E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërset në Jarinje

Dyshohet se nëntë ushtarë të KFOR’it dhe disa serbë u plagosën afër pikës së Jarinjes, në Veri të Kosovës. Serbët sulmuan trupat e NATO’s, si reagim ndaj mbylljes së një rruge alternative për Serbi. Ushtarët u përgjigjen me plumba gome, e banorët me armë zjarri e gurë. Për situatën e krijuar, reagoi OKB dhe BE, por jo edhe institucionet e Kosovës. Nga Jeton Musliu më 28 shtator 2011 në ora 08:34

Ato çfarë thanë tërë ditën e martë lidhur me situatën në veri të vendit, në mbrëmje, dolën në konferencë për media dhe i quajtën “thashetheme”.

Për krejt cfarë ka ndodhur afër pikës kufitare të Kosovës me Serbinë në Jarinje, zyrtari për media i KFOR-it, Ralf Adametz, e dha një version aq të çuditshëm, saqë vështirë se dikujt do t’i mbushet mendja. Sipas tij, gjatë ditës, një automjet civil u përpoq të hyjë brenda zonës së ndaluar në pikën kufitare të Jarinjes, në kufirin e Kosovës - Serbi.

Forcat e KFOR-it, kanë vepruar në mbështetje të EULEX-it duke parandaluar shtypjen e një ushtari të tyre i cili u plagos nga ky automjet. Gjatë incidentit, një serb lokal është përpjekur t’ia marrë armën ushtarit i cili pas një paralajmërimi verbal, ka shtënë duke plagosur një person i cili është marrë nga një ambulancë private. “Ne nuk dimë më për gjendjen e tij shëndetësore”, tha Adametz.

Ai pranoi se ka të plagosur nga të dyja palët, nga serbët e revoltuar dhe ushtarët e KFOR-it, por ndryshe nga deklarimet e tij gjatë ditës, në mbrëmjen e së martës, ai nuk pranoi të sqarojë sa dhe në çfarë gjendje janë.

Kështu, versioni zyrtar i KFOR-it është se pas keqësimit të situatës, në drejtim të tyre serbët hodhën edhe koktej molotovi.

“Ka pasur të shtëna në afërsi të KFOR-it. Situata ishte e tensionuar, por tani është nën kontroll”, tha Adametz, duke u bërë thirrjen e zakonshme qytetarëve për qetësi dhe paqe. Ngjashëm edhe EULEX-i nëpërmjet zëdhënësit Nicholas Hawton, e shpjegoi ngjarjen se cfarë ka ndodhur. Ndonëse në deklarimet e shkruara shihej përpjekja për të thënë të njëtën gjë me fjalë të ndryshme, ai përcolli edhe mbështetjen e Brukselit për vendosjen e rendit dhe ligjit në vend.

Asnjëri nuk treguan sa është numri i të lënduarve, sa pjesëtarë të KFOR-it janë lënduar, nëse kanë prova për të dëshmuar versionin e tyre të ngjarjes, nëse kanë mbajtur kontakte me zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, e pyetje të tjera që gazetarët iu drejtuan. Së paku, zyrtari për media i KFOR-it u përgjigj me një “Jo”, të prerë, kur u pyet nga Express nëse trupat e NATO-s ndihen të turpëruara që nuk po mund t’ia dalin në krye me një grusht serbësh radikalë.

“Ne jemi thellësisht të bindur se shumica e popullsisë dëshiron paqe dhe stabilitet dhe akte të tilla si këto, qoftë nga individë apo grupe, janë një kërcënim serioz për sigurinë e banorëve në këtë zonë”, tha Ralf Adametz.

Pavarësisht deklarimeve të tyre në mbrëmje, gjatë tërë ditës së martë, zyrtarët e KFOR-it, për media të ndryshme kanë dhënë të tjera deklarata. Madje në disa raste ato janë bërë nga i njëjsti zëdhënës që në mbrëmje mohoi gati gjithçka.

Tregimi i ditës

Dhuna që shpërtheu, disi u vendos nën kontroll. Në mesditën e së martës, disa orë ishin shumë të tensionuara. Nuk munguan edhe plagosjet e serbëve lokalë që për javë të tëra kanë bllokuar rrugët me barrikada. Por, të plagosur pati edhe nga trupat e NATO-s.
Prej katër ushtarëve të KFOR-it të plagosur nga të shtënat e serbëve të revoltuar, një prej tyre, është në gjendje të rëndë.

Kai Gudenoge, një nga zëdhënësit e KFOR-it, deklaroi se përveç njërit, tre ushtarët e tjerë janë të lënduar më lehtë. “Ai që është plagosur rëndë do të evakuohet”, ka thënë Gudenoge për radion Evropa e Lirë gjatë ditës së martë. Ndërkohë, burime të Expressit kanë treguar se pjesëtari amerikan i KFOR-it i lënduar rëndë, është transportuar me urgjencë drejt kampit të Bonsteelit afër Ferizajt.

Por, përveç ushtarëve, edhe nga ana e protestuesve ka pasur të lënduar. Nga ana e tyre, shtatë janë dërguar me urgjencë drejt spitalit në veri të Mitrovicës dhe të gjithë janë në gjendje të rëndë, kurse dhjetë të tjerë kanë marrë ndihmë mjekësore në shtëpinë e shëndetit në Leposaviq. Disa nga mediat serbe kanë raportuar se katër nga të lënduarit më rëndë janë: Aco Radunovi, Mladen Antonijevi, Milan Premovi dhe Stevo Petronijevic, por këto të dhëna nuk janë konfirmuar nga burime të pavarura.

Sipas Milan Jakovleviq, drejtor në qendrën e shëndetit në veri të Mitrovicës, shtatë persona janë pranuar në këtë spital, tre prej tyre në gjendje të rëndë, nga plagët e shkaktuara prej municionit. E tërë situata është përkeqësuar rreth orës 13 e 10 minuta, por pas rreth dy orësh gjendja disi është qetësuar.

Lëndimin e protestuesve serbë, gjatë ditës së martë, e kanë konfirmuar edhe zyrtarë të KFOR-it. Zëdhënësi Kai Gudenoge deklaroi se ushtarët e trupave paqeruajtëse u detyruan që në "vetëmbrojtje të shtënë me plumba të gomës ndaj serbëve që u mblodhën në kalimin administrativ në Jarinje”. Ai ka thënë se u qëllua mbi serbët protestues, pasi ata fillimisht gjuajtën me gurë ushtarët gjermanë. “Një ushtar u plagos dhe ushtarët u detyruan që në vetëmbrojtje të kundërpërgjigjen me plumba gome", është shprehur ky zyrtari i KFOR-it.

Zëdhënësi Gudenoge tha se situata më vonë gjatë ditës së martë ishte "absolutisht e qetë, por ajo mund të ndryshojë në çdo kohë."

Agjencitë e huaja të lajmeve, nëpërmjet korrespondentëve të tyre serbë në veri të Kosovës, kanë raportuar se ushtarët e KFOR-it u plagosën kur serbët gjuajtën një bombë dore në drejtim të tyre. Kështu së paku ka raportuar Radio France Internacional (RFI). Përveç kësaj, sipas KFOR-it, gjatë ditës së martë, mijëra serbë janë nisur nga Zveçani e Leposavici në drejtim të pikës kufitare në Jarinje.

Burime të Expressit kanë konfirmuar se së bashkë me serbët e revoltuar është duke qëndruar edhe Oliver Ivanovic, sekretar shtetëror në Ministrinë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë. Ai gjatë tërë ditës së martë, me rreth 500 serbë, ka qëndruar në gjendje gatishmëri dhe duke i këshilluar serbët se si të veprojnë.

Drejt veriut të Kosovës, të martën gjithashtu është nisur me urgjencë edhe Goran Bogdanoviq, ministër për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Largimin e barrikadave nga rrugët e vendit në veri të vendosura nga serbët lokalë e kërkon edhe Misioni i EULEX-it. Irina Gudelevic, një nga zëdhënëset e këtij misioni, ka thënë për mediat serbe se barrikadat janë të dëmshme për qytetarët dhe ato duhet të hiqen për të lehtësuar qarkullimin e mallrave dhe të njerëzve. Madje ajo ka sqaruar se aksioni i ditës së martë, për largimin këtyre pengesave nga rrugët, është ndërmarrë nga KFOR-i dhe vetë EULEX-i.

Sipas saj, Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit në vend po ndjek situatën dhe të gjitha opsionet janë të hapura, por duhet gjithashtu që të gjitha barrikadat të hiqen sa më parë. Ajo ka shtuar se doganierët e EULEX-it janë prezentë në të dyja pikat kufitare në veri të Kosovës, 1 dhe 31, të cilat teknikisht janë të gatshme të jenë operacionale, por se hapjen e tyre e kanë penguar barrikadat e vendosura në rrugët e afërta. Ajo sërish ka konfirmuar se Dogana dhe Policia e Kosovës janë prezentë në të dyja pikat, por dogana dhe policia e EULEX-it ushtron punët operacionale në Jarinje dhe Bërnjak, gjë që është në pajtim me mandatin ekzekutiv të misionit të BE-së.

Përndryshe, gjatë ditës së martë, forcat paqeruajtëse të KFOR-it kanë arrestuar pesë persona, të cilët kanë kundërshtuar përpjekjet e këtyre forcave për heqjen e një barrikade në Jarinje. Zyrtari tjetër për informim i KFOR-it, Ralf Adametz, ka deklaruar për RFE se pas arrestimit të tyre, personat e dyshuar i janë dorëzuar EULEX-it për marrje në pyetje. “Ne kemi arrestuar 5 persona për shkak të sjelljes agresive në Jarinje, në portën 1.

Më pas ata i kemi dorëzuar tek EULEX-i për hetime të mëtutjeshme dhe tani të pesë personat në fjalë janë liruar”, ka thënë Adametz. Aksionet e së martës janë të parat të ndërmarra nga forcat ndërkombëtare të sigurisë që prej 16 shtatorit, kur u arrit marrëveshja Kosovë-Serbi me ndërmjetësim të BE-së dhe SHBA-ve për pranimin e vulave doganore.

Digjen veturat
Qytetarët e revoltuar të veriut të Mitrovicës kanë dëmtuar dy makina të EULEX-it. Kështu bëjnë të ditur mediet serbe, duke shtuar se disa grupe serbësh të provokuar nga incidentet që ndodhën në Jarinje kur ushtarët e KFOR-it, sipas medieve serbe, shtien në drejtim të qytetarëve në barrikada, u nxitën për t’i sulmuar dhe dëmtuar makinat e EULEX-it.

NATO
Komandanti i krahut jugor të NATO-s, admirali Samjuell Llokllir, ka bërë thirrje për qetësim të situatës në veri të Kosovës. “Është dëshirë e imja që situata të qetësohet dhe që qytetarët e Kosovës të abstenojnë nga dhuna, duke mbështetur një zgjidhje paqësore të krizës aktuale”, citohet të ketë thënë admirali amerikan në një komunikatë për media. Në komunikatë thuhet se situata aktuale tek porta 1 në Jarinë mbetet e tensionuar, por nën kontroll.

Lajmi i fundit

Nëntë ushtarë të KFOR-it janë lënduar gjatë përleshjeve të së martës. Sipas gazetës Blic, bëhet fjalë për tetë amerikanë dhe një gjerman, ndërsa prej gjithë të lënduarve, njëri është në gjendje më të rëndë. Gjatë ditës, zëdhënësi i KFOR-it ka konfirmuar për katër pjesëtarë të tyre të lënduar, por më vonë nuk kanë pranuar të konfirmojnë asgjë, madje as për ato që i kanë thënë vetë gjatë ditës.

Tadic
Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, ka shprehur sot brengosje të madhe për përleshjet dhe për përkeqësimin e situatës së sigurisë në pjesën veriore të Kosovës. Ai u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës për përmbajtje dhe qetësi. „peloj për qetësimin e situatës, sepse ruajtja e paqes dhe e dialogut është e vetmja mënyrë për zgjidhjen e problemeve”, tha Tadiq dhe shtoi se “forcat ndërkombëtare janë aty për t’i mbrojtur qytetarët duarthatë, e jo të përleshen me ta”. A i ka bërë thirrje KFOR-it për “përmbajtje maksimale”, kumtoi presidenca e Serbisë.

AAK
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i dënon fuqishëm sulmet e organizuara të bandave serbe ndaj ushtarëve amerikanë të KFOR-it, në pikën kufitare në Jarinë, gjatë ditës së sotme”, ka kumtuar Zyra e informacionit e AAK-së. Mëtutje, në njoftim theksohet se këto sulme, AAK-ja i konsideron “veprime kundër paqes, stabilitetit, shtetit të Kosovës dhe kundër të ardhmes së përbashkët të të gjithë atyre që jetojnë në vendin tonë”.

BE
Bashkimi Evropian e “dënon fuqishëm dhunën ndaj pjesëtarëve të bashkësisë ndërkombëtare në pjesën veriore të Kosovës dhe u bënë thirrje të gjithëve për sjellje me përgjegjësi dhe përmbajtje”, ka deklaruar sot në Bruksel, Maja Kocijançiç, zëdhënëse e shefes së politikës së jashtme të BE-së, Ketrin Eshton. Sipas zëdhënëses Kocijançiç, Bashkimi Evropian plotësisht i mbështet përpjekjet e KFOR-it dhe EULEKS-it, për ta qetësuar situatën dhe poashtu e mbështet heqjen e barrikadave. Ajo ka thënë se barrikadat e kufizojnë lirinë e lëvizjes dhe duhet të hiqen.

VV
Lëvizja Vetëvendosje, ka reaguar në lidhje me zhvillimet e fundit në veri të vendit. Spas kësaj lëvizjeje, strukturat ilegale të Serbisë po ushtrojnë dhunë për ta shtyrë përpara agjendën politike të Serbisë. “gjarjet e sotme në pikën kufitare në Jarinjë, vetë protesta, por veçanërisht të shtënat me armë zjarri nga persona pjesëmarrës në protestë, përkojnë me ditën kur pritet të takohet Edita Tahiri me Borislav Stefanoqivin e Qeverisë së Serbisë. Asnjë prej këtyre nuk është e rastësishme”, thuhet në reagimin e tyre.

Ban Ki Moon
Sekratari i përgjithsjëm i OKB-së, Ban Ki Moon, u ka bërë thirrje të gjitha palëve në Kosovë që të përmbahen nga aksionet e njëanshme, si dhe ka kërkuar nga akterët ndërkombëtarë që t’u përmbahen mandateve të tyre.

Kuçi
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi e ka komentuar situatën e fundit në veri, duke thënë se këto janë përpjekje të vazhdueshme të grupeve kriminale që ta destibilzojnë situatën. Kuçi ka thënë për KTV-në se institucionet e Kosovës janë të përgatitura për sfida të tilla.Ai ka ritheksuar vendosmërinë për t’i hequr barrikadat në veri të vendit, në mënyrë që të krijohet lëvizja e lirë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›