E Shtunë, 31 Tetor 2026

PAMECA III përfundon misionin në Tiranë

 Në këtë ceremoni ishin të pranishëm Drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, përfaqësues të Misionit PAMECA dhe të Programit ICITAP, si dhe drejtues e specialistë të Policisë Rrugore.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, z. Hysni Burgaj, ka vlerësuar kontributin e dhënë nga Z. Herbert Steiner për përmirësimin e performancës së Policisë Rrugore.

“Z. Steiner është një nga ekspertët më të mirë që ka mbuluar sigurinë rrugore. Gjej rastin të falenderoj Misionin PAMECA dhe Programin ICITAP, si dhe stafet e tyre për kontributin e dhënë, jo vetëm në drejtim të trajnimeve, por dhe proceseve të Policisë së Shtetit. Bashkëpunimi që kemi pasur me Z.Steiner ishte mjaft i rëndësishëm, pasi ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për të gjitha proceset në drejtim të sigurisë rrugore si për trajnimin e Policisë Rrugore, hartimin e procedurave standarde, edukimin në shkolla, si dhe lidhjen e marrëveshjes së bashkëpunimit me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës për futjen e këtij procesi në Shqipëri etj. Po ashtu Z.Burgaj evidentoi se Policia Rrugore do të vazhdojë të ndjekë hap pas hapi përvojat më të mira të përftuara për sa i përket qarkullimit rrugor dhe sigurisë rrugore.

Ndërkohë Shefi i Misionit PAMECA III, Z. Cecil Craig, theksoi se e konsideron shumë të rëndësishëm bashkëpunimin me Policinë e Shtetit, e veçanërisht me Policinë Rrugore, për ndarjen e eksperiencave më të mira për menaxhimin lidhur me sigurinë rrugore, pasi kjo është një fushë shumë e rëndësishme për sa i përket jetës së qytetarëve. Këshilltari për Policinë Rrugore pranë Misionit PAMECA III, Z. Herbert Steiner, duke falënderuar të gjithë të pranishmit për vlerësimin, evidentoi faktin se Austria e Shqipëria kanë marrëdhënie shumë të mira historikisht. “Shpresoj të kem kontribuar sado pak në këto marrëdhënie tradicionale dhe jam shumë i kënaqur që pata mundësinë t’ju tregoja si punon Policia Rrugore në Austri ashtu sikundër vlerësoj eksperiencën shumë të mirë të punës dhe të jetës të përftuar në Shqipëri”. theksoi Z. Steiner. 

Po ashtu Z.Steiner shprehu bindjen se BE-ja do vazhdojë të asistojë Policinë Rrugore për përmirësimin e mëtejshëm të standardeve të arritura. /Start/

                                                                                             2011-09-29 17:21
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›