Beqaj: I kemi përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim

Ministri në largim i Integrimit Evropian, Besim Beqaj ka thënë të mërkurën se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e parapara për të marrë strategjinë në procesin e liberalizimit të vizave.
Kurse ambasadorja Anna-Karin Enestrom ka theksuar se nuk ka pasur dhe as që do të ketë diskriminim për asnjë vend i cili konkurron për liberalizim dhe se kriteret janë të njëjta për të gjitha vendet.
Gjatë takimit me një delegacion të përfaqësuesve të Suedisë në Këshillin politik dhe te Sigurisë dhe CIVKOM në Bruksel, ministri Beqaj ka theksuar se integrimi evropian mbetet prioriteti kombëtar i Kosovës dhe se Qeveria e ardhshme e vendit do të angazhohet fuqishëm për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Në këtë rast, Beqaj theksoi se Kosova ka kërkuar sqarim lidhur me vendimin për ndërprerjen e preferencave tregtare, duke e vlerësuar atë si sinjal negativ për Kosovës, i cili ka ndikim negativ edhe në zhvillimin ekonomik të vendit.
“Edhe pse Kosova ka kërkuar sqarim lidhur me këtë mas ende nuk ka marr përgjigje konkrete:, ka thënë ai.
Ndërkaq përfaqësuesja e Suedisë në Këshillim Politik dhe të Sigurisë në Bashkimin Evropian, ambasadorja Anna-Karin Enestrom theksoi se me shumë kujdes e ka analizuar Raportin e Progresit dhe ka nënvizuar nevojën e koncentrimit më të madh në ndërtimin institucioneve kredibile, përkushtimin më të madh në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit, shpëlarjes së parasë dhe dukurive tjera negative.
Duke folur për procesin e liberalizimit të vizave, Enestrom ka theksuar se nuk ka pasur dhe as që do të ketë diskriminim për asnjë vend i cili konkurron për liberalizim dhe se kriteret janë të njëjta për të gjitha vendet.
“Qeveria e Kosovës duhet të jetë e orientuar drejtë anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian”, tha ambasadorja Enestrom.
Kurse e ngarkuara me punë e Suedisë në Kosovë, Ingrid Johannsson ka vlerësuar se prej vitit 2008 institucionet e Kosovës kanë një qasje shumë më praktike në komunikimin me BE-në dhe se falë kësaj qasje ka rezultate konkrete në proceset integruese.
Ndër të tjera në këtë takim është folur edhe lidhur me problemet në implementimin e tërësishëm të marrëveshjes së CEFTA-s dhe problemet me të cilat po ballafaqohet Kosova për shkak të aplikimit selektiv të kësaj marrëveshje nga ana e Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës.