E Shtunë, 31 Tetor 2026

ANP: Të gjithë punëtorëve iu garantohet puna

Nga Express më 09 shkurt 2011 në ora 15:48

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, nëpërmes një komunikate, i siguron të gjithë punëtorët se nuk kanë asnjë arsye të frikësohen se do të mbesin pa punë, pas kalimit të kompetencave nga Aeroporti tek konsorciumi Limak - Lyon.

Kryetari i Bordit të Drejtorëve të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Bekim Jashari, ka thënë se personalisht dhe në emër të Bordit të Drejtorëve e garanton këtë gjë.

“Mund të garantoj që asnjë punëtor nuk do të dalë nga puna. Jam në kontakt të vazhdueshëm më kompaninë Limak-Lyon dhe nuk është në planin e kompanisë për të nxjerrë nga puna asnjë punëtor. Përkundrazi, në Aeroport do të punësohen qindra punëtorë të tjerë në ndërtimin e terminalit dhe punët e tjera përcjellëse”, citohet të ketë thënë Jashari, në një komunikatë shpërndarë medieve.

Sipas tij, në këtë kontest Bordi i Drejtorëve ka marrë vendim më herët që të gjithë punëtorët e ANP-së të pajisen me kontrata valide trevjeçare.

Edhe drejtori Menaxhues i ANP-së, Agron Mustafa, thekson se nuk ka vend për shqetësim.

“Asnjë punëtor i Aeroportit nuk duhet të frikësohet, sepse qëllimi i Partneriteteve Private është modernizimi, zhvillimi dhe zgjerimi i kapaciteteve të ndërmarrjeve, në këtë rast të Aeroportit, që nënkupton edhe qasje të fuqisë punëtore të mjaftueshme për të qenë një Aeroport funksional. Po ashtu, besoj që qasja e koncesionarit nuk do jetë për të ulur numrin e punëtorëve por për zhvillim dhe modernizim të Aeroportit. Do të investohen rreth 100 milion euro në një terminal të ri prej 25 mijë metra katrorë, ndërkohë që numri i udhëtarëve po vjen duke u rritur vazhdimisht”, ka thënë Mustafa.

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës e ka mbyllur vitin 2010 me 114 mijë udhëtarë më shumë se viti paraprak 2009, duke shënuar një rritje prej 9.5 për qind më shumë në numrin e udhëtarëve.

Në total numri i udhëtarëve gjatë 2010 shkoi në 1 milion e 306 mijë udhëtarë nga 1 milion e 192 mijë sa ishin në 2009.

“Ndërsa ky vit është edhe më premtues se viti i kaluar. Sipas statistikave vetëm gjatë Janarit të 2011 ka pasur 11 mijë udhëtarë më shumë se gjatë vitit 2010. Derisa gjatë vitit të kaluar në Janar ishin 96 mijë udhëtarë këtë janar janë 107 mijë udhëtarë ose një rritje prej gati 12 për qind”, thuhet në komunikatë.

Gjithashtu numri i fluturimeve është rritur për 20 për qind. “Situata e tanishme është krejt ndryshe prej kohës kur ka filluar koncesionimi para dy viteve. Nga rreth 1 milion udhëtarë që kemi pasur, tani kemi mbi 1.3 milionë udhëtarë. Janë rreth 400 mijë udhëtarë më tepër”, ka theksuar Mustafa.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›