Humbja në derbi, Interi mbetet favorit
Humbja në derbin e "Madoninës" nuk i heq Interit rolin si favoritja kryesore për të fituar titullin në Serinë A. Kuotimet e SNAI-t (Shoqëria Italiane e Basteve dhe Parashikimeve), të azhurnuara pas ndeshjeve të javës së 5-të, e shohin skuadrën e Hoze Murinjos në avantazh të ndjeshëm përpara Milanit. Triumfi i zikaltërve në fund të sezonit kuotohet me 1.9, ndërsa kuqezinjtë me trefishin e gjysmës së shumës së vendosur në bast. Gjithsesi, pas fitores së Milanit të dielën, gol i realizuar nga Ronaldinjo, "hendeku" është zvogëluar në mënyrë të paevitueshme. Në mesjavë kuota e Interit ishte 1.7, ndërsa ajo e skuadrës së Ançelotit (që pas derbit fituan plotë shtatë vende në klasifikim) ishte 4.5. Momentalisht Lacio mban e vetme kryesimin në klasifikim, por shanset që skuadra e Delio Rosit ta ruajë këtë pozicion duken të vogla. Kjo, të paktën sipas kuotimit të ofruar nga SNAI, i barasvlefshëm me 33. Gjithmonë duke u bazuar te bastet, ekipi që vlerësohet si forca e tretë e Serisë A është Juventusi. Bardhezinjtë kuotohen me pesëfishin e shumës (më parë oferta ishte 4.5), pas barazimit jashtë fushe me Sampdorian. Roma, që i është rikthyer rezultateve pozitive, kuotohet me 16-të, ndërsa Napoli dhe Udineze, të cilat aktualisht klasifikohen në vendet 2 dhe 3, kuotohen respektivisht 80 dhe 200. Në Angli favorite jepet Çelsi (1.9) përpara Mançester Junajtid (3.5), Arsenalit (6.5) e Liverpulit (7); në Gjermani është Bajerni (1.8) përpara Verderit dhe Shalkes, të dyja kuotohen me 6.5, ndërsa në Spanjë Barcelona (2.1) ndodhet përpara Realit të Madridit (2.3).