"Lul Berisha", i penduari nxjerr emra të rinj
****Avokati i të akuzuarit si kreu i bandës së Durrësit akuzoi qarqe të politikës për atë që ai e quajti proces të montuar
Lul Berisha: 20 dëshmitarë
për mbrojtjen time në gjyq
TIRANË- Pas 32 seancash gjyqësore, pesëshja gjykuese e Krimeve të Rënda i dha fjalën anëtarëve të bandës së Durrësit, për të paraqitur provat e tyre. Nën vëzhgimin e forcave të shumta të policisë, brenda dhe jashtë sallës së gjyqit u zhvillua një seancë gjyqësore plot me debate mes gjyqtarëve dhe avokatëve, debat ky që u pasua edhe nga njëri prej të pandehurve, Endrit Dokle. Për shkak të mungesës së njërit prej dy avokatëve të tij, Dokle kërkoi që seanca të mos vazhdojë, kërkesë kjo që u rrëzua nga gjykata. Por i pandehuri i njohur si rivali më i egër i Lul Berishës braktisi sallën në shenjë proteste. Pasi Endrit Dokle u largua nga salla e gjyqit, seanca vazhdoi me paraqitjen e kërkesave paraprake nga avokatët e gjashtë të pandehurve, të cilët parashtruan para gjykatës një sërë prapësimesh të provave, të sjella nga prokuroria dhe marrjen e provave të reja materiale, duke mos përjashtuar këtu edhe pyetjen e disa dëshmitarëve të mbrojtjes.
***
Pas mbarimit të debateve gjyqësore, avokatët paraqitën kërkesat e tyre paraprake para gjykatës duke rezervuar njëkohësisht të drejtën e kërkesave të tjera gjatë fazës gjyqësore. I pari që filloi në parashtrimin e kërkesave ishte avokati i të pandehurit Lulëzim Berisha, Ben Qeleshi, i cili përveç mospranimit të akuzave të ngritura ndaj klientit të tij, kërkoi nga gjykata që të pyeten edhe 20 dëshmitarët e tyre, që sipas avokatit do të vërtetojnë se Lul Berisha është i pafajshëm në këtë proces që ai e cilësoi të montuar. “Akuzat e ngritura nga Prokuroria e Krimeve të Rënda ndaj klientit tim janë të pabaza dhe të sajuara, pasi ai është një i dëmtuar në këtë proces dhe jo i pandehur. Organi i akuzës, duke përdorur mjete të ndryshme, ka akuzuar publikisht nëpër media klientin tim, si organizator i një “bande” që nuk ka ekzistuar. Ndaj tij, prokuroria nuk ka sjellë asnjë provë shkresore apo materiale, por gjithçka është ngritur në bazë të fantazisë së AdriatikColit, që thuhet se është i penduar”,-tha Qeleshi në fjalën e tij. Avokati i Lul Berishës shtoi se për të zbardhur pafajësinë e klientit të tij, kërkon që gjykata të thërrasë për të marrë në pyetje 20 dëshmitarë, lista e të cilëve u dorëzua pranë sekretarisë gjyqësore.
***
Ndërkohë, avokatët e të pandehurve të tjerë, gjatë fjalës së tyre për kërkesat paraprake akuzuan Prokurorinë e Krimeve të Rënda për një proces të falsifikuar dhe montuar nga politika. “Ky proces gjyqësor dhe kjo “bandë” e stisur është montuar dhe falsifikuar nga prokuroria dhe qarqet e caktuara të politikës, të cilët dëshirojnë që këta djem të qëndrojnë prapa hekurave të burgut, pasi u duhen për fushatë elektorale. Këto fakte vërtetohen edhe nga deklarimet e zyrtarëve politikë që kanë trumbetuar dhe trumbetojnë prej disa vitesh nga foltorja e Kuvendit e deri në fshatrat më të thellë të Shqipërisë, ku ekzekutivi, konkretisht kryeministri, merr pjesë në fushata inauguruese apo elektorale”,-tha avokat Riza Icka, duke shtuar se “arrestimi i tyre është komentuar në të gjitha vendet ku ka shkelur këmba e kryeministrit për këto tre vite”. Gjithashtu, në paraqitjen e kërkesave paraprake, avokatët mbrojtës dhe vetë të pandehurit, kërkuan nga gjykata të administrohen një sërë dosjesh dhe shkresash zyrtare, në lidhje me ngjarjet e ndodhura që nga vitit 1998 e deri 2006 në qytetin e Durrësit, ku 17 të pandehurit akuzohen për kryerjen e tyre.
****I penduari i bandës së Durrësit paralajmëron dëshminë e tij të dytë, me të tjerë të implikuar në bandën e Durrësit
Kërcënon Coli: Të tjera
arrestime pas dëshmisë time
TIRANË- Adriatik Coli nuk ka frikë. Edhe pse përballë ish-bosëve të tij, i penduari i bandës së Durrësit nuk heziton të kërcënojë sërish, këtë herë persona të tjerë të implikuar. I mbrojtur gjithë kohës nga tre punonjës policie të maskuar, Coli paralajmëron një tjetër rrëfim, me “surpriza” të reja. “Akuzat e ngritura ndaj meje janë të drejta. Kur të më vijë radha për të dëshmuar, do të flas e do të tregoj përveç këtyre që kam thënë edhe emrat e personave të tjerë, të përfshirë në krime. Pas këtyre deklarimeve që do të bëj, do të ketë arrestime edhe të personave këtu brenda sallës së gjyqit, apo edhe jashtë saj”,-pohoi dje i penduari i bandës së Durrësit, pa iu dridhur qerpiku, duke drejtuar dorën nga familjarët e të pandehurve që ndodheshin në sallë. Ilariteti në sallë nuk ia prishi terezinë Colit. “Unë jam dakord me ato që ka kërkuar avokati im dhe sapo të më vijë radha, do të flas për të gjitha ato që akuzohem dhe ato që kam thënë para prokurorisë”,-tha ai, duke u ulur në karrigen që ndodhej në këndin e majtë të sallës së gjyqit, i rrethuar prej tre punonjësve të policisë, që mbanin maska të zeza dhe jelekë antiplumb.
***
Trupat e bëshëm të punonjësve të policisë i lejonin Colit të shikohej vetëm prej anëtarëve të trupit gjykues. Deklarimet e të penduarit Adriatik Coli erdhën pas akuzave të drejtuara ndaj tij nga avokatët e të pandehurve, të cilët e quajtën disa herë kriminel dhe vrasës të lindur. “Deklarimet e këtij të penduari që thoni ju, janë fantazi përrallore që vetëm nëpër filma i kemi dëgjuar. Siç duket, ai për të shpëtuar veten nga krimet që ka kryer, kthehet e kërkon bashkëpunim. Por bashkëpunimi me drejtësinë, nuk e shfajëson atë nga të qënit kriminel i lindur, që vrasjen e ka në gen”,-tha avokat Riza Icka, gjatë fjalës së tij, duke e cilësuar Colin si një sajues me fantazi përrallore, por që në fakt ka groposur 17 të akuzuarit si anëtarë të bandës së Durrësit. Avokatët e të pandehurve, me të filluar seanca gjyqësore kërkuan nga trupi gjykues që të njihen me marrëveshjen e statusit të nënshkruar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe i penduarit Adriatik (Dritan) Coli. “Kërkojmë sqarim nga Gjykata, pse të pandehurit e një procesi trajtohen me dy standarde. Një nga të pandehurit trajtohet ndryshe nga të tjerët, duke e sjellë në gjyq të veshur me skafandër, antiplumb dhe të gjithë kohës të shoqëruar nga forca të mëdha të sigurisë. Na tregoni se çfarë ka ky i pandehur ndryshe, ka ndonjë marrëveshje apo jo? Nëse ka, na e vini në dispozicion ta shikojmë, sepse trajtohet ndryshe ky i pandehur. Ka status të bashkëpunëtorit, vendoseni marrëveshjen në fashikullin e gjykimit që të njihemi me të, se ne nuk e dimë arsyen pse trajtohet ndryshe Adriatik Coli”,-thanë avokatët.
***
Gjyqtari i Krimeve të Rënda i kërkoi avokatëve të shfletojnë Ligjin për Mbrojtjen e Dëshmitarëve të Drejtësisë dhe njëkohësisht u shpreh se: “kërkesa juaj do të shqyrtohet nga trupi gjykues”. Ndërkohë, ajo që i ka “shqetësuar” më shumë avokatët e 17 të pandehurve pas “kërcënimit” të të penduarit se do të flasë e do të përmendë emra të tjerë të përfshirë në krime, është gjendja psikike e tij. “Duke parë deklarimet që i pandehuri tha më parë, se do të flasë për emra të tjerë e do të arrestohen edhe persona në sallë, kërkojmë nga gjykata të caktojë një grup specialistësh të psikiatrisë për të bërë një akt-ekspertim psikik të tij, pasi vërejmë se gjendja e tij është e rënduar dhe nuk di çfarë flet”,-tha avokati i Lul Berishës, Ben Qeleshi. Ndërkaq, i penduari Coli buzëqeshte me ironi të dukshme pas efektivëve të policisë. Gjithashtu edhe avokati Skënder Demiri nuk përtoi t’i drejtohet me kërkesë Gjykatës për të penduarin Coli, duke kërkuar që t’i bllokohet pasaporta dhe të kërkohet nga të gjitha pikat kufitare të Shqipërisë për hyrje daljet e të penduarit që nga vitit 1998 e deri në momentin e kthimit të tij në Shqipëri nga Italia, për të bashkëpunuar me drejtësinë.
REAGIMI
Dokle: Nuk jemi në Irak
që të më hiqni avokatin
TIRANË- “Nuk jemi në Irak, ku i arrestuari nuk ka të drejtën e mbrojtjes ngaavokati. Unë nuk dua që të bëhet gjyqi pa praninë e njërit prej dy avokatëve që kam”. Me këto fjalë iu drejtua pesëshes gjykuese të Krimeve të Rënda, i pandehuri Endrit Dokle, kërkesë të cilën gjykata nuk e pranoi dhe vendosi vazhdimin e seancës gjyqësore, por duke i dhënë të drejtën që mos të shprehet në lidhje me kërkesat e tij paraprake dhe provat që ai kërkon të administrojë në gjykatë për pafajësinë e tij. Ky vendim e irritoi të pandehurin, i cili braktisi sallën e gjyqit në shenjë proteste për mosplotësimin e kërkesës së tij, por largimi i tij nuk ndikoi në ndërprerjen e seancës gjyqësore. “Unë nuk dua që gjyqi të bëhet pa avokatin tim. Ju duhet të prisni që edhe avokati im të jetë në gjyq dhe jo t’i drejtoni seancën si të isha peng në Irak, se vetëm atje nuk të lejohet avokat”,-tha Dokle, duke dalë nga salla e gjyqit. Edhe avokati i tij, prezent në seancën e djeshme gjyqësore, Petraq Semani, rezervoi të drejtën e shprehjes në lidhje me kërkesat paraprake bashkë me avokatin Detar Hysi, që mbron interesat e të pandehurit Sardjan Sulejmani. F.Vezaj
I akuzuari Selman Heti akuzon prokurorët, duke thënë se është analfabet
Heti ndërron dëshminë:
Prokuroria më detyroi
TIRANË- Gjatë seancës së djeshme nuk munguan edhe deklaratat e të pandehurve të tjerë që ndodheshin prapa hekurave të kafazit të sallës së gjyqit nr.1 të Gjykatës së Krimeve të Rënda. Pas fjalës së avokatit të të pandehurit Selman Heti, i cili kërkoi nga gjykata marrjen si prova materiale të një sërë shkresash dhe procesverbalesh, vetë i pandehuri Heti kërkoi që avokati i tij të lexonte një deklaratë të firmosur me gisht nga ai vetë, por që sipas tij është shkruar nga një shok i qelisë. “Unë i nënshkruari Selman Heti jam analfabet dhe i pa shkollë. Nuk di të lexoj dhe as të shkruaj. Në kohën e arrestimit tim, prokuroria më ka mashtruar dhe detyruar të firmos një procesverbal, të cilin unë nuk dija as të lexoja se çfarë kanë shkruar. Prokuroria më ka mashtruar, duke më thënë të vendosja gishtin, pasi me nënshkrimin e këtij procesverbali të shkruar nga vetë ata, do të ikja jashtë shtetit. Gjithashtu, edhe deklaratat që kam bërëgjatë caktimit të masës së sigurisë në gjykatë, i kam bërë siç donin prokurorët, pasi ata më mësuan të them ashtu. Pasi prokurorët më thanë se ne duam të mbajmë në burg nipin e Namik Dokles dhe jo mua. Unë kam thënë ashtu siç më mësuan ata. Nuk i njoh asnjë nga këta djem që ndodhen këtu me mua”,-thuhej në letrën e dorëzuar para gjykatës. Nga ana tjetër, Selman Heti ka mohuar akuzat, duke ndryshuar njëherazi dëshminë e tij. “Jam i pafajshëm për çfarë më akuzon prokuroria”,-ka thënë ai, gjatë kërkesës që i dorëzoi dje Gjykatës së Krimeve të Rënda. F.Vezaj
TË ARRESTUAR
Adriatik (Dritan) Coli, lindur në Durrës më 14 mars 1971 dhe banues në Durrës, i penduari i bandës Lulzim Berisha , lindur më 13 maj të vitit 1971 dhe banues në Durrës
Indrit Taullau, lindur më 11 prill të vitit 1975 dhe banues në Durrës
Endrit Dokle, 23 vjeç, lindur në Durrës dhe banues në Tiranë
Altin Olloni, lindur në Kukës, banues në Tiranë
Kujtim Buna, 27 vjeç, lindur në Kukës e banues në Tiranë
Sardjan Sulejmani, 20 vjeç, lindur e banues në Durrës
Alban Neli, lindur në Burrel më 1979, banues në Durrës Spartak Kalthi, lindur në Burrel më 19 dhjetor të vitit 1988, banues në Burrel Selman Heti, lindur në fshatin Koms Burrel, më 1983, dhe banues në Burrel Altin Nikolla, lindur në Burrel më 17 mars të vitit 1983, dhe me banim në Durës Edvin Hoxhosmani, lindur në Burrel më 14 qershor 1983, dhe banues në Burrel
NË KËRKIM NDËRKOMBËTAR
Plaurent Dervishaj, lindur më 2 dhjetor të vitit 1972, dhe banues në Durrës Bujar Gashi, 36 vjeç, i lindur në Kukës dhe banues në Durrës,
Kristian Begu, 31 vjeç, i lindur në Manzë, Durrës dhe banues në lagjen “15”, Durrës
Osman Karpuzi, 29 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Sedllavë, Kosovë
Ahmet Ajeti, 24 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Magurë, të komunës Lipjan, në Kosovë