meqë e thatë, e konfirmoj. Çështja e pronave është një fenomen, që në momentin që do të zgjidhet në mënyrë definitive, ju siguroj që nuk ka më asnjë lloj simptome të elementëve të tranzicionit në Shqipëri. Tanzicioni mbyllet totalisht, por gjithsesi nga pikëpamja politike, unë e konsideroj anëtarësimin në NATO si një tranzicion të tejkaluar, ku të gjithë duhet të kuptojmë që, pas tranzicionit vjen faza e konsolidimit të demokracisë që, një vend, do të thoja, me parametra ekuivalente me të gjitha vendet e tjera demokratike.

Do të doja shumë të flisnim në këtë intervistë edhe për pjesën e politikës së brendshme. Ka pasur spekulime të shumta në media rreth raporteve tuaja me Kryeministrin, liderin e mazhorancës. Si janë marrëdhëniet tuaja në fakt, duke dashur ta dëgjojmë nga goja juaj?
Unë e kam thënë dhe herë tjetër që marrëdhëniet janë shumë institucionale dhe në këtë plan janë mjaft marrëdhënie korrekte. Dua ta përkufizoj këtu dhe besoj me kaq të gjithë ata që dëshirojnë të marrin informacion, le ta marrin atë.

Përveç atij takimi publik në Samitin e NATO-s, kur ka qenë hera e fundit që ju e keni takuar Kryeministrin Berisha në rrugë institucionale?
Unë nuk mundem tani të rikthehem në referenca ekzakte, por ne kemi pasur raste të takohemi dhe përderisa ju thashë që kemi marrëdhënie korrekte institucionale, pavarësisht ku janë bërë takimet dhe si janë zhvilluar, besoj që nuk ka vend për të fiksuar takimet dhe kohën e tyre.

Pra, është një rutinë dhe ju nuk keni pse t i fiksoni?
Ashtu është!

Por, nga ana tjetër mediat, por dhe ambientet politike flasin dhe për një marrëdhënie të tendosur tuajën me Kryetaren e Parlamentit, zonjën Topalli. Si janë marrëdhëniet?
Unë ju siguroj që jam shumë korrekt në këto marrëdhënie dhe ky pozicion më shumë se çdo institucion tjetër të imponon që të kesh marrëdhënie shumë korrekte institucionale. Unë i qëndroj këtij pozicioni shumë korrekt dhe tentoj që çdo ditë të përsos marrëdhëniet ndërinstitucionale.

Përtej gjuhës të një Presidenti Republike dhe përtej le të themi thashethemnajës politike. Në fakt, a ka vend për t u diskutuar më në distancë për një lloj rivalitetin tuaj, sepse është thënë shpesh ndoshta?
Unë asnjëherë nuk jam bërë dipendent i thashethemnajave, sepse nuk kam qenë asnjëherë frekuentues i këtyre ambienteve. Përderisa ju cituat një term “rivalitet”, po ju them se nuk ka qenë asnjëherë në natyrën time që të bëj rivalitet me askënd dhe aq më shumë do të ishte një “no sense” absolut në rast se karrigia më e lartë e shtetit, kërkon me vullnetin e tij të bëjë rivalitet. Unë jam në një pozicion sot që më intereson vetëm forcimi i institucioneve në Shqipëri, rritja e imazhit të Shqipërisë, më intereson rritja e mirëqenies së popullit që përfaqësoj dhe padyshim, ajo unë e kam kthyer në fakt në një lajtmotiv në të gjitha bisedat, ka qenë pikërisht aksesi që çdo njeri që jeton në Shqipëri, që ka një pasaportë shqiptare, të këtë mundësinë që të lëvizë i lirë kudo ku ai mundet, sepse tek e fundit është bërë një punë e jashtëzakonshme dhe finalizohet me atë mundësi që çdo njeri të ndihet i lirë për të lëvizur në një botë të lirë, ku ne tentojmë të integrohemi.

Po marrëdhëniet me liderin e partisë më të madhe të opozitës, zotin Edi Rama, si janë?
Besoj që kanë qenë marrëdhënie korrekte, gjithashtu të karakterit institucional.

Gazeta “55”, një gazetë pranë Kryeministrit Berisha ka shkruar disa javë më parë për një takim të mundshëm tuajin me zotin Edi Rama në vilën e Pezës. Ka një të vërtetë në këtë njoftim?
Jo, absolutisht!

Ju keni bërë ndonjë sqarim zyrtar si Institucion i Presidentit?
Ka pasur një sqarim të ekipit të zyrës së Presidentit. Natyrisht që nuk jam unë që merrem me këtë pjesë. Unë vetëm mund të pyetem rreth versionit, dhe Presidenti mund të jetë shumë lakonik për të thënë po , ose jo . Presidenti duhet të besohet. Ndryshe, në rast Presidenti nuk konfirmon një gjë që është reale, atëherë nuk ka shanse të jetë më President. Kështu që mjafton të thotë një po , ose jo dhe atëherë besoj që çdo lloj thashethemnaje duhet të rrëzohet menjëherë poshtë.

Pra, në këtë rast përgjigjja juaj ka qenë jo .
Jo! Në mënyrë absolute jo. Nuk ka pasur asnjë lloj takimi. Të jeni i sigurt zoti Peza, që unë takohem në mënyrë konfidenciale në shtëpinë time, vetëm me miqtë e familjes. Çdo njeri duhet të dijë të ndajë jetën e institucionit me jetën familjare dhe jetën e tij personale. Ndërsa, të gjitha takimet zyrtare jam munduar që t i bëj shumë transparente dhe në faqen e internetit të Presidencës, jo vetëm që bëhen prezent të gjitha takimet, por shoqërohen dhe me fotografi.

Zoti Topi, kryeministri ka thënë që po e përdorni Prokurorinë si një parti politike. Ju keni dhënë një përgjigje për këtë ?
Nuk kam dëgjuar që të ketë një vlerësim të drejtpërdrejtë. Ndoshta një analizë mund të aludohet. Unë ju siguroj që qoftë në natyrën time, qoftë të Institucionit, deklaratat publike kanë qenë mjaft lakonike, por shumë të qarta, që interesi më i madh i institucionit të Presidentit, është rritja e autonomisë, brenda raporteve ligjore të marrëdhënieve ndërinstitucionale dhe absolutisht nuk ka pasur raporte të tjera. Do të vazhdoj të prononcohem në funksion të plotësimit të këtyre institucioneve, të punës që duhet të bëjnë prokurorët, Prokuroria e Përgjithshme dhe prokurorët e thjeshtë në funksion të realizimit të drejtësisë, të cilën ne e dëshirojmë të gjithë. Nuk mendoj që mund të ketë aludime rreth këtyre raporteve, sepse më shumë se çdo institucion tjetër, Institucioni i Presidentit është shumë i monitoruar.

Ju pra nuk keni tentuar as direkt dhe as indirekt të influenconi në linjë institucionale ose jo, hetimin e çështjeve të tilla, në të cilat preket mazhoranca, siç është rruga Durrës-Kukës, çështja Fazliç, apo çështja e Gërdecit.
Me gjithë respektin që kam, kur tentoni të ribëni pyetje në të njëjtin sens, bëni një gabim, sepse gjërat janë mëse të qarta. Mund t ju siguroj se nuk ka pasur absolutisht asnjë lloj tendence. E rëndësishme është që drejtësia të lejohet që të punojë, por nga ana tjetër dhe vetë drejtësia duhet të punojë, detyrat janë të qarta, e përsëris, të forcojë integritetin moral dhe nga ana tjetër të rrisë profesionalizmin. Gjithçka tjetër duhet të bëhet brenda kornizave ligjore dhe eksperienca ka treguar dhe do të tregojë që ky institucion asnjëherë nuk do të interferojë në asnjë lloj çështjeje.

Këto janë çështje të vetme të cilat ju i diskutoni me Prokuroren e Përgjithshme, zonjën Ina Rama?
Raportet midis institucioneve janë mjaft të përcaktuara në linjat e funksionimit ligjor. Përtej formatit ligjor, Presidenti, qoftë me Kryeprokuroren, qoftë me përfaqësues të ndonjë institucioni tjetër nuk mund të bëjë asnjë bisedë tjetër. Në zyrë dhe jashtë zyre, në pozicionin tim jam jashtëzakonisht institucional dhe absolutisht nuk merrem me probleme të tjera, që nuk më takojnë mua të merrem.

Marrë me shkurtime nga Ora News
Kriza ekonomike, Rama: Berisha të marrë masa
Nga Shijaku, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama i bëri thirrje kryeministrit që të marrë masa për menaxhimin e pasojave të krizës ekonomike, dhe të mos neglizhojë sugjerimet e institucioneve financiare ndërkombëtare. Sipas Ramës nëse Qeveria do të vazhdojë të jetë indiferente atëherë kriza do të dalë jashtë kontrollit dhe do të jetë e pamundur për të ndërhyrë. “Nuk jemi këtu për të vënë një alarm që do të shkaktojë pasiguri dhe konfuzion, por jemi këtu për të këmbëngulur se efektet e krizës globale po thellohen për shkak të papërgjegjshmërisë së Sali Berishës dhe të qeverisë shqiptare dhe se në rast se Kryeministri dhe qeveria vazhdojnë ta mohojnë krizën, kriza do të na përpijë në një përmasë që nesër do të jetë shumë vonë për ta kufizuar dhe për ta kontrolluar”, - tha Rama. Kryesocialisti theksoi se sot Shqipëria rrezikon të gjendet përpara një hendeku tjetër të pakapërcyeshëm, si ai që u gjend kur Kryeministri ynë, i njëjti, kur ishte President i Republikës, nuk dëgjoi në vitin 1996 këmbanat e FMN-së. Sipas tij për arsye të mirëfillta interesash elektorale pushteti, Berisha po shpenzon pa asnjë përgjegjësi dhe përgjegjshmëri ato të ardhura që duhen për të përballuar krizën, duke mos bërë asgjë nga ato që qeveritë e tjera, Kryeministrat e tjerë, të tjera vende, po bëjnë që popujt e tyre të mos vuajnë më shumë se sa kjo krizë po i bën të vuajnë. “Interesat për pushtetin e tij personal janë shumë më të mëdha dhe shumë më të rëndësishme se sa interesat e familjeve shqiptare, se sa interesat e vendit, që nuk po arrin dot të përballen siç duhet me një krizë ekonomike, e cila rrezikon të dalë jashtë kontrollit”, - tha ai. Në këtë takim me rrjetin e vullnetarëve Rama u ndal tek zgjedhjet e 28 qershorit duke u shprehur i sigurt se Partia Socialiste do ta fitojë këtë garë.

Ky lajm është publikuar: 11/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›