Beogradi jeton nën hijen e Millosheviçit

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se i vinte keq që disa drejtues në Beograd vazhdojnë të jetojnë në kohën e Sllobodan Millosheviçit dhe se fantazma e të ashtuquajturit "Kasapi i Ballkanit" ende është e pranishme në zyrën e Presidentit aktual Boris Tadiç. Në një intervistë për të përditshmen kroate "Jutarnji List", kryeministri Thaçi është shprehur se fatkeqësisht, Beogradi ende nuk mund të pajtohet me faktin se Kosova është e pavarur, por përpiqet të rrezikojë tërësinë territoriale të shtetit më të ri në botë. "Kjo nuk është mirë as për Beogradin, sepse ata do të duhej që të mendonin më shumë për të ardhmen e tyre euroatlantike dhe jo për të kaluarën", ka thënë kryeministri kosovar Thaçi. "Pavarësia e Kosovës ka sjellë më shumë paqe, stabilitet, mirëkuptim dhe tolerancë ndëretnike. Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, nuk kemi konflikte ndëretnike. Serbët nuk janë vetëm pjesë e shoqërisë kosovare, por edhe pjesë e institucioneve të saj, të parlamentit dhe të qeverisë e cila e udhëheq vendin", përfundon Hashim Thaçi.