E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beogradi të respektojë Kosovën e pavarur

Komisari evropian për zgjerim, Olli Rehn, ka deklaruar se shpreson që Beogradi do ta respektojë vendimin që Kosova të jetë e pavarur. Ai ka theksuar se gjatë vitit të ardhshëm, Kosova do të jetë pikë qendrore e politikës së jashtme evropiane në Ballkan.

Rehn gjatë një vizite njëditore në Poloni ka mbajtur një ligjëratë në kuadër të nismës, “2009 - vit i Ballkanit”– dhe ka shpjeguar se ky vit do të jetë vendimtar për zgjerimin e BE-së.

Komisari evropian ka thënë se shpreson që deri në fund të vitit të ardhshëm, Serbia të bëhet kandidat për anëtarësim në BE, ndërsa ka shtuar se pikë qendrore e politikës së jashtme evropiane në Ballkan do të jetë Kosova.

"Pikë qendrore e politikës evropiane në Ballkan, gjatë vitit të ardhshëm, do të jetë Kosova, ndërsa më e rëndësishmja është që atje të fillojë të funksionojë EULEX-i”, ka thënë Rehn, njofton agjencia polake PAP.

Rehn po ashtu ka thënë se shpreson që Serbia - në interes të ruajtjes së stabilitetit në rajon - do të respektojë vendimin që Kosova të jetë e pavarur, ndërsa Kosova nga ana e saj, duhet të tregojë përkushtim ndaj demokracisë dhe shoqërisë multietnike. /Telegrafi/

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›