E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuçi: Po spekulohet me emrin tim si kryeministër

Nga Express më 09 shkurt 2011 në ora 15:00

Hajredin Kuçi, nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherit zëvendëskryeministër aktual i Kosovës, nëpërmes një deklarate për opinion, ka sqaruar se përmendja e emrit të tij si kandidat për kryeministër është thjeshtë spekulim medial.

“Po u drejtohem qytetarëve të nderuar të Republikës së Kosovës ndaj disa shkrimeve në media (dy herë më parë dhe një shkrim sot) ku përmendet emri im si pjesë e kalkulimeve për postin e Kryeministrit. Dua të sqaroj opinionin publik se këto janë vetëm spekulime mediale dhe se asnjëherë me mua nuk është biseduar diçka e tillë dhe as që e kam menduar dhe as që pretendoj një pozitë të tillë”, thuhet në deklaratën shpërndarë medieve.

“Unë ndihem mirë në pozitat politike që kam dhe mbështes fuqishëm të nominuarin për Kryeministër nga PDK-ja, z. Thaçi, për të cilin kam pasur nderin, që në emër të PDK-së, ta paraqes nominimin e tij. Kryeministri Thaçi është i zgjedhuri i qytetarëve të Republikës dhe i PDK-së dhe ka mbështetjen e plotë demokratike dhe Kushtetuese për këtë post”, ka theksuar Kuçi.

Ai ka shfaqur dëshirën që ky spekulim të mos jetë politikë për ta denigruar dikënd.

Gazeta “Zëri” ka shkruar sot se për shkak të pamundësisë për të krijuar një koalicion të qëndrueshëm qeverisës nga ana e kryetarit të PDK-së, , Hashim Thaçi, në postin e kryeministrit të ardhshëm mund të vijë ministri në largim i Ekonomisë dhe i Financave, Ahmet Shala ose i dyti i qeverisë dhe i PDK-së, Hajredin Kuçi.

“Ahmet Shala ka një mbështetje shumë të fuqishme ndërkombëtare meqenëse për disa vite me radhë punon direkt me ta. Nuk përjashtohet as emri i Hajredin Kuçit, i cili mund të pranohet nga partitë, si AAK-ja që ka rezerva ndaj Thaçit, por edhe nga partitë tjera”, shkruan gazeta, duke u mbështetur në burime anonime.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›