Bep Shiroka: I jepet lamtumira ikonës së artit shqiptar, autor i 150 roleve në kinema e teatër
Bep Shiroka ishte një ndër aktorët më të mëdha të skenës dhe ekranit. Nuk është pak t'i përkasësh me talentin tënd dy llojeve të aktrimit, film dhe teatër, ku aktori dhuroi tek publiku figura dhe personazhe, që u skalitën në memorien e tij.
Në teatrin Migjeni të qytetit të Shkodrës, aty ku dhe e nisi karrierën e tij artistike në prani të dhjetrave personaliteteve të artit, kolegë e dashamirës dje u kryen dhe nderimet e fundit për aktorin e mirënjohur Bep Shiroka. Artisti i Merituar shkodran i 150 roleve në kinema dhe në teatër u nda nga jeta të enjten, pas një ataku kardiak, në moshën 76-vjeçare. Me interpretimin e roleve kryesore në shumë filma, Bepi do të bëhej një ndër aktorët më të dashur për publikun në vitet 70-80. Ai e ka nisur aktivitetin në teatrin "Migjeni" me dramën "Nora e Kelmendit". Rolet e tij më të spikatura janë luajtur në filmat: "Koncert në vitin 1936", "Çifti i lumtur etj. Aktori i përket brezit të aktorëve, që i dhanë shumë artit shqiptar, por duke mos u larguar nga vendlindja. Po kështu në karrierën e tij në skenën teatrore, ai ka shkëlqyer edhe në interpretimet dramatike. Në kinematografi roli i tij i parë ka qenë ai i Ram Sokolit në vitin 1970 në filmin Lugina e pushkatarëve, por roli që do ta bënte atë të njohur para gjithë artdashësve ishte ai i babait fanatik në filmin Çifti i Lumtur në vitin 1975. Historik do të mbetet interpretimi i tij, ku portretizon me shumë vërtetësi njeriun e dhënë pas fesë dhe zakoneve të vjetra, por që për botën duhet të tregojë që është përparimtar. Para disa kohësh ai shkeli sërish triumfueshëm në skenën e teatrit "Migjenit", aty kur për herë të parë u ngjit dekada më parë. Ai ishte një nga rikthimet më emocionuese në skenë, ndërsa në krah të tij ndodheshin aktorë të rinj, që në ëndrrat e tyre të fshehta ishin në skenë me aktorin, që cilësohet një ndër ikonat e skenës teatrore shqiptare. Putargat e thata e Stefan Çapalikut riktheu me një sukses të plotë aktorin Shiroka. Për karrierën e tij artistike aktori është shprehur : Nuk mund ti veçoj, qoftë rolet kryesore apo dytësore. Dua të përmend rolet në dramaturgjinë botërore ku kam interpretuar në vitet 60-të në teatrin e Shkodrës, po edhe ato të autorëve shqiptarë, duke nisur nga Nora e Kelmendit në vitin 1960, me të cilën trupa e Shkodrës mori disa çmime, e deri tek role të tjera si Baca i Gjetajve etj. Nga kinematografia, ato që kanë mbetur më shumë në mendjen e spektatorit e telespektatorit janë fanatiku tek Çifti i Lumtur dhe Veseli tek Koncert në vitin 1936. Edhe Teatri Kombëtar i ka dërguar një mesazh ngushëllimi familjes së aktorit të njohur shkodran. Mësojmë me hidhërim për humbjen e aktorit të madh shkodran Bep Shiroka. Teatri Kombëtar gjen rastin për ti shprehur ngushëllimet e thella familjes së tij dhe kolegeve për humbjen, duke kujtuar atë si një prej figurave më të shquara të aktrimit shqiptar me një kontribut të gjerë në teatër dhe kinematografi, thuhet në mesazhin e TK.
Si e njohëm aktorin Bep Shiroka
U lind në 25 shtator të vitit 1933 në qytetin e Shkodrës. I rritur në një familje me tradita artistike, i ati i tij Kolë Shiroka ishte organizuesi i karnavaleve në qytetin e Shkodrës, zgjedh rrugën e artit duke u diplomuar në Liceun Artistik Jordan Misja në Tiranë. Pas disa vjet aktivizimi në trupat amatore në vitin 1960 thirret të punojë në Trupën Profesioniste të Teatrit Migjeni prej regjisorit Tefik Duka. Roli i tij i parë do të jetë një rol i dytë në dramën Nora e Kelmendit ku ai do të interpretojë shumë mirë duke bërë kështu që ky regjisor ti besojë rolin kryesor në dramën Histori Irkutase. Më tej do të vazhdonin shumë e shumë role të tjera plot 150, të cilat do ta bëjnë atë të dashur jo vetëm për publikun shkodran, por edhe për atë mbarëshqiptar. Këtu mund të veçojmë interpretimet e tij në komedinë Çifti i lumtur, në dramën Dasëm me Flamur të dhënë para shqiptarëve në Maqedoni, dramën Franku i V-të e shumë të tjera. Në vitin 1998 pasi del në pension shkëputet nga teatri për tu rikthyer 10 vjet më vonë në vitin 2008 me rolin e Rezarit në dramën Putargat e thata të Stefan Çapalikut. Në kinematografi roli i tij i parë do të jetë ai i Ram Sokolit në vitin 1970 në filmin Lugina e pushkatarëve, por roli që do ta bëj atë të njohur para gjithë artdashësve do të jetë ai i babait fanatik në filmin Çifti i Lumtur në vitin 1975. Më tej do të vazhdonin edhe më se 30 role të tjera të interpretuar me shumë mjeshtëri. Këtu mund të përmendim rolin e xhandar Veselit në filmin Koncert në vitin 1936 në vitin 1978, rolin e Bajraktarit në filmin Besa e Kuqe në vitin 1982, rolin e babait të Bardhylit në filmin Kur hapen dyert e jetës në vitin 1986 etj. Roli i tij më i fundit do të jetë ai i Shefit të sigurimit në filmin shqiptaro-kanadez Gruaja pa flatra/Ëomen ëithout ëings. Në karrierën e gjatë të tij nuk mund të lemë pa përmendur edhe rolin e tij si skenograf në Teatrin Migjeni e lidhur kjo me pasionin e tij për pikturën, duke realizuar për këtë teatër mbi 30 skenografi për shfaqje të ndryshme. Një nga shfaqjet që më shumë lidhet me profesionin e tij si skenograf është komedia Çifti i lumtur. Për meritat e tij artistike Bep Shiroka është vlerësuar me titullin e lartë Artist i Merituar
Presidenti Topi: Humbëm njeriun më të talentuar të filmit dhe teatrit
Presidenti i Republikës, Bamir Topi u dërgoi dje një mesazh ngushëllimi familjarëve të aktorit të shquar shkodran, Bep Shiroka, i cili ndërroi jetë pas një ataku kardiak në moshën 76-vjeçare. Në këto momente dhimbjeje të thellë për humbjen e njeriut tuaj të shtrenjtë, dëshiroj tju gjendem shpirtërisht pranë, duke ju shprehur ngushëllimet e mia më të sinqerta, ka shkruar kreu i shtetit në këtë mesazh. Me ndarjen e tij nga jeta, ndërsa familjarët humbën njeriun më të dashur e më të pazëvendësueshëm, të gjithë artdashësit humbën një nga aktorët më të talentuar e më të përkushtuar të filmit e teatrit, vijon më tej mesazhi i kreut të shtetit. Ai me mjeshtëri dhe profesionalizëm skaliti figura e personazhe të pashlyeshme në memorien tonë, duke mbetur një nga aktorët më të mëdhenj e më të spikatur shqiptarë, thuhet për aktin Shiroka në mesazhin e presidentit Topi.
Nga jeta artistike e aktorit
Kinematografi
2002 Gruaja pa flatra/Women without wings...........................Shefi i Sigurimit
1989 Historiani dhe kameleonët..........................................Maksuti
1986 Kur hapen dyert e jetës..............................................Babai i Bardhylit
1985 Dasma e shtyrë.......................................................Kurt Aga
1984 Fushë e blertë, fushë e kuqe........................................Xhevati
1982 Besa e Kuqe.......................................................Bajraktari
1982 Flaka e maleve ......................................................Valiu
1981 Gjurmë në kaltërsi...................................................Dania
1981 Kërcënimi ............................................................Cvetkoja
1981 Një natë pa dritë.....................................................Plaku
1981 Si gjithë të tjerët....................................................Babai i Jetës
1979 Ditët që sollën pranverën (Film TV)................................Komandanti i Repartit
1978 Koncert në vitin 1936................................................Xhandar Veseli
1978 Në pyjet me borë ka jetë............................................Banakieri
1975 Çifti i lumtur..........................................................Babai fanatik
1970 Lugina e pushkatarëve...............................................Ram Sokoli
Teatër
Baca i Gjetajve e Fadil Krajës
Çifti i lumtur
Dasëm me Flamur
Hetimi
2008 -- Putargat e thata e Stefan Çapalikut.................