E Diel, 1 Nëntor 2026

Beqaj: Për t‘u kualifikuar të mundim Panathinaikosin

Ndeshjet e dyta në grupe të Champions League rikthejnë në arenën e futbollit të madh edhe portierin shqiptar Arian Beqaj me skuadrën e tij Anorthosis të Famagustës. Skuadra e tij do të luajë të mërkurën përballë komshinjve grekë, Panathinaikosin në takimin e vlefshëm për grupin B. Pas paraqitjes së mirë në ndeshjen e parë, 0-0 në shtëpinë e gjermanëve të Verder Bremenit, portieri shqiptar beson se e dyta do të jetë vendimtare për skuadrën e tij. "Panathinaikosi mbetet favorit për ndeshjen, sepse ka përvojë më të madhe se ne në Evropë, - thotë portieri shqiptar për gazetën "Ta Nea", - ne jemi, sidoqoftë, në një pozicion të mirë". Beqaj, i cili ka qenë ndër më të mirët në fushë ndaj Verderit, thekson se gjendja aktuale e skuadrës është shumë e mirë, por mendon se duhet të qëndrojnë me këmbë në tokë. "Kemi luajtur ndeshje shumë të mira në kampionat dhe ndaj Verderit, - shton ai. Ne provuam se në jetë asgjë nuk është rastësi. Për këtë është themelore ndeshja e radhës ndaj Panathinaikosit, por kjo ndeshje është e rëndësishme për të dyja skuadrat. Skuadra që fiton ka përparësi për vendin e tretë, por mund të luftojë edhe për kualifikim. Dëshira për fitore është shumë e madhe në Qipro, Panathinaikosi luajti mjaft mirë ndaj Interit dhe do të jetë një ndeshje e vështirë për ne".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›