Ankesat, pushohen 4 punonjës të kthimit të pronave
Vlorë- Ankesat e qytetarëve kanë qenë shkak i largimit nga puna të 4 punonjësve të zyrës rajonale të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Vlorë. Lajmi bëhet me dije nga vetë drejtori i kësaj zyre Petraq Puleri, sipas të cilit është parë si prioritet rritja e shërbimit për qytetarët dhe respektimi i të drejtave të tyre. Sipas tij një tjetër shkak ka qenë ai i nivelit të arsimimit sipas vendit të punës. Puleri pohon se një ndër shkaqet që ka vendosur largimin e punonjësve të administratës, dy prej tyre juristë dhe dy të tjerë specialistë në zyrën rajonale, kanë qenë ankesat që kanë depozituar qytetarë të ndryshëm për ta. Por kështu ai tha se është menduar të evitohen edhe konfliktet e interesit që kanë ekzistuar, ndërkohë që është rritja e shërbimit në këtë zyrë, e cila është parë si prioritet.
Aktualisht administrata e kthimit dhe kompensimit të pronave në qarkun e vlorës përbëhet nga një personel prej 10 vetësh. Procesi i punës së administratës tashmë është dorëzimi i dosjeve të reja, për kthim, njohje dhe kompensim, proces ky që kishte një afat përfundimi në tetor të 2007, por që kaloi tani në afate të reja, nga qershoi i 2008 deri në dhjetor të 2008.