E Diel, 1 Nëntor 2026

Beogradi shpreson të mos ketë më njohje të Kosovës

Ministri i jashtëm serb, Vuk Jeremiç shprehu kërkesën që Kosova të mos anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare, në të cilat "anëtarësimi është privilegj i shteteve sovrane". Kjo është detyrë e diplomacisë serbe dhe nëse do të jetë e suksesshme, "do të bëhet e qartë se nuk ekziston alternativa e ringjalljes së negociatave", ka thënë Jeremiç në një intervistë për gazetën "Blic" të Beogradit.

Sipas tij, Beogradi shpreson në ringjalljen e bisedimeve të cilat do të rezultojnë me një zgjidhje kompromisi. Jeremiç përsëri i është kërcënuar Malit të Zi pas paralajmërimit të Podgoricës zyrtare se do të vendosë marrëdhënie diplomatike me Prishtinën, duke thënë se kjo "paraqet futje e panevojshme e gishtit në syrin e Serbisë".

Jeremiç shpreson se kjo nuk do të ndodhë. "Megjithatë nëse ndodh, do të reagojmë në mënyrë adekuate, në pajtim me interesat tona shtetërore", tha Jeremiç, duke lënë të kuptohet se Beogradi sërish do të dëbojë ambasadorin malazez.

Ndërkaq, në lidhje me deklaratën e Presidentit kroat për nevojën e "dekosovizimit të politikës serbe", Jeremiç tha se nuk dëshiron të përgjigjet ndaj "provokimeve" të Mesiçit, duke shtuar se shpreson që presidenti i ardhshëm i Kroacisë do të ketë "qëllime më të mira" ndaj Serbisë.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›