E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpresat në gjykata

Ndotësit e ambientit në Kosovë mund të ndëshkohen deri në 50 mijë euro, nëse gjykata vendos në favor të Ministrisë së Mjedisit. Gjasat janë të vogla pasi kjo e fundit nuk e ka sefte me padi të tilla. Në MMPH thonë se për shkak të neglizhencës së gjyqësorit për ekzekutimin e padive, shpesh ka rezultuar që lëndët të zvarriten, kurse disa, pasi kanë ‘pushuar’ për vite të tëra në sirtarët e gjykatave, janë kthyer si “lëndë të parashtruara”. Nga Zekirja Shabani më 28 shtator 2011 në ora 08:42

Ministria e Mjedisit ka marrë zemër karshi ndotësve të ambientit. Po i padit një nga një kompanitë që me veprimtarinë e tyre kanë ndikim në ndotjen e mjedisit, e sidomos ajrit. Javën që shkoi këtë fat e pati fabrika e prodhimit të nikelit, Ferronikeli në Drenas, bashkë me disa operatorë tjerë ekonomikë në komunën e Shtërpcës. E të martën MMPH ka bërë kërkesë në Gjykatën për Kundërvajtje në Kaçanik për fillimin e procedurës për kundërvajtje kundër fabrikës së çimentos “SharrCem”në Han të Elezit.

Në paditë e ngritura thuhet se kompanitë në fjalë nuk kanë bërë përcjellje kontinuale të ndotjes së ajrit. Prandaj janë përgjegjës për situatën e pakontrolluar mjedisore, të krijuar nga mosveprimi në monitorimin kontinual të përcjelljes së shkallës së ndotjes, gjë që mund të jetë me pasoja të paparashikuara për popullatën dhe mjedisin në lokacionin për rreth objektit dhe më gjerë.

Në bazë të ligjit, gjykata mund t’i ndëshkojë kompanitë deri në 50 mijë euro për shkeljet e konstatuara nga inspektorët e mjedisit.

Kështu, zyrtarët e kësaj ministrie shpresojnë të vetëdijesohen prodhuesit që të respektojnë ligjet dhe normat e përcaktuara për lirimin e gazrave.

Por, zyrtari për informim i kësaj ministrie, Gazmend Avdiu pranon se nuk kanë një përvojë të mirë me paditë e tilla, pasi gjykatat nuk e kanë kryer punën si duhet.

“... gjatë punës së MMPH-së janë ngritur vazhdimisht padi për ndotësit e mëdhenj, të cilat janë dërguar në rrugë institucionale në institucionet përgjegjëse. Çështja është te neglizhenca e hallkës së fundit për ekzekutimin e padive, pra e gjyqësorit, ku në disa raste lëndët janë ende në pritje, kurse disa, pasi kanë ‘pushuar’ për vite të tëra në sirtarët e gjykatave, na janë kthyer si “lëndë të parashtruara””, thekson Avdiu.

Sipas tij, po të ekzekutoheshin si duhet këto padi do të ishin të mjaftueshme për vetëdijesimin e operatorëve për të ulur shkallën e ndotjes së ambientit.

Ky thotë se është një nga veprimet kryesore të inspektoratit të mjedisit për parandalimin e ndotjes.

Edhe kryetari i Komunës së Drenasit, Nexhat Demaku, që për një kohë të gjatë është përballur me padi ndaj Ferronikelit për shkak të ndotjes, shpreson se padia do të bëjë efektin e vet. Megjithatë, ka një përvojë të hidhur me këtë kompani.

“Ne e kemi paditur më herët dhe gjykata e ka dënuar Ferronikelin me 5000 euro”, pohon Demaku, duke shtuar se kjo gjobë nuk ka ndikuar shumë në të.

Ai tani beson se kompania do të angazhohet më shumë për uljen e shkallës së ndotjes, pasi paditë e dëmtojnë imazhin e saj dhe imazhi i Ferronikelit është shumë me rëndësi.
Sipas Demakut, inspektorët e mjedisit deri më tani kanë shterur të gjitha mundësitë e tyre dhe tani i ka mbetur në dorë ministrisë ta zgjidhë problemin.

Por, duket se masat e inspektorëve nuk janë shumë të rënda për ndotësit e mëdhenj siç i quan ministria kompanitë e paditura. Gjobat mandatore të inspektoratit nuk janë më të larta se 100 euro.

E dikush në fabrikën e çimentos “SharrCem” në Han të Elezit padinë ndaj kësaj kompanie e sheh si hakmarrje të inspektoratit.

Ky zyrtar nuk do t’i përmendet emri në gazetë, por thotë se inspektorët pa asnjë arsye e kanë dërguar lëndën në gjykatë vetëm sa për t’u përmendur në ministri se po punojnë diçka.

Ndërkaq, situata duket ndryshe në vendimin ministrisë së mjedisit.

“Operatori “SharrCem”-Shpk, Hani i Elezit, në fjalë ende nuk ka të instaluar sistemin për monitorimin intern me qëllim të përcjelljes së shkallës së ndotjes së ajrit nga emisioni i gazrave ndotëse dhe pluhurit nga procesi teknologjik i prodhimit të çimentos”, thuhet në konstatimin e inspektorëve të ambientit.

Ministria e Mjedisit propozon që ndaj këtij operatori të iniciohet procedura dhe pas paraqitjes së dëshmive të duhura, të njëjtit të shpallen përgjegjës dhe të sanksionohen sipas ligjit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›