Kosova, shtet i vërtetë

“Një ditë Kosova do të jetë një shtet i vërtetë”. Ka qenë kjo deklarata e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjatë një interviste dhënë dje të përditshmes gjermane “Der Welt”. Shefi i Shtëpisë së Bardhë tha për gazetën, se ka besim të plotë që Kosova do të jetë e aftë të qëndrojë me këmbët e saj një ditë dhe të bëhet një shtet i vërtetë. Por sipas tij, për të arritur këtë gjë, Kosova ka nevojë për mbështetjen e botës. “Për mua është shumë e rëndësishme të përkrahim çdo vend që të kapërcejë një situatë të vështirë dhe të shndërrohet në një demokraci. Për këtë arsye, unë jam i kujdesshëm kur flas për kohën”, - tha Bushi në përgjigje të pyetjes së gazetarëve gjermanë nëse Kosova do të bëhet një shtet i vërtetë, i aftë për të qëndruar në këmbët e veta brenda 10 apo 20 vjetësh. “Kjo gjë nuk do të jetë e lehtë”, - vazhdoi presidenti amerikan, duke e krahasuar Kosovën me Irakun dhe Afganistanin. “Është e vështirë në Irak, e vështirë në Afganistan dhe do të jetë një proces i vështirë edhe në Kosovë”, - shtoi Bush. Në një intervistë tjetër dhënë një të përjavshme ukrainase, presidenti amerikan, i cili sapo ka nisur turin e tij në Evropën Qendrore, ku do të vizitojë mes të tjerash edhe Kievin, tha se shpreson që Ukraina të njohë pavarësinë e Kosovës. “Ne shpresojmë me të vërtetë që Ukraina do të njohë pavarësinë e Kosovës, gjë të cilën ne e kemi bërë tashmë”, - tha shefi i Shtëpisë së Bardhë për revistën “Glavred”. Ai shtoi se Kievi duhet të vendosë lidhur me vendimet që duhet të marrë. Sipas tij, Uashingtoni e ka mbështetur fort idenë e pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës që nga fillimi. Ne mbështetëm gjithashtu planin e Kombeve të Bashkuara që do të ndihmonte në arritjen e pavarësisë së mbikëqyrur dhe në të njëjtën kohë, do të garantonte të drejtat e minoriteteve në Kosovë”, - tha Bush. Zyrtarët e Ukrainës deklaruan pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës deklaruan se Kievi do të konsultohej me partnerët e tij strategjikë, SHBA-të, BE-në dhe Rusinë, përpara se të ndërmerrte një qëndrim lidhur me njohjen e shtetit të ri të Kosovës. 43 ditë pas shpalljes së pavarësisë, Kosova ka marrë tashmë njohjen e 37 vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara.