Serbia deklaroi dje, se do të mbajë zgjedhjet parlamentare dhe lokale të majit edhe në Kosovë, duke lëshuar kështu një sfidë të re ndaj shtetit të ri. “Kosova është pjesë e Serbisë, ndaj zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale do të mbahen gjithashtu në Kosovë”, - tha dje ministri serb për Kosovën, Slobodan Samarxhiç. Ky i fundit vizitoi enklavat serbe në veri të Kosovë, ku u premtoi serbëve se do të marrin pjesë në procesin elektoral të majit. Samarxhiç tha për gazetarët, se ministria e tij do të përpilojë një kërkesë për t’ia dorëzuar misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, i cili është i vetmi autoritet në Kosovë që mund të vendosë lidhur me këtë çështje, megjithëse rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit e ndalon mbajtjen e zgjedhjeve të një shteti tjetër në territorin zyrtarisht të administruar prej OKB-së. UNMIK-u nuk ka ndaluar asnjëherë serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet e Serbisë në këto 9 vjet të misionit të tij, por kësaj here situata është krejt ndryshe, për shkak se Kosova është tashmë një shtet i pavarur, pasi shpalli pavarësinë nga Serbia në 17 shkurt të këtij viti. Mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë përbën një sfidë edhe për policinë e UNMIK-ut dhe forcat paqeruajtëse të KFOR-it, të cilat kohët e fundit janë përballur me dhunën e serbëve të Kosovës, të cilët nuk pranojnë pavarësinë e vendit. Kjo lëvizje e Beogradit është një vazhdimësi ndaj linjës kundërshtuese ndaj pavarësisë, pasi Serbia po bën gjithçka për të mos lejuar funksionimin e shtetit kosovar deri në enklavat serbe, duke u bërë thirrje serbëve të bojkotojnë institucionet kosovare dhe duke ngritur institucionet e saj paralele në Kosovë. “Serbia do ta gjejë një mënyrë për të marrë përgjegjësitë e lëna pezull pas shpalljes së pavarësisë”, - tha Samarxhiç gjatë vizitës së djeshme në Kosovë. Sipas tij, serbët nuk mund të pranojnë të punojnë për një “thuajse shtet” shqiptar, por vetëm për Serbinë.
Sejdiu kundërshton
Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, e ka kundërshtuar mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare të Serbisë në Kosovë dhe u bëri thirrje serbëve të Kosovës që të pranojnë realitetin e krijuar në shtetin e ri. “Kosova nuk mund të shërbejë si bazë elektorale për askënd, ajo do të jetë bazë elektorale vetëm për vetveten”, theksoi Sejdiu. Sipas tij, qytetarët serbë mund të votojnë për të preferuarit e tyre në Serbi, në kuptimin e parimit të respektimit të dyshtetësisë, por Kosova nuk mund të jetë bazë elektorale apo strukturë që do të shërbejë për ndërtimin e institucioneve serbe në Kosovë. Ai tha se Kosova e ka përfunduar procesin e pavarësisë së vendit, i cili është akti më i rëndësishëm për të ardhmen dhe perspektivën e gjithë qytetarëve të Kosovës, përfshirë edhe ata serbë. “Për ne është shumë me rëndësi që të japim gjithë impulsivet më të mëdha dhe më aktive të mundshme për integrimin e këtij komuniteti në jetën e përditshme dhe institucionale. Ne kemi respektuar idenë e dyshtetësisë si një parim të njohur ndërkombëtar dhe kujtoj se Kosova do të sillet në këtë kuadër, pa qenë ndonjë precedent i veçantë”, theksoi Sejdiu, duke shtuar se qytetarët serbë të Kosovës duhet ta dinë ta njohin dhe të punojnë për Kosovën si shtet i pavarur dhe sovran.