E Shtunë, 31 Tetor 2026

Denoncuesi i Shënkollit

 

Nikolla i telefonoi mbrëmë “Spiunit”. “Jam djali i xhaxhait të Florian Çupit, i burgosur në Burgun e Shënkollit dhe desha t’ju njoftoj se kushëriri im ka hyrë në grevë urie, prej datës 11 Qershor. Atij nuk i japin lejen që i takon sipas ligjit, i cili thotë se në vit, një i burgosur duhet të marrë 20 ditë leje”.

-Po çfarë ka bërë Floriani që nuk i japin lejen, nuk është sjellë mirë?- pyeti “Spiuni”.

-Jo more burr, shumë mirë është sjellë, por Drejtori i burgut ai ka bërë për inat, sepse disa muaj më parë ai botoi një letër te “Shekulli”, ku akuzonte drejtuesit për ryshfet”,- u rrëfye Nikolla.

“Spiuni”, shumë skeptik, kontrolloi për të dënuarin në fjalë dhe gjeti tamam ato që thoshte kushëriri i të burgosurit. Një letër që 33-vjeçari Florian Çupi shkruante te “Shekulli” më 8 janar 2008. Floriani rrëfente se kishte 10 vjet brenda burgut, se 5 herë e kishte prishur vendimin Gjykata e Lartë për mungesë provash dhe faktesh, dhe përsëri nuk i kishin dhënë zgjidhje problemit tim. "Ke bërë burg shumë tashmë,- thonë,- nuk ta japim dot pafajësinë, se s'mund të lëmë vendin e punës për ty...",- shkruante Floriani te “Shekulli”. Më poshtë, akuzonte korrupsionin me lejet e të dënuarve: “Ekziston e drejta e lirimit me kusht, për të dënuarit që kanë kryer tre të katërtat e dënimit, por këtë e përfitojnë vetëm ata që e paguajnë. Në burg e dinë të gjithë, që çdo ditë leje paguhet me 100-150 Euro”,- akuzonte ai në Janar 2008.

Tani që i erdhi radha për të marrë 5 ditë leje për sjellje të mirë, Florianit nuk ia japin, sepse i ka nxjerrë të palarat e burgut në gazetë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›