E Diel, 1 Nëntor 2026

Mendja e kohës

Të paktën 40 tituj të gazetave të vjetra që datojnë që nga viti 1908, të rregulluara në dosje të veçanta dhe në librat vjetorë të arkivimit të shtypit në periudha të caktuara që nga koha e Monarkisë së Zogut e deri në vitet pas çlirimit e më tej, tek ato të periudhës komuniste, të gjitha publikime të nënshkruara nga emra të njohur të gazetarëve të periudhave përkatëse, janë vlerësuar si pasuri në Ditën e Trashëgimisë.

Historiku i shtypit korçar në vite ka tërhequr jo vetëm vëmendjen e historianëve dhe përfaqësuesve të medias, por edhe të shumë kureshtarëve që janë njohur nga afër me stilin gazetaresk të një shekulli më parë dhe faqosjen e hershme të gazetave të para që janë shtypur dhe hedhur në treg për lexuesit e kohës. Me fletë të zverdhura nga vitet, por të grumbulluara si pjesë e rëndësishme e pasurisë dhe trashëgimisë kulturore të qytetit juglindor dhe historisë së tij të shtypit dhe gazetarisë, kanë dalë nga arkivat e bibliotekës të paktën 40 tituj të vjetër. Të prezantuara në një ekspozitë të veçantë mbi historikun e shtypit korçar në vite, gazetat e para shqiptare që janë botuar në juglindje të vendit, por edhe përtej kufijve, janë renditur mbi tryezë në një sallë të bibliotekës, ku është vendosur edhe kjo pjesë e pasur e arkivës. Ekspozimi i shtypit në vite ka ardhur në Ditën e Trashëgimisë Kulturore, kur për të parën herë këto dokumente historike dhe të kulturës korçare kanë dalë nga arkivat për t‘u prekur dhe studiuar nga afër nga personat e interesuar për këtë pjesë të botimeve. Të paktën 40 tituj të gazetave të vjetra që datojnë që nga viti 1908, të rregulluara në dosje të veçanta dhe në librat vjetorë të arkivimit të shtypit në periudha të caktuara që nga koha e Monarkisë së Zogut e deri në vitet pas çlirimit e më tej tek ato të periudhës komuniste, të gjitha publikime të nënshkruara nga emra të njohur të gazetarëve të periudhave përkatëse, janë vlerësuar si pasuri në Ditën e Trashëgimisë. Ka qenë një organizim që vjen për të parën herë në sallat e bibliotekës, ku është lëvruar historiku i shtypit që ka thithur edhe interesin dhe vëmendjen e shumë qytetarëve korçarë, por edhe njerëzve të medias, shkrimtarë, botues dhe historianë të cilët kanë qëndruar më gjatë mbi fashikujt dhe botimet e vjetra, duke shfletuar me kujdes mes fakteve historike të pasqyruara nga shtypi që 100 vjet më parë. Mënyra e raportimit dhe stili gazetaresk në periudha të ndryshme ka bërë që tituj të veçantë të dallojnë mes tyre në narracion, por edhe nga pasurimi nëpërmjet elementit të fotografisë së shfaqur pas grafikave të viteve të para. Një tjetër element që tërhoqi vëmendjen ishte mënyra e faqosjes dhe vendosjes së titujve, por dhe madhësia e gazetave e përmasat sipas formatit, që brenda 50 vjetëve kanë ardhur drejt zvogëlimit. Më shumë se sa për vetë ndikimet e shtypit në periudha të caktuar historike, ato tregojnë mentalitetin dhe traditat e kohës, kulturën dhe historinë, por edhe atë pjesë të trashëgimisë lokale që vjen nga qyteti i Korçës me një sërë gazetash që tregojnë për një zhvillim në nivele të larta të gazetarisë së shkruar. Duke e konsideruar edhe këtë sektor si një nga më të zhvilluarit ndër traditat qytetare të Korçës, mijëra shkrime të botuara dhe të arkivuara në bibliotekën e qytetit, janë risjellë për të zbuluar tipikën e secilës gazetë të botuar, me lajmet dhe aktualitetin e kohës për periudhat që janë ekspozuar në sallë, me reportazhet e gazetarëve të mirënjohur korçarë, fakte dhe të dhëna për historinë e qytetit, traditën poetike dhe asaj muzikore, etj. Të gjitha të shfletuara mes germave të zeza në fletët që janë zverdhur tashmë nga qëndrimi në arkivë për një kohë të gjatë dhe vitet e shumta që nga hedhja e parë në dritë, edhe pse një pjesë me dëmtime për shkak të prodhimit të dikurshëm të shtypit, janë konsideruar si një pasuri e madhe për qytetin e Korçës. Kujdesi që është treguar nga ana e bibliotekës për këtë pjesë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore ka bërë që ato të ruhen deri në ditët tona.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›