E Diel, 1 Nëntor 2026

Beogradi paralajmëron regjistrim e popullsisë serbe dhe në Kosovë

BEOGRAD-Qeveria e Serbisë po planifikon të mbajë procesin e regjistrimi të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave edhe në territorin e Kosovës, përkatësisht në zonat e banuara me serbë. Në pamundësi teknike për ta bërë këtë më 1 tetor të këtij viti, kur është planifikuar të fillojë regjistrimi në Serbi, Beogradi zyrtar është duke shqyrtuar mundësinë që këtë proces ta shtyjë së paku për disa javë edhe brenda Serbisë.

E përditshmja kosovare, “Zëri”, në faqen e saj online citon sekretarin e shtetit në të ashtuquajturën Ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviç, i cili ka thënë se “shteti serb është duke e shikuar mundësinë për ta organizuar regjistrimin e popullsisë edhe në Kosovë, meqenëse, siç ka thënë ai, Kosova për qeverinë serbe vazhdon të shihet si pjesë e saj.

“Ideja e Serbisë është se duhet të përfshihet edhe Kosova në regjistrim, sidomos pjesa veriore e saj e të gjitha pjesët tjera ku jetojnë serbët që e konsiderojnë Serbinë shtet të tyrin”, citohet të ketë thënë Ivanoviç. Ai ka theksuar se pikërisht ky vendim mund të ndikojë që të shtyhet procesi i regjistrimit të popullsisë në mënyrë që më pas të përshihet edhe Kosova.

Por, regjistrimi i popullsisë serbe që jeton në Kosovë, nga ana e Qeverisë së Serbisë, duket si mision i palogjikshëm edhe për vetë serbët që jetojnë në Kosovë.

Njëri nga ministrat e Qeverisë së Kosovës që vjen nga komuniteti serb, Nenad Rashiç,ka deklaruar se nuk ka dëgjuar më parë që Beogradi zyrtar të ketë një agjendë të tillë, ose po punohet në këtë drejtim.

“Kam dëgjuar se do të bëhet regjistrimi i popullsisë në Serbi, por për në Kosovë nuk kam dëgjuar.”, thotë ai.

I pyetur nëse do të jetë hap pozitiv apo negativ për Kosovën, nëse lejon që shteti fqinj ta bëjë regjistrimin e qytetarëve serbë që jetojnë në Kosovë, ai ka thënë se “pasi Serbia nuk tenton ta bëjë regjistrimin e qytetarëve serbë në Kosovë, nuk është e arsyeshme që të komentohet ajo”.
(s.g/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›