E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beogradi, kushtëzon dialogun

Borislav Stefanovic ka kushtëzuar pjesëmarrjen në dialog përderisa të mos ketë zgjidhje për dy pikat kufitare në Veri. Nëse ndahet i pakënaqur me bisedimet me Robert Cooper dhe Philip Reeker, ai do të bojkotojë takimin e sotëm. Raundi i shtatë i dialogut u shty për të mërkurën për shkak se negociatori serb arriti me vonesë në Bruksel. Nga Valmir Klaiqi më 28 shtator 2011 në ora 08:37

Shefi i delegacionit serb, Borislav Stefanovic ka marrë instruksione të qarta nga shefi tij, presidenti Boris Tadic. Ai nuk do të marrë pjesë as në takimin e sotëm në Bruksel me delegacionin e Kosovës, nëse ndahet i zhgënjyer me bisedimet për pikat doganore me përfaqësuesin e BE’së, Robert Cooper dhe përfaqësuesin amerikan, Philip Reeker
Takimi i Stefanovic me dy diplomatët perëndimorë ka qenë i paraparë të mbahet të martën në mbrëmje.

Këtë e ka konfirmuar negociatori serb, për mediat e Beogradit.

“Bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës nuk do të mbahen të martën në Bruksel siç ishte paraparë, e, a do të mbahet të mërkurën, varet nga rrjedha e takimit trepalësh mes Borko Stefanovicit me Cooperin dhe Reekerin rreth situatës më të re në Veri të Kosovës”, ka shkruar agjencia Tanjug.

“Nga rrjedha e këtij takimi varet se a do të vazhdohen bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës”, citohet të ketë thënë Stefanovic.

“Bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës janë pezulluar dhe nuk do të vazhdojnë përderisa të mos zgjidhet situata në vendkalimet administrative në Jarinje dhe Bërnjak”, ka thënë ai.

Shefja e delegacionit të Kosovës, Edita Tahiri nuk e di nëse homologu i saj do të ketë mundësi të flasë për doganat kosovare në veri me ndërmjetësit perëndimorë.

“Deri në momentet sa ne kemi qenë në ndërtesën e BE’së jo. Mund të them se takimin e parë e kemi pasur sot me zotin Cooper në ora 15:30 ku kemi biseduar 1 orë. Më pas kemi pasur takim të përbashkët me Cooperin dhe Reekerin. Kështu që deri në orën 19:00 në mbrëmje, delegacioni serb nuk ka qenë në ndërtesën e BE’së”, ka thënë ajo për Express, gjatë një bisede përmes telefonit.

Por zëvendëskryeministrja Tahiri është e sigurt se kjo temë e propozuar nga Beogradi dhe që po bën përpjekje të vazhdueshme ta fusë në agjendë, nuk do të pranohet.

“Sa i takon çështjes së pikave doganore, ne edhe sot në takim me zotin Cooper gjatë diskutimit theksuam se dialogu mbetet sipas agjendës së paraparë. Pra nuk do të ketë tema politike dhe në këtë çështje jemi në linjë të njëjtë ne si palë me ndërmjetësin e BE’së. Pra siç dihet tashmë, plani për implementimin e marrëveshjes për tregti të lirë dhe pikat doganore si dhe rivendosja e kontrollit të Kosovës në kufirin verior është një plan i përbashkët dhe një veprimtari e përbashkët midis Qeverisë së Kosovës, BE’së, SHBA’ve si dhe KFOR’it e EULEX’it. Pra ky është një aktivitet i përbashkët dhe për këtë kemi mbështetje të plotë”, ka thënë ajo.

Delegacioni i Kosovës ka pasur dje takime me Cooperin dhe ndihmëssekretarin amerikan, Philip Reeker.

“U pajtuam që të mërkurën të vazhdojë dialogu me të gjitha pikat e rendit të ditës. Ne si Qeveri e Kosovës e vumë theksin tek rëndësia e implementimit të marrëveshjeve, si çelës për suksesin e dialogut. Si dhe thamë se ngecjet në zbatimin e marrëveshjeve e dekurajojnë procesin e temave të reja në bisedime”, ka thënë Tahiri.

Ajo foli për garancitë që ka marrë nga ndërmjetësi i BE’së.

“Nga Cooper morëm garancat se të mërkurën BE do të prezantojë vlerësimet e veta për problemin e ngecjeve dhe ka përgatitur vlerësimin për performancën e palëve, ashtu siç kemi kërkuar ne me letër nga zoti Cooper. Si dhe do t’u bëhet me dije palëve se çfarë janë masat që BE do t’i ndërmarrë për ta bërë implementimin realitet”.

Megjithëse deri më tash me Serbinë janë arritur pesë marrëveshje, asnjëra nga to nuk është zbatuar siç janë pajtuar palët dhe ndërmjetësit ndërkombëtarë. Edita Tahiri kërkon që të ketë rezultate në këtë drejtim.

“Agjenda e së mërkurës mbetet e njëjtë, por me theks të veçantë do të diskutohet për ngecjet në implementimin e marrëveshjeve të deritashme. Sepse në qoftë se nuk do të ketë implementim efektiv dhe efikas, atëherë dialogu po e humb kuptimin”, ka thënë ajo.
Negociatorja kosovare ka kërkuar që Kosova të përfitojë në integrimin drejt BE’së për shkak të rolit konstruktiv në dialog.

“Në takimin me Robert Cooper unë kam kërkuar po ashtu që konstruktiviteti i palës së Kosovës në këtë dialog, duhet të kurorëzohet me marrjen e marrëdhënieve kontraktuale sepse edhe rezoluta e OKB’së thekson qartë se ky dialog shërben për afrimin e vendeve me BE’në. Mendoj se këtë test të konstruktivitetetit e kemi kaluar pozitivisht në raport me BE’në dhe në raport me bashkësinë ndërkombëtare”, tha ajo.

Në ditën kur ishte paraparë të mbahet raundi i shtatë në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, në pjesën veriore serbët lokalë sulmuan KFOR’in me gurë dhe mjete shpërthyese. Katër ushtarë të NATO’s u plagosën dhe shtatë serbë.

Për situatën në Veri, Stefanovic ka komentuar para nisjes për në Bruksel. Ai ka thënë se incidenti në Jarinje ka ndikim të keq në bisedimet midis dy delegacioneve.

“Ngjarjet në Jarinje dëshmojnë se ka fuqi të cilat nuk duan ta zgjidhin problemin me rrugë paqësore dhe të cilat janë të gatshme që për këtë të gjuajnë në njerëz të pafajshëm.

Kjo bëhet me qëllimin që Serbia të heqë dorë nga dialogu dhe kësisoj të fajësohet se nuk dëshiron zgjidhjet paqësore”, ka thënë Stefanovic.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›