Beqaj: Bosnja nuk na tremb, problem vetëm tifozëria e tyre
Arjan Beqaj shëtiste i shpenguar në rrugën “Mylsym Shyri” duke shfrytëzuar orarin e lirë të lënë nga trajneri kroat i kuqezinjve. Portieri, që tashmë duket se e ka humbur vendin e titullarit në kuadratin kuqezi, të paktën dhe për këtë ndeshje, nuk e merr aspak me mërzi faktin se mund të jetë në stol. Për të më me shumë vlerë janë pikët që kuqezinjtë duhet të marrin nga fushata boshnjake, për të shpresuar deri në fund të këtyre eliminatoreve për një vend në Euro 2012. Megjithatë, më shumë sesa skuadrën boshnjake, Beqaj i druhet tifozërisë së tyre. Në stadiumin e Zenicës do të jetë një publik i zjarrtë që shkon deri në caqet e egërsisë, ndaj portieri që aktivizohet në kampionatin qipriot me Ermisin u kërkon shokëve të skuadrës përqëndrim maksimal.
Arjan, dukeni në formë ndonëse nuk jeni aktivizuar me Ermisin.
Jam stërvitur rregullisht dhe jam në formë fizike shumë të mirë. Është e vërtetë që më mungon fusha e lojës, por kur ke moshën time, eksperienca të lejon të stërvitesh me të njëjtin intesitet.
Kjo do të thotë se jeni gati për Bosnjen?
Unë jam gati, por gati është edhe Ujkani. I takon trajnerit të vendosë.
Bosnja është mundësia e fundit e Shqipërisë për të prenotuar një vend në trenin që të çon në europian. A besoni se i kemi të gjitha mundësitë për t’ia dalë mbanë?
Natyrisht që e besoj këtë. Jo vetëm unë, por e gjithë skuadra kombëtare do të kërkojë që të arrijmë një rezultat pozitiv në Bosnje, pasi kështu do të kishim mundësi për t’i mbajtur shpresat gjallë.
Bosnja do të ketë në dispozicion një ekip “full-optional”. Është një skuadër që në të vërtetë të shkakton paksa frikë.
Ndërsa neve ata nuk na trembin aspak. Edhe në Tiranë e treguam se jemi thuajse në të njëjtin nivel përsa i përket lojës së skuadrës. Si individë ata natyrisht që kanë shumë cilësi, por mos harrojmë se kjo është një lojë kolektive. Megjithatë, mua nuk më tremb shumë skuadra boshnjake.
Por çfarë ju tremb?
Tifozëria në Zenicë. Ata janë vërtet të zjarrtë dhe mund t’u japin vërtet një suport të madh skuadrës së tyre. Është njësoj si Shqipëria kur luan në “Qemal Stafa”.
Po cila është receta juaj?
Shpërfillja. Nëse arrijmë ta heqim mendjen nga ajo se çdo të ndodhë jashtë katërkëndëshit të blertë, atëherë do të mund të dalim me pikë që andej.