Beqaj: Heqja e vizave të mos kushtëzohet
_516316_thumb_large.jpg)
Ministri në largim i Integrimeve Evropiane Besim Beqaj ka thënë se Kosova i ka realizuar të gjitha kërkesat e Komisionit Evropian sa i përket procesit të liberalizimit të vizave, ndërsa ka kërkuar që ky proces sa më parë të lëvizë përpara dhe mos kushtëzohet nga proceset dhe vendimet, pasi që bëhet fjalë për një proces teknik.
Ai këto komente i bëri gjatë një takimi të enjten me ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, Lorant Balla, vendi i të cilit ka marrë kryesimin e radhës së Bashkimit Evropian.
Gjatë këtij takimi, ministri në largim Beqaj e ka njoftuar ambasadorin Balla lidhur me prioritetet e Ministrisë së Integrimit Evropian dhe përcaktimin e institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës se integrimet evropiane janë prioritet nacional i Kosovës.
Gjithashtu është biseduar edhe lidhur me marrëdhëniet tregtare me BE-në, me ç’rast ministri në largim Beqaj ka theksuar se institucionet e Kosovës nuk kanë marrë asnjë informatë lidhur me ndërprerjen e preferencave tregtare për Kosovën nga ana e BE-së, duke u angazhuar që kjo çështje sa më parë të sqarohen dhe zgjidhet.