Fatmir Sejdiu në Korenë e Jugut

Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka disa ditë që gjendet në një vizitë në Korenë e Jugut, përkatësisht në kryeqytetin e këtij vendi të largët, Seul. Ai është pjesëmarrës në në Konferencë Internacionale të Lidershipit për Kosovën dhe rrugën drejt pavarësisë. Në këtë konferencë Sejdiu ka mbajtur edhe një fjalë.
“Rrëfimi im për të gjitha zhvillimet, por edhe për parimet me të cilat jemi udhëhequr, është, siç thuhet, i dorës së parë” u ka thënë pjesëmarrësve Sejdiu.
”Pavarësisht nga “dhembjet e lindjes” që janë përjetim normal i çdo vendi të ri pas pavarësimit, Kosova ka kapërcyer suksesshëm provat e shtetndërtimit, duke përmbyllur formësimin e gjithë organeve shtetërore, mbështetur në parimet themelore të demokracisë”, ka thënë Sejdiu në konferencë.
Pos që ka folur për procesin e negociatave, të shtetbërjes dhe sfidat përpara, Sejdiu ka folur edhe për bashkëjetesën e komuniteteve.
“Tri janë bashkësitë themelore religjioze: muslimane, të krishtere katolike dhe ortodokse, si dhe komuniteti i krishterë protestan. Kosova paraqet shembull sui generis të koherencës, bashkëjetesës dhe të tolerancës përgjatë shekujve”, ka thënë Sejdiu. (KD)