Beogradi propozon zyrtarisht ndarjen e Kosovës
Beogradi asnjëherë nuk e ka shprehur zyrtarisht, por qëllim të përhershëm ka pasur ndarjen e Kosovës. Kjo mund të thuhet lirshëm pas deklaratave të hapura të ministrit serb për Kosovën, Sllobodan Samarxhiç. Ai tha për gazetën beogradase, "Politika", se Beogradi ka propozuar zyrtarisht ndarjen e serbëve dhe të shqiptarëve në Kosovë. Samarxhiç u ka prezantuar një plan Kombeve të Bashkuara në Kosovë, plan për të cilin foli edhe zv/shefi i UNMIK-ut, Lerri Rosin. Ai tha se Samarxhiç i kishte dorëzuar një letër, të cilën ai më pas e ka dërguar në OKB, por që konsiderohej e pranueshme nga ana e tij. Përmbajtja e letrës shpall të paligjshme pavarësinë e Kosovës. Ajo e quan ilegale dhe synon që të njihet vetëm autoriteti i UNMIK-ut në Kosovë. Letra riafirmon vlefshmërinë e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe bindjen se rezoluta mund të implementohet me sukses vetëm në përpjekje të përbashkëta të UNMIK-ut dhe Republikës së Serbisë. Kjo është pika e parë e propozimit për marrëveshje. Më pas ky propozim kërkon të riafirmojë përkushtimin për të gjitha marrëveshjet e mëparshme të Republikës së Serbisë dhe UNMIK-ut, përfshirë ato të ish-RFJ, trashëgimtare e së cilës është Serbia. Në pikën 5 kërkohet të legjitimohet zyra e Qendrës Koordinuese hapur në Mitrovicë. Samarxhiç ka propozuar që oficerët policorë serbë të Kosovës të japin llogari tek autoritetet lokale serbe dhe nën komandën ekzekutive të policisë së UNMIK-ut. Të njëjtën gjë kërkon për gjyqësorin që serbët e Kosovës kanë të drejtën të qeverisin çështjet e tyre gjyqësore. Gjyqtarët ndërkombëtarë të UNMIK-ut janë përgjegjës për procedime gjyqësore kur palët janë nga komunitete të ndryshme etnike. Për sa i përket transportit, "UNMIK-u dhe Republika e Serbisë", thuhet në dokument, janë plotësisht të dhënë pas lirisë së pakufizuar të njerëzve dhe mallrave. E njëjta gjë vlen dhe për "kontrollimin e vijës kufitare administrative mes Kosovës dhe pjesës tjetër të Serbisë". Ndërsa në një pikë të fundit thuhet se "mbikëqyrja e implementimit të politikave në këto hapësira do të ushtrohet në bashkëpunim mes trupave të UNMIK-ut dhe Republikës së Serbisë. Këto trupa do të vendosen në një periudhë sa më të shkurtër, me qëllim që të jenë plotësisht në funksionim prej datës 1 maj 2008". Dokumenti kujdeset që në asnjë rresht të mos lihet të kuptohet njohja e autoriteteve të Prishtinës nga Beogradi. Ndërkohë Samarxhiç ka thënë se propozimi do të krijonte ndarjen funksionale të serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë. Ai ka shtuar se nëse administratorët e OKB-së dëshirojnë paqe dhe stabilitet, atëherë ata duhet të arrijnë një marrëveshje të qëndrueshme. Zëvendësshefi i UNMIK-ut, Lerri Rosin, tha se dokumenti është dërguar në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Por ky dokument vështirë se do të merret parasysh nga OKB, pasi shumica e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit mbështesin planin e Ahtisarit për statusin e Kosovës. Për sa i përket qeverisë së Kosovës, këtë plan e konsideron të pavlefshëm dhe Serbia mund të bisedojë me Kosovën vetëm në nivelin e dy shteteve sovrane.
SSSASS