E Diel, 1 Nëntor 2026

Sheva, rikthimi i heroit

Të mërkurën, në ndeshjen me Rexhinën, Andrij Shevçenko shënoi plot 300 prezenca me Milanin, përveçse 137 golave me këtë fanellë. Ukrainasi që erdhi në Milano në vitin 1999 dhe iku prej andej në 2006-ën, tregon se tani është në gjendje të sakrifikojë gjithçka për Milanin.

Sheva, ju u larguat nga Milani me destinacion Londrën, me justifikimin se po iknit për t‘u mësuar fëmijëve anglisht.

"Njerëzit mund të kenë qeshur me këtë justifikim, por më duhet ta pranoj se nuk ishte ky motivi kryesor i largimit tim nga Milanoja. Motivi i vërtetë ishte se doja ta zhvendosja familjen time në Londër. Por sot shumë gjëra interpretohen ndryshe nga mënyra se si janë thënë vërtet.

Përse mendoni se nuk funksionuan gjërat gjatë dy viteve në Angli?

Sepse në ato dy vjet jam operuar dy herë dhe kam pësuar dëmtime të ndryshme, dhe nëse një futbollist nuk mund të stërvitet vazhdimisht, humbet formën e tij fizike.

Kjo është vërtet trishtuese...

Megjithatë, unë nuk u demoralizova kurrë. Mua më pëlqen të luaj futboll, prandaj kam kërkuar të stërvitem vazhdimisht. Qoftë edhe për veten time.

Nuk luajtët gjatë kohës së Murinjos, Grantit dhe Skolarit. Cilat ishin mendimet tuaja, si një futbollist të cilit nuk i jepnin asnjë mundësi?

Me Murinjon në vitin e parë kam luajtur jo më shumë se 50 herë, ndërsa më vonë nuk isha në gjendje të mirë fizike dhe ishte e kotë që të luaja. Raporti mes nesh ishte korrekt. Sigurisht që ka pasur shumë ngjarje dhe histori që u shpikën, por unë nuk luaja vetëm sepse nuk isha në formë të mirë fizike.

Por ju nuk u ankuat kurrë...

Njerëzit ishin mësuar të më shihnin teksa luaja 40-45 ndeshje në vit dhe të mos dëmtohesha asnjëherë. Dhe kjo gjendje vazhdoi për dhjetë vjet me radhë. Pastaj erdhën dëmtimet. Për çfarë duhet të protestoja? Nuk ishte faji i askujt.

Me siguri, ashtu siç është vënë re, ju u kthyet falë këmbënguljes dhe sponsorizimit të Berluskonit.

Milani kërkoi shumë herë që të më merrte. Galiani ka folur shpesh me drejtuesit e Çelsit. Në fund ndërhyra vetë dhe pas një muaji arrita që ta bindja Abramoviçin. Doja të rikthehesha dhe ta nisja nga fillimi. Sot (dje) mbush 32 vjeç dhe dëshiroj të ndihem sërish futbollist.

Po Berluskoni?

Ndërhyri për të gjetur një marrëveshje me Abramoviçin. E di që tani do të jetë e vështirë, pas gjithë kësaj historie. Por, këtu ndihem si në shtëpi, sepse unë këtu u rrita. Është e vërtetë se vendosa të largohem, por u tregova i ndershëm: nuk e bëra për para, por për familjen. U riktheva se jam futbollist dhe nuk dëshiroj të heq dorë në këtë moshë që jam. Dua të vazhdoj të jem ende në nivele maksimale.

A nuk mendoni se është e vështirë? Nuk keni frikë se mund të përfundoni si Saki, Kapelo apo Donadoni, që u rikthyen pa lënë asnjë gjurmë?

Unë nuk kam frikë nga asgjë dhe nuk pres dhurata prej askujt. Jam këtu, duke pritur. Megjithatë, duhet të kesh dhe pak fat, sepse në futboll fati është gjithmonë i rëndësishëm.

Jeni vërtet i bindur për të fituar bastin që keni hedhur me veten?

Mendoj se do t‘ia dal mbanë. Nëse je i bindur për diçka dhe pastaj ke frikë se nuk do ia dalësh mbanë, atëherë ke dështuar që në nisje.

Andrij, gjërat kanë ndryshuar. Tani jeni ju që bëni zëvendësin e Borrielos?

Borrielo është 26 vjeç, Pato 19. Ata duhet të luajnë. Unë mbërrita te Milani kur isha 22 vjeç dhe gjeta aty futbollistë si Ueah apo Bierof, ku njëri kishte fituar "Topin e Artë", ndërsa tjetri ishte golashënuesi më i mirë. Megjithatë, trajneri më fuste gjithmonë në lojë. E di që tani më duhet të pres momentin tim, prandaj nuk kam përse të nxitoj. E pranoj, Borrielo është 26 vjeç dhe tani i duhet të tregojë atë që vlen. Unë mundësitë që kisha i shfrytëzova menjëherë, tani më duhet të pres të rejat.

Ançeloti thotë se është rikthyer një tjetër Sheva, më i motivuar...

Është e vërtetë, jam më i motivuar.

Po trajneri thotë se keni ndryshuar...

Po, tani jam më i disponueshëm. I shoh gjërat në një tjetër mënyrë.

Kur ju zgjodhët Çelsin, Interi nuk ishte një skuadër kaq e fortë. Tani duket se është e vështirë t‘i mundni.

Është e vërtetë se në dy vjet rresht Interi ka fituar Kampionatin Italian, por të mos harrojmë se Milani ka fituar Kupën e Kampioneve.

Tani Interi drejtohet nga Murinjo...

Dëshiroj të qëndroj jashtë çdo debati që ka lidhje me Murinjon. Nuk dëshiroj të flas, edhe sikur të më vrisnin. Nuk kam dëshirë të merrem me këtë, dua vetëm të luaj. Ai është trajneri i Interit, unë futbollist i Milanit.

Në ndeshjet derbi ju keni shënuar 13 gola. Cilat janë kujtimet më të ëmbla?

Nuk mendoj se ka gol më të bukur se ai që shënova në ndeshjen derbi, në gjysmëfinalen e Ligës së Kampioneve. Megjithatë kujtoj me qejf edhe dy vjet më vonë, përsëri në "Champions", kur fituam 2-0 në fushë dhe 3-0 në tavolinë. Shënova një gol të bukur me të majtën. Ata gola ngelen të pavdekshëm për mua. Tani jam i gatshëm të bëj gjithçka që skuadra të fitojë, çdo lloj sakrifice.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›