E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama:Ndihmë amerikanëve për hipotekat

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barak Obama ka premtuar në fjalimin e tij të përjavshëm radiofonik të fundjavës, që del edhe në YouTube se do të ndihmojë amerikanët për hipotekat me anë të planit të shpëtimit, që pritet të miratohet së shpejti. Plan ky, që sipas Obamës, do të rigjallërojë sistemin financiar. Obama, që si prioritet të administratës së tij të re ka luftimin e krizës ekonomike, bëri thirrje që Senati amerikan të miratojë paketën e tij të ndihmës ekonomike që kaloi këtë javë në Dhomën e Përfaqësuesve. Teksa kushtet ekonomike në vend po përkeqësohen, Presidenti Obama tha se strategji të reja do të ndërmerreshin. "Së shpejti Sekretari im i Thesarit Tim Geitner do të lajmërojë një strategji të re për rigjallërimin e sistemit tonë financiar. Ne do të ndihmojmë kostot e hipotekave dhe do të zgjerojmë huadhëniet për bizneset e vogla në mënyrë që të krijohen vende të reja pune", deklaroi Barak Obama. Obama nuk ka dhënë detaje specifike për planin e ri apo një kohë kur do të publikohet. Në fjalimin e tij të përjavshëm, Obama tha se paketa e tij e ndihmës do të shpëtonte ose krijonte të paktën tre milionë vende pune për vitet në vazhdim. Presidenti Obama theksoi se do të bashkëpunonte me të dyja partitë politike për të garantuar një marrëveshje të fortë ndihme.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›