Kuçi: Ka vend për përmirësime, por rezultati duhet pranuar
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e pranon se zgjedhjet e zhvilluara më 12 dhjetor, dhe rivotimet në disa komuna më 9 janar, lënë hapësirë për përmirësime. Por kjo parti e quan logjikë anarkiste kontestimin e rezultateve nga disa parti.
Nënkryetari i kësaj partie, Hajredin Kuçi, i ka thënë RTK-së se zgjedhjet kanë lënë hapësirë për përmirësime, porse rezultati i tyre duhet të pranohet.
Ai është shprehur se edhe PDK-ja angazhohet që në zgjedhje të ketë përmirësime. Por, sipas tij, është e papranueshme që partia që humbë t`i kontestojë zgjedhjet.
Kuçi e quajti logjikë anarkiste kontestimin e rezultateve si dhe kontestimin e legjitimitetit të institucioneve që do të krijohen në përfundim të procesit zgjedhor.
Duke komentuar idenë për krijimin e një qeverie gjithpërfshirëse, Kuqi tha se i takon
PDK-së si parti fitues që të vendos për llojin e qeverisë.
Megjithatë, ai la të kuptohet se PDK nuk preferon një qeveri të tillë.
PDK dhe aleatët, sipas Kuqit, do të arrijnë që dy javë pas certifikimit të zgjedhjeve të krijojnë institucionet e reja të vendit. Ai shprehu bindjen se PDK do të sigurojë vota për qeverinë edhe nga disa deputetë të partive që nuk do të jenë pjesë e qeverisë.