Beogradi paguan rrogat e serbëve

Ndikimi i Beogradit vazhdon të jetë tepër i fuqishëm brenda territorit të shtetit të ri të Kosovës dhe strukturat paralele në vend që të zbehen, duket sesa vijnë dhe forcohen. Vetëm një ditë më parë, oficerë serbë të pushuar nga puna në Lipljan, nënshkruan kontrata pune me qeverinë serbe në Graçanicë. “60 punonjës, të cilët nuk kishin të ardhura të tjera, nënshkruan kontratat e punës me qeverinë”, - tha për “Balkan Insight” Sasa Vukadinoviç, drejtor i Byrosë së Burgjeve të qeverisë serbe. Pas shpalljes së pavarësisë në 17 shkurt, rreth 60 oficerë serbë të qendrave të burgimit iu bashkuan policëve serbë të Kosovës dhe punonjësve të hekurudhave në bojkotimin e institucioneve të reja të vendit. Pak ditë më vonë ata u pushuan nga Ministria kosovare e Drejtësisë, por thonë se vazhdojnë të marrin rrogat nga Serbia, duke pretenduar se u larguan nga puna për arsye patriotike. Oficerët u mbështetën tek premtimi i Beogradit, se qeveria serbe do të kujdeset për të gjithë punonjësit, të cilëve u kërkoi të braktisin punën pas shpalljes së pavarësisë. Kështu, pas tre muajsh nga premtimi i Beogradit, qeveria serbe vendosi të paguajë rrogat e oficerëve në fjalë. Ata nënshkruan kontratat e punës në Graçanicë me një zyrtar të qeverisë serbe në ikje. Përfaqësuesi i oficerëve,
Boban Petroviç, tha se ata tani janë të kënaqur, pasi më në fund kërkesat e tyre u plotësuan. “Kjo është një provë që Serbia mendon për ne serbët, që vazhdojmë të jetojmë këtu në Kosovë”, - tha ai. Që pas shpalljes së pavarësisë, Beogradi vazhdon të insistojë se Kosova mbetet e provincë e Serbisë, dhe madje ka rritur ndihmën ndaj serbëve të Kosovës. Vetëm një ditë më parë, ministri serb për Kosovën në qeverinë serbe, Sllobodan Samarxhiç, deklaroi se komisioni zgjedhor republikan i ka dhënë udhëzimet për formimin e kuvendeve komunale serbe në Kosovë, pas zgjedhjeve të 11 majit. Sipas tij, në vendbanimet serbe shumë shpejt do të konstituohen kuvendet komunale në bazë të rezultateve të zgjedhjeve lokale serbe që u zhvilluan më 11 maj edhe në Kosovë. Sipas tij, kjo është shumë e rëndësishme, sepse me autoritetet lokale në Kosovë, Serbia mund të kryejë funksionet e saj në mënyrë legjitime. Nga ana e tyre, zyrtarët e UNMIK-ut shprehen se rezultatet e zgjedhjeve lokale të Serbisë që u zhvilluan në Kosovë janë jolegjitime dhe se UNMIK-u nuk do të bashkëpunojë me zyrtarët serbë, të cilët nuk njohin UNMIK-un. Shefi i UNMIK-ut me një rregullore të posaçme u ka zgjatur mandatin përfaqësuesve të mëhershëm serbë nëpër komunat e tyre deri më 15 qershor. Si pasojë, Beogradi dhe UNMIK-u ende vazhdojnë të jenë në konflikt verbal lidhur me zgjedhjet lokale të 11 majit.
Sejdiu: Është koha e fundit t’u jepet përgjigje strukturave paralele
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, tha dje se është koha e fundit që t’u jepet përgjigje e qartë dhe energjike të gjitha strukturave paralele që Serbia dëshiron të ndërtojë në Kosovë. Sejdiu i bëri këto komente gjatë takimit që zhvilloi dje me Knut Vollebaek, komisioner i lartë i OSBE-së për minoritetet. Pasi rikujtoi qëndrimin e institucioneve të Kosovës lidhur me të ashtuquajturat institucione serbe të dala nga vota e zgjedhjeve të jashtëligjshme të 11 majit, presidenti Sejdiu tha se e ardhmja e Kosovës nuk qëndron në ato institucione, por në bashkëpunim e qytetarëve të saj, respektimin e institucioneve të vendit dhe në bashkëpunimin me institucionet ndërkombëtare, deri në anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë, në kontributin e saj si partnere e rëndësishme në këtë drejtim. Presidenti Sejdiu ritheksoi garancitë e institucioneve të Kosovës për të vazhduar respektimin e plotë të standardeve ndërkombëtare në fushën e lirisë dhe të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve pakicë.